Ulqini, stacion i artistëve shqiptarë

June 20, 2015   | Lajmet / Vijesti

Festivali-Netët e Klipit Shqiptar-UlqinNë Qendrën e Kulturës në Ulqin u mbajt edicioni i 14-të i festivalit “Netët e Klipit Shqiptar

Pas konkursit “Miss Shqipëria 2014”, i cili u mbajt për të parën herë në Ulqin, dhe natës finale të “Miss Talent Show” në kuadër të Miss Globe International, Agjencia Deliart Association e drejtuar nga regjisori Petri Bozo ka organizuar të premten në Qendrën e Kulturës në Ulqin spektaklin e tretë me radhë – festivalin “Netët e Klipit Shqiptar”, duke e shndërruar këtë qytet në stacion të artistëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare. E konceptuar si mbrëmje feste, me të ftuar artistë të njohur shqiptarë dhe figura publike, mbrëmja gala e edicionit të 14-të të këtij festivali, ka pritur dhe përcjellë shumë emra këngëtarësh në skenë. Nuk mbahet mend që në Ulqin të kenë qenë ndonjëherë një numër kaq i madh artistësh, jo vetëm këngëtarësh, por edhe nga fushat tjera, që kanë marrë pjesë në natën gala. Me prezantimin e aktorit Herjon Mustafarai dhe Adelajda Xhamanit, kjo mbrëmje ka përmbyllur një cikël disa javor, gjatë të cilit u prezantuan 48 klipe konkurrente të këtij viti. Nën drejtimin e regjisorit Petri Bozo, çdo gjë ka funksionuar më së miri, që nga skenografia e mrekullueshme, e cila ka bërë që Qendra e Kulturës në Ulqin të marrë pamje krejt tjetër dhe të duket si kurrë ndonjëherë, e deri te detajet më të vogla. Kjo mbrëmje është transmetuar drejtpërdrejt nga tre televizione: Televizioni Publik Shqiptar, Radio Televizioni i Kosovës dhe Radio Televizioni i Maqedonisë, duke bërë që me miliona shikues ta shohin atë.

Fituesit 

Fitues i edicionit të 14-të të Festivalit “Netët e Klipit Shqiptar” është shpallur këngëtari Neki Emra, me klipin e këngës “Pa Ty”. Ai ka arritur të rrëmbejë çmimet kryesore të Festivalit, çmimin për klipin më të mirë në të gjitha kompenentët dhe çmimin e publikut. Çmimin atij ia ka dorëzuar kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, i cili ndër të tjera ka thënë se ky spektakël është mënyra më e mirë e promovimit të Ulqinit në këtë prag të sezonit turistik. Këtë natë janë ndarë edhe shumë çmime të tjera. Çmimin për klipin më të mirë alternativ e ka fituar grupi “Burn” për klipin e këngës “Hajde me ne”, Çmimin për fabulën më të mirë Rosela Gjylbegu dhe Vullneti me “Jam aty”, Çmimin për grafikën më të mirë Big Basta dhe Mr. Rez për “Fire, Higher, Ajër”, çmimin Klipi më i mirë i muzikës qytetare Devis Xherahu dhe Vaskë Curri me “Nuk e meriton”, çmimin për regjinë më të mirë grupi “Elita 5” me “Me fal”, çmimin për montazhin më të mirë Anxhela Peristeri dhe Marcus Markado për “Bye Bye”, çmimin për produksionin më të mirë Ingrid Gjoni dhe Gjeto Luca me “Mbretëreshë”, çmimin për kamerën më të mirë Edona Llalloshi, çmimin për interpretimin më të mirë femër Eli Fara – “Me mua mos”, çmimin për interpretimin më të mirë mashkull vëllezërit Endri dhe Stefi për “Ti s’e meriton”, çmimin për klipin më të mirë rock këngëtarja Flaka Krelani për “Zjam”, çmimin Debutuesi më i mirë Megi Laska për “Përgjithmonë”, çmimin për duetin më të mirë Eneda Tarifa dhe Jon për “Together”, çmimin Imazhi më i mirë në klip Orinda Huta dhe Luis për “Te amo”,

Çmimin special për grupin më të ri Alar Band me “Ocean”, Çmimin special të jurisë – Lori për “Me ty nuk flas”, çmimin e medias Mihrije Braha dhe Çmimin Deliart – Mateus Frroku dhe Fisnikët për “Çokollatë e shkrime”.

Netët e Klipit Shqiptar është festivali i vetëm i imazhit shqiptar, i cili daton që nga viti 2002 dhe organizohet çdo vit si një festival i mirëfilltë i videoklipit, ku konkurrojnë artistë të shumtë e studio prodhimi të kësaj fushe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare, duke e bërë garën për çdovit më interesante. i.k.

Koha Javore