SOCAR, studim fizibiliteti në Mal të Zi e Shqipëri

November 2, 2015   | Ekonomia / Ekonomija

SOCAR-internationalKompania azere SOCAR, e cila ka një peshë të konsiderueshme dhe një rol kryesor në shpërndarjen e gazit në Evropë, tashmë po prek tregje të reja.

Presidenti i kompanisë, Rovnag Abdullayev ka lajmëruar se kompania është e interesuar për gazifikimin edhe të Malit të Zi, në Evropën Juglindore.

Ndërkaq, ai lajmëroi se projekti i shpërndarjes së gazit në Shqipëri po vijon, ndërsa po merr në konsideratë edhe interesin e shprehur nga pala malazeze.

Kreu i SOCAR njoftoi se plani i rradhës është ai i kryerjes së një studimi fizibiliteti në të dy këto shtete (Shqipëri dhe Malin e Zi), gjë e cila do të ishte me interes dhe përfitim për të dy palët.

Gazi azer do të mbërrijë në Evropë në fund të kësaj dekade, përmes Korridorit të Jugut, me të cilin do të mbarten miliardë metër kubik gaz nga fusha Shah Deniz II, e cila konsideohet fusha më e madhe në botë e rezervave të gazit (mbi 1.2 mld metër kubik).

Ndërkaq, ekspertët azer shkruajnë se duke marrë parasysh mungesën e infrastrukturës së gazit në Malin e Zi dhe Shqipëri, SOCAR ka një mundësi të mirë që të investojë në këtë fushë, sidomos me shtrirjen e aktivitetit të tij në këto shtete, si tregje të reja. Shqipëria, sipas ekspertëve, me të cilën SOCAR nënshkroi marrëveshjen në 2014, duket se është vendi i parë ku do të nisin punimet shumë shpejt.

MONITOR