Haxhinasto priti ne takim Kryetarin e Komunës Ulqin, Fatmir Gjeka

July 3, 2015   | Lajmet / Vijesti, Politika

Dritan-Abazovic-Edmond-Haxhinasto-Fatmir-GjekaTIRANË, 2 Korrik/ATSH/- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, priti të enjten në një takim Kryetarin e Komunës Ulqin, Fatmir Gjeka. Në këtë takim u diskutua projekti i korridorit Adriatiko-Jonian dhe rëndësia e kalimit të tij sa më pranë zonës së Ulqinit, për të ndihmuar në aktivitetin ekonomik të kësaj zone.

Ministri Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin midis dy qeverive për realizimin e korridorit Adriatiko-Jonian. Për këtë projekt, të dyja vendet kanë ngritur një grup të përbashkët pune për të realizuar përcaktimin e gjurmës në territorin e dy vendeve.

U diskutua gjithashtu progresi për realizimin e rrugës së Podgoricë-Tamarë-Plavë e Guci, rrugë e cila u inspektua para pak javësh nga Ministrat e Infrastrukturës së të dy vendeve.

Gjatë këtij takimi, theksi u vu tek rëndësia që kanë këto dy projekte rrugore për zhvillimin ekonomik të banorëve shqiptarë dhe malazezë të zonave të Ulqinit, Shkodrës dhe zonave të tjera në dy anët e kufirit./a.gjonaj//m.m/

Agjencia Telegrafike Shqiptare