Kalimera Poetike: Ulqini, tempull i veçantë i fjalës së shkruar

July 30, 2015   | Shtypi / Mediji

Kalimera-Poetike-Ali-Salaj-UlqinAli Salaj

Manifestimi tradicional “Kalimera Poetike” krijoi një mundësi të re komunikimi mes lexuesit dhe shkrimtarit, duke shënuar një ndërlidhje gjithëpërfshirëse ku libri dhe autori bëhen zemrek të promocionit dhe të vlerave kulturore e artistike.

Përgjatë 23 viteve, në “Kalimerën Poetike” parakaluan shumë shkrimtarë, poetë dhe kritikë letrarë të njohur në hapësirën kombëtare dhe rajonale, duke e shndërruar kështu Ulqinin në një tempull të veçantë të fjalës së shkruar. Jo se ky qytet nuk kishte ndonjë traditë, por aksidentalisht Ulqini mbeti në një zonë të harruar ku si pasojë e sistemit politik letërsia e mirëfilltë në gjuhën amtare ishte e anatemuar. Në qytetin me thellësitë vertikale të lashtësisë u ngatërrua koha e shkrimit me kohën e mbijetimit. Kështu u harrua dhe u hesht përjetimi epik i të qenit pasardhës i Buzukut, Fishtës e Martin Camajt. Çdo gjë e mirëfilltë kulturore u izolua, u tjetërsua dhe u shemb. U deshën përpjekje të jashtëzakonshme që Ulqinit dhe në përgjithësi shqiptarëve në Mal të Zi t’u kthehen vlerat kulturore në formën e Art Festival-it, duke i konkurruar qendrat kulturore në rajon.

Gjatë këtyre viteve, ngadalë por sigurt, libri u bë gur themeltar për prezantimin, promovimin dhe marketingun e kulturës kombëtare dhe rajonale. “Kalimera Poetike” dhe në përgjithësi veprimtaria e “Art Club”-it ka ndikuar që për herë të parë një rrugë e rëndësishme e qytetit t’i lëshohet poetit, siç i është lëshuar këto ditë Ali Podrimjes një rrugë e bukur që mban emrin e tij. Këtu edhe qëndron bukuria e artit të fjalës, e cila me fuqinë e vet e rikthen qytetërimin duke ndryshuar shumëçka në kulturën e një qyteti dhe në traditën e një populli.