Malazezët erdhën për nuse në Shëngjin, peng për 20 mijë euro

June 29, 2015   | Rajoni / Region

Peng-ne-ShqiperiNë gjyq, pengmarrësi nga Lezha. Njëri u lirua që të merrte paratë, lajmëroi policinë

Akuza – Për shkak se pengmarrja nuk zgjati shumë, Gjinaj akuzohet për “rrëmbimi ose mbajtje peng e personit, në rrethanë lehtësuese”

Telefonatat – Teksa mbahej peng, njëri nga malazezët e pyeste tjetrin në telefon se a kishte mundur t’i gjente 20 mijë eurot që kërkoheshin

Mariglen Mullai

Mbajtja peng e një malazezi, në këmbim të 20 mijë eurove do t’i kushtojë lirinë një banori të Lezhës. Dy malazezët erdhën në Shëngjin, sepse njëri prej tyre do të martohej me një vajzë, por një mosmarrëveshje çoi në pengmarrje. Nga burimet zyrtare të organit të akuzës mësohet se Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Gjokë Gjinaj, i akuzuar se ka rrëmbyer dy shtetas malazezë, me qëllim marrjen e një shumë prej 20 mijë eurosh në këmbim të lirimit të tyre. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në Shëngjin, në fillim të muajit tetor të vitit 2013, kur dy shtetasit malazezë, Ivan B. dhe Momir Sh. kishin ardhur në Shqipëri për të takuar një grua shqiptare, me të cilën Ivani kishte menduar të njihej dhe të martohej. Por ky takim ka dështuar dhe i akuzuari Gjinaj, i cili është prezantuar si “vëllai” i gruas me të cilin kishin menduar të takoheshin, i rrëmbeu dhe kërkoi shumën e parave në këmbim të lirimit. Pas rrëmbimit fillestar, i pandehuri Gjonaj ka liruar fillimisht shtetasin Momir, duke i kërkuar që të shkonte në Mal të Zi dhe të kthehej me shumën prej 20 mijë eurosh në këmbim të lirisë së kunatit të tij, Ivan. Nga ana tjetër, Momiri, pasi shkon në Mal të Zi, njofton autoritetet policore atje për ngjarjen, të cilat vihen në kontakt me autoritetet shqiptare. Pasi u vonua kryerja e pagesës, i pandehuri, duke krijuar dyshimin se mund të ishin njoftuar autoritetet policore, e ka liruar edhe shtetasin Ivan, ndërkohë që është fshehur gjatë gjithë hetimit ndaj tij. Më 25 qershor 2015, policia ka arritur të arrestojë të pandehurin, i akuzuar për veprën penale “rrëmbim ose mbajtje peng e personit, në rrethanë lehtësuese” në bashkëpunim.

Takimi për martesë

Nga hetimet e kryera për këtë çështje ka rezultuar se tetorin e dy viteve më parë, Interpol Tirana ka marrë njoftim nga Interpol Podgorica për rrëmbimin e mundshëm të Ivan B. Sipas informacionit, Momir Sh., bashkë me kunatin e tij Ivan B., janë nisur për në Shqipëri, me qëllimin për të takuar një vajzë. Ata udhëtonin me mjetin “Volsvagen Golf” dhe kanë mbërritur në Hanin e Hotit rreth orës 09:00. Aty janë prezantuar me shtetasin Nikola B., i cili po i priste, pasi ky i fundit do t’i takonte me vajzën me të cilën supozohej që do të martohej. Pasi kanë udhëtuar disa kilometra, kanë marrë kthesën djathtas në drejtim të Shëngjinit. Siç njofton prokuroria, pas një distance të shkurtër janë ulur në një tavernë, vend në të cilin i priste një burrë, që u është prezantuar me emrin Edi. Së bashku me këtë të fundit ishte edhe një grua. Pasi ka qëndruar për disa momente, shtetasi Nikola B. është ngritur nga tavolina dhe është nisur për në Tiranë. Më pas në tavolinë kanë ardhur një burrë dhe një grua. Shtetasi Edi u ka thënë shtetasve Momir Sh. dhe Ivan B. se nuk është kjo vajza me të cilën do të martohej Ivani, por është një tjetër, rreth 22 vjeçe. Por Ivani i ka thënë Edit se ai nuk pranonte që të martohej me një vajzë kaq të re. Pas kësaj deklarate, shqiptarët janë revoltuar dhe ai që ishte prezantuar si vëllai i vajzës që do të martohej, e ka akuzuar atë se kishte si qëllim që t’i trafikonte motrën.

Pengmarrja

Prokuroria thotë se pas këtij momenti shqiptarët i kanë kapur me forcë malazezët dhe pasi i lidhën me pranga, i dërguan në një ndërtesë. Më pas vëllai i vajzës që do të martohej, i ka thënë shtetasit Edi që ta lironte Momirin, me kusht që të shkonte në Malin e Zi dhe të sillte 20 000 euro dhe vetëm atëherë do ta lironin Ivanin. Pasi Momiri, që u lirua nga pengmarrësit, kishte arritur në Malin e Zi, ka marrë një telefonate nga një numër celular. Ivan B. e pyeste nëse i kishte mbledhur paratë. Pas disa minutash, vëllai i shtetasit malazez Ivan B., ka marrë një telefonatë nga Ivani, ku i ka kërkuar që të mos njoftojë policinë dhe të sjellë sa më shpejt paratë. Pas disa orësh, meqë malazezët nuk i dispononin paratë, personat që mbanin peng shtetasin Ivan B. e kanë liruar këtë të fundit, me kusht që ai t’i dorëzonte për një periudhë prej një jave shumën prej 10 000 eurosh. Prokuroria thotë se është arritur të identifikohet shtetasi që ka përdorur numrin celular dhe ai është Gjokë Gjinaj.

 Gazeta Shqip