Vlerësim për Cafo Bogën – Presidenti Nishani vlerëson Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve

October 8, 2015   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža
Vlerësim për Cafo Bogën – Presidenti Nishani vlerëson Fondin Shqiptaro-AmerikanTiranë me, 5 tetor 2015
Me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, në një ceremoni solemne të mbajtur sot në praninë e kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Michael Granoff, anëtarëve të Bordit, si dhe  autoriteteve të larta të qeverisë shqiptare etj., Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Për ndihmesën e jashtëzakonshme e të sprovuar ndaj popullit e demokracisë shqiptare, duke kontribuar veçanërisht në forcimin e institucioneve, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, konsolidimin e shoqërisë demokratike në vendin tonë, si dhe mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën “Shengen”. Për rritjen e imazhit të vendit tonë në botë; zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve të gjithanëshme e strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe farkëtimin e lidhjeve historike e miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.
Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu edhe personalitete të njohura, anëtarë të bordit drejtues të Fondit, Dianne Blane, Cafo Boga, Douglas Carlston, James Duffy, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së pareshtur e punës së palodhur për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, si dhe kontributin e vyer dhënë për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë”.
Me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të tij të rëndësishëm dhe punës së vyer për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të sektorit privat në vendin tonë, si dhe për drejtimin vizionar shumëvjeçar të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit” Kreu i Shtetit dekoroi përfaqësuesit dhe drejtuesit shqiptarë të Fondit, Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti vlerësoi kontributin dhe rezultatet që Fondi, anëtarët e Bordit dhe punonjësit e tij kanë arritur në periudhën e gjatë prej dy dekadash të zhvillimit demokratik të vendit tonë: “Unë besoj se sot, si dhe në ditët në vijim është koha dhe çasti i duhur e i përshtatshëm të flasim pikërisht për suksesin! Dhe në veçanti për suksesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve që tashmë po mbush 20 vjet në Shqipëri! Për suksesin edhe të Fondacionit për Zhvillim që po funksionon më së miri prej disa vitesh në hapësirën shqiptare, dhe i cili po ashtu, në gjurmët e pashlyeshme dhe traditën e mirë të Fondit vijon të japë një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë, sidomos në arsimin dhe promovimin e brezave të rinj të udhëheqësve të ardhshëm në të gjitha fushat. Gjithashtu për suksesin e politikës dhe institucioneve shqiptare në tërësi që kanë përqafuar dhe mbështetur këtë model të zhvillimit transformues amerikan në disa fusha strategjike të Shqipërisë!”
Më tej Presidenti i Republikës u shpreh në fjalën e tij se: “Pa hezitim atë mund ta quajmë ‘dallëndyshen e parë’ në hapësirën e tregut dhe të shoqërisë së lirë shqiptare, sepse ai përfaqëson simbolin e një realiteti të cilin shqiptarët e kishin ëndërruar, por nuk e kishin pasur kurrë: atë të ekonomisë së lirë. Në një periudhë prej 20 vitesh, kapitali fillestar prej 30 milion dollarësh ka gjeneruar një vlerë rreth 300 milionë dollarë, duke u bërë kështu ndoshta më i suksesshmi ndër fondet simotra në vendet e tjera. Fondi ka investuar në një gamë të gjerë biznesesh në më shumë se 40 shoqëri, duke krijuar mbi 7.000 vende pune dhe duke kontribuar në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë me mbi 2 miliardë dollarë. Investimet e Fondit kanë tërhequr investime të huaja direkte në masën 300 milion dollarë.”
Presidenti përmendi investimet e suksesshme strategjike të kryera në sektorin bankar, në Bankën Amerikane të Shqipërisë, në sektorin e transportit përmes investimit në Aeroportin “Nënë Tereza”, në fushën e sigurimeve përmes investimit në Kompaninë SIGAL, apo dhe në vitet e fundit në Qendrën Tregtare “Tirana East Gate”, duke i konsideruar ato si “modele biznesi të suksesshme, njerëzore dhe transparente.”
“Në përvojën time të kaluar, atë të Ministrit të Brendshëm, kam pasur mundësinë të bashkëpunoj ngushtësisht me Fondin në njërën prej sipërmarrjeve më sfiduese: atë të prodhimit të letërnjoftimeve elektronike dhe të pasaportave biometrike. Sot, mbi 75% e popullsisë shqiptare kanë pasaporta biometrike të prodhuara nga shoqëria ALEAT dhe 99% e qytetarëve në moshën e lejuar kanë sot letërnjoftime. Ai projekt shënoi një gur kilometrik në përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e institucioneve demokratike, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe mundësimin e lëvizjes e lirë të qytetarëve të Shqipërisë në mbarë Evropën.”- veçoi Kreu i Shtetit në vazhdim të fjalës së mbajtur me këtë rast.
Një falënderim dhe nderim i veçantë institucional dhe personal, Presidenti Nishani shprehu edhe për anëtarët e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve duke i cilësuar: “Këta qytetarë të mirë të aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët përgjatë këtyre dy dekadave mund të ishin shpallur me plot të drejtë edhe qytetarë besnikë e të denjë të Republikës së Shqipërisë!”
Vlerësim dhe mirënjohje morën prej Kreut të Shtetit edhe përfaqësuesit dhe drejtuesit shqiptarë të Fondit, “të cilët me kontributin e tyre të përkushtuar e të pamohueshëm kanë provuar se edhe në Shqipëri mund të krijohen ekipe e të shpalosen modele që do të ishin të denja për t’u ndjekur me përpikëri nga çdo vend i zhvilluar.”
Në mbyllje të fjalës, Presidenti Nishani i përcolli në mënyrë të veçantë dhe solemne Zëvendësambasadorit amerikan në Tiranë: “Mirënjohjen, falënderimet më të thella dhe të ndiera për Presidentin Klinton, qeverinë dhe shtetin amerikan, të cilët përgjatë gjithë këtyre viteve vijojnë të qëndrojnë fort pranë nesh, me një dashuri dhe mbështetje emocionuese për Shqipërinë!” /president.al/