Meta takohet me Kryetarin Gjeka në panairin e librit në Ulqin – Video

July 28, 2015   | Lajmet / Vijesti, Politika

Ilir-Meta-ne-panairin-e-librit-Ulqin-2015Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta takohet me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka.
Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Meta vlerësoi angazhimin administratës së Komunës së Ulqinit për të forcuar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet midis Ulqinit edhe Shqipërisë.
“Dua të shpreh kënaqësinë e veçantë që jam në komunën e Ulqinit dhe të përshëndes kryetarin e komunës z. Fatmir Gjeka dhe gjithë ekipin tij për angazhimet që kanë për të forcuar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet midis Ulqinit edhe Shqipërisë, por edhe për ta shndërruar Ulqinin në një qendër të rëndësishme rajonale të kulturës, të komunikimit . Për ne të gjithë shqiptarët kudo ku jemi, Ulqini është një qytet mjaft i rëndësishëm dhe mjaft i dashur. Aq më tepër kur aktivitete të tilla si panairi i librit që po zhvillohet për të 15 vit rresht, është shndërruar në një institucion tashmë  jo vetë mbarë kombëtar, por edhe rajonal”, tha z. Meta.

Fatmir-Gjeka-Panairi-i-librit-Ulqin-2015
Kryetari i Kuvendit shprehu angazhimin institucioneve shqiptare për mbështetjen e Shqipërisë për Komunën e Ulqinit dhe për shqiptarët që jetojnë atje, ndërsa bëri të ditur dhe nismën për të dhënë abetare për fëmijët që ndjekin gjuhën shqipe.
“Në këtë drejtim do të shpreh kënaqësinë që siç e tha edhe kryetari i komunës, për herë të parë në këtë shtator, fëmijët e Ulqinit do të mësojnë abetaren e njehsuar mbarë kombëtare që do të jete vazhdimisht një mbështetje nga Shqipëria. Në këtë mënyrë jam i bindur se ne do të ecim në rrugën e rritjes së bashkëpunimit dhe jo vetëm në fushën e arsimit, në fushën e kulturës që janë mjaft esenciale dhe bazike, por edhe patjetër në rrugën e përmirësimit të mëtejshëm të infrastrukturës dhe të komunikimit që lidh Ulqinin dhe këtë pjesë të Malit të zi me Shqipërinë dhe të rritjes së bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe në fushën e turizmit”, tha z. Meta.

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro theksoi se në shtator do të ketë edhe një nismë të re në fushën e kulturës me qëllim që modelin e kalendarit kulturor Shqipëri- Kosovë të shtrihet edhe në trevat e tjera.
“Është vërtet kënaqësi që jemi këtu dhe më lejoni të theksoj se nëse jemi të gjithë bashkë, ku dje kishim dhe Ministri i Kulturës së Kosovës, është pikërisht kultura ajo që na ftoi të gjithëve në Ulqin në kuadrin e panairit të librit. Por jo vetëm kaq. Kam kënaqësinë që të ndaj me publikun dhe nismën e re përveç abetares mbarëkombëtare në shtator edhe punën që nismë për hartimin një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës me qëllim që modelin shumë të suksesshëm të kalendarit kulturor Shqipëri- Kosovë ta shtrijmë edhe në trevat e tjera  ku kultura në gjuhën shqipe integrohet jo vetëm me atë rajonale, por edhe më gjerë me një kulturë integruese drejt Europës. Kjo është aspirata jonë e përbashkët dhe kultura është rruga më e sigurt”, theksoi znj. Kumbaro. .
Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka vlerësoi vizitën e Kryetarit të Kuvendit, ndërsa shtoi se është gjetur gatishmëria për të realizuar disa kërkesave lidhur me çështjet kulturore dhe të infrastrukturës.
“Komuna jonë ka kënaqësinë të presë Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, znj. Kumbaro Ministre e Kulturës dhe deputetë të cilët kanë qenë pjesë e delegacionit i cili ka qenë në Ulqin këto ditë. Kemi qenë mjaft të nderuar që kemi pasur prezent në hapjen e panairit të librit në edicionin  15 Kryetarin e Kuvendit dhe Ministren e Kulturës. Sot kemi diskutuar për shumë  tema, tema të cilat për ne për shqiptarët në Mal të Zi janë të njohura, sa i përket çështjeve të arsimit, të infrastrukturës, të lidhjeve me shtetin amë, për regjistrimin e studentëve etj. Kemi gjetur gatishmërinë sa i përket të gjitha këtyre kërkesave tona dhe për çështjet tona kulturore, për infrastrukturë për lidhjen e Malit të Zi me Shqipërinë. Në të ardhmen do të vijojmë dhe gjatë gjithë vitit që këto projekte, të cilat janë të përbashkëta, qofshin në kulturë, në arsim dhe në sferat e tjera t’i jetësojmë dhe t’i bëjmë sa më të mira për ne shqiptarët këtu në Mal të Zi”, tha z. Gjeka.

Ministar-Pavle-Goranovic-Sajam-knjiga-Ulcinj
Edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, z. Genci Nimanbegu, vlerësoi vizitën e z. Meta në Ulqin, ndërsa tha se në takimin e zhvilluar u shpreh gatishmëria që Kuvendi i Shqipërisë të ndihmojë për çdo problem sa i përket kuvendit të komunave të Ulqinit.
“Pata kënaqësinë që në emër të Kuvendit të komunave të Ulqinit të kemi mysafir Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë. Qëllimi  i diskutimeve ishte shkëmbimin e përvojës nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, një Kuvend i cili ka një traditë 100 vjeçare. Kështu që u shpreh gatishmëria që Kuvendi i Shqipërisë të ndihmojë për çdo problem sa i përket kuvendit të komunave të Ulqinit dhe kemi pasur një përvojë shumë të mirë gjatë këtyre dy ditëve që kemi pasur me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta”, theksoi z. Nimanbegu.

Burimi: Kuvendi i Shqiperisë