Një rrëfim për kohën – Hip se t’ vrava , zhdrip se t’ preva?!

August 25, 2015   | Opinione

Fadil-Kroma-UlqinFADIL KROMA:

Një rrëfim për kohën – Hip se t’ vrava , zhdrip se t’ preva?!

Fadili ishte përsoni numër një dhe sinonim i kulturës së qytetit të Ulqinit, për 36 vite pune radhazi si drejtor i bibliotekës së qytetit të Ulqinit( para shekullit të informacionit- internetit). Atij i ra të ishte misionari i parë që vuri kontaktet kulturore të Ulqinit me shtetin amë , por për këtë i ranë për hise edhe shumë kokëçarje për të cilat rrëfen  në librin e tij, të përgatitur për shtyp dhe fragmentet e të cilit po e sjellim në 3 vazhdime.

Akuzat kryesore që binin mbi te lidhen me pranimin e një kontigjent librash nga Shqipëria , të arritura në adresë të bibliotekës së qytetit, duke qenë –TË PA POROSITURA…?!!!

Rrëfimin ai pastaj e vazhdon me atë çfarë i ndodhi e që nuk e priste: – PAS KTHIMIT NGA VIZITA NË SHQIPËRI TË NJË DELEGACIONI KULTUROR DHE MARRJA NË BISEDA INFORMATIVE NË POLICI …?!

 

“…Shtëpia e Kulturës së Tiranës, i kishte nisur thirrje BVI-së, për kulturë më 16.05.1972, që një grup i punëtorëve të kulturës së Ulqinit të jenë mysafirë të Shtëpisë së Kulturës nga Tirana. Pasi unë isha kryetar i BVI-së për kulturë , u konsultova për këtë çështje me ministrin e atëhershëm të kulturës Vlladimir Popoviq – Tushën. Dhe tjetër, gjithashtu shtoj se, pas mbajtjes së mbledhjes së KE të BVI-së për kulturë , u përcaktuan edhe emrat e delegacionit që do të shkonte në vizitë Shtëpisë së Kulturës në Tiranë. Ata sipas vendimit do të ishin: Prof. Bajram Rexha nga Ulqini, Xhemal Ficiq-si drejtor i filmit dhe Fadil Kroma si drejtor i Bibliotekës, bashkë me dy përfaqësues të ministrisë së kulturës nga Mali i Zi. Kështu pasi u bënë përgatitjet e duhura grupi ynë u nis për vizitë , më 25.07. 1972..

Kur arritëm në pikën kufitare”Hani i Hoti” u vërtetuam se Shtëpia e Kulturës nga Tirana , kish siguruar një makinë enkas për grupin tonë . Dhe kështu na përcollën përmes Shkodrës duke na çuar drejtë e në Durrës . Atje na vendosën në hotelin “Dajti” kurse pritja ishte jashtëzakonisht e mirë. Në Shqipëri qëndruam 8 ditë dhe gjatë kësaj kohe vizituam Shtëpinë e Kulturës në Tiranë, qytetin e Durrësit, Krujën, Gjirokastrën e në të kthyer kishim vizituar edhe qytetin e Shkodrës. Para nisjes në vizitë , ministri i kulturës, më kishte ngarkuar mua të isha kryetar i grupit , kurse e gjithë kjo më lejonte të isha i privilegjuar dhe t’i ftoj ata si mysafirë në Ulqini dhe të Malit të Zi. Me këtë rast – para se të ndaheshim , u thashë se nuk do të kish qenë keq që në kuadër të vizitës që do bënin tek ne, grupi të merrte edhe ndonjë shoqatë kulturore dhe artistike nga qytetet e Shqipërisë , të cilën ata e mendoni se to të kish qenë më e suksesshme.

Me tu kthyer nga Shqipëria , pas disa ditësh, përsëri pata vizituar ministrin e kulturës Popoviq,  të cilin e njoftova për pritjen e përzemërt që na ishte bërë atje, duke shtuar se atje patëm rastin dhe kishim vizituar objekte të trashëgimisë kulturore e në fund gjithashtu i pata komentuar që në emër të tij i kisha ftuar në vizitë. Ai për këtë dukej se ishte i kënaqur edhe pse më parë ishte i njoftuar për rrjedhat e vizitës nga përfaqësuesit e kësaj ministrie që ishin pjesë e delegacionit kulturor.

Por përveç gjithë kësaj që u tha ndodhën edhe ca gjëra fare të pabesueshme dhe të pa pritura për mua që më sollën kokëçarje e telashe. Dhe për çudinë time të madhe – pas disa ditëve ,deri sa isha në një mbledhje të kryetari i Komunës së Ulqinit, ai në bisedë e sipër më tha , që gjoja ne përfaqësuesit nga Ulqini , kishim biseduar me përfaqësuesit e Shqipërisë nën prezencën e flamurit shqiptar dhe atij jugosllav..?! Kuptohet se unë e njoftova kryetarin që kjo, e cila thuhet, ishte thjeshtë një dezinformatë , që nuk kishte fare të bënte me realitetin dhe që mua përsëri dikush po tentonte të më etiketojë…?! Kurse pas kësaj isha i ftuar edhe në organet e sigurimit gjoja për të vërtetuar informatën që kish kryetari i komunës.

(Vazhdon…)

Përzgjodhi dhe përgatiti Muhamet Nika