Shkreli: Profili i një analisti të shquar shqiptaro-amerikan “Nderi i Kombit”

November 3, 2015   | Bota

Foto e Louis (Luigj) Zanga, në krah të majt të Presidentit NishaniNga Frank Shkreli 

Gjatë jetës dhe karierës, njeriu takon ose për fat të mirë ndodhë që punon me njerëz të cilët, me sjelljet e tyre njerëzore dhe me aftësitë e tyre profesionale, lënë mbresa të përjetëshme dhe të paharrueshme. Unë për veten kam pasë fatin dhe rastet e mira që të kem njohur dhe punuar me disa prej gazetarëve dhe analistëve më të shquar shqiptarë jo vetëm në mërgim, por edhe më gjërë, nga të cilët jam munduar të mësoj prej tyre, përveç vlerave njerëzore dhe shoqërore që ata posedonin, edhe ushtrimin e  profesionit të gazetarisë.  Njëri prej këtyre analistëve, të cilin kam pasë fatin jo vetëm ta njihja gjatë pothuaj disa dekadave të fundit, por edhe të punoja me ‘të fillimisht në Zërin e Amerikës, në fillimin e 1970-ave.  Ai është Louis (Luigj) Zanga, një profesionist tepër modest gjithë jetën dhe karierën e tij, por njëri prej me të shquarve politologë, komentatorë dhe analistë të problemve shqiptare për pothuaj një gjysëm shekulli në SHBA dhe në Europë, fillimisht siç thashë me VOA-n shqip në Washington, ndonëse pjesën më të madhe  të veprimtarisë së tij Zanga e ka zhvilluar pranë Institutit të Kërkimeve të Radios Europa e Lirë, në Munchen të Gjermanisë.

 

Radio Europa e Lirë nuk kishte radio transmetime në gjuhën shqipe gjatë Luftës së Ftoftë, por Louis Zanga mbushte një boshllëk informacioni që ekzistonte në atë kohë mbi gjëndjen në Shqipërinë komuniste dhe në mbarë trojet shqiptare, përfshirë edhe gjëndjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës që sa vinte e keqësohej gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar.  Analizat dhe komentet e tija ishin në anglisht dhe mund të përktheheshin dhe përdoreshin edhe për transmetim, por qëllimi kryesor ishte që me anë të tyre të njoftohej bota anglisht- folëse dhe më gjërë se çfarë po ndodhte me fatin e shqiptarëve në Ballkan gjatë sundimit komunist, një periudhe kur të drejtat e njeriut të shqiptarëve shkeleshin më keq se pothuaj kudo tjetër në botë.  Lou Zanga, me raportet dhe analizat e tija, ishte si një dritare e vogël informacioni, sidomos për botën amerikane dhe europiane, mbi ngjarjet që po ndodhënin në Shqipërinë e mbyllur dhe të vet-izoluar komuniste. Analizat e tija përhapeshin dhe ishin si të thuash lexim i detyrueshëm për të gjithë ata që, në atë kohë merreshin ose që ishin përgjegjës për çështjet shqiptare, jo vetëm në qarqet më të larta të qeverisë amerikane në Washington, por edhe në universitetet dhe qëndrat e ndryshme akademike të Amerikës që merreshin me studimin e çështjeve të Europës Lindore komuniste gjatë luftës së ftohtë.  Lou Znaga i përgatiste analizat e tija, bazuar në monitorimin e burimeve të mbrendshme të lajmeve dhe  informacionit si dhe në materialet nga agjencitë përendimore të lajmeve, por edhe nga përkthimet e Shërbimit Informativ të Transmetimeve të Huaja FBIS).  Louis Zanga ishte pjesë e një strukture administrative të Radios Europa e Lirë, përgjegjëse për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, ndërkohë që mbulonte edhe subjekte të çështjeve ballkanike.  Zanga kishte filluar të punonte si analist  kërkimesh të çështjeve shqiptare në Radion Europa e Lirë në vitin 1961 dhe më vonë ka qenë gjithashtu përgjegjës për mirëmbajtjen e arkivave me materiale mbi Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Raportet dhe studimet e Louis Zangës dhe të kolegëve të tij ishin të shumëta. Ato tek lexuesit, gëzonin një reputacion të lartë gazetaresk dhe akademik, për nga niveli i lartë informativ dhe i paanshëm i artikujve dhe analizave të tija, pothuaj me një përpikmëri profetike të analizës mbi çka mund të ndodhte në të ardhmen, I mbështetur në njohjen e thellë që ai kishte.

 

Sa për ilustrim, në një prej raporteve të tija, Louis Zanga komenton fjalimin e Enver Hoxhës në Shkodër më 24 tetor 1979 pas tërmetit që goditi atë anë, fjalim të cilin analisti Zanga e cilëson si të ngarkuar me motive propagandistike, por në të cilin udhëheqsi komunist preku, përveç çështjeve të mbrendshme edhe çështje të politikës së jashtëme.  Zanga komentonte fjalimin e udhëheqsit komunist shqiptar dhe vinte në përfundimin e saktë dhe paralajmërues se, “Fjalimi i fundit i Enver Hoxhës është një shembëll tjetër i ashpërsisë dhe vështirsive që kanë karakterizuar udhëheqjen komuniste shqiptare të 35-viteve të kaluara. Fjalimi tregon gjithashtu qartë se për derisa Hoxha është gjallë, vendi nuk do të ndryshojë, por do të marshojë përpara duke u bazuar në një platformë qëndrimesh të pa komprometueshme”, të politikës së mbrendshme dhe të jashtëme, parashikonte Zanga.

 

Ndërsa në një raport të datës 12 Korrik, 1982 mbi gjëndjen politike në Kosovë, komentatori Zanga analizon një intervistë të Kryetarit të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Sinan Hasanit dhënë gazetës Rilindja, mbi gjëndjen politike në Kosovë.  Zanga kritikon fjalimin dhe arrinë në përfundimin se, “Ajo që përshkruhet tani si një atmosferë e qetë e gjëndjes në Kosovë nuk është aspak e tillë dhe prova më e mirë për këtë është intervista e Sinan Hasanit mbi gjëndjen e “normalizuar” të situatës në krahinë. Ai e dha intervistën disa ditë para se të mbahej Kongresi i 12-të i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Mirëpo, nuk ka aspak gjasë që punimet  ose rezolutat e Kongresit të përmirësojnë gjëndjen e shqiptarëve në atë krahinë, sepse në kongresin e lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, u mbajtën fjalime të gjata plotë retorikë por që në fund të fundit nuk parashikonin asnjë zgjidhje praktike të problemeve të Kosovës”, e përfundonte Zanga komentin e tij mbi gjëndjen në Kosovën e vitit 1982.

 

Parashikime të sakta nga një analistë i regjur mirë në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit, kur njeriu u hedh një vështrim ngjarjeve të dekadës së 80-ave dhe më vonë. Ashtu siç parashikonte Zanga, Shqipëria ishte vendi i fundit komunist që   hoqi dorë nga qëndrimet e saja staliniste, vetëm e vetëm se pse komunizmi u shëmb në pjesën tjetër të Europës dhe në Kosovë, ashtu siç komentone analisti Louis Zanga, problemi i shqiptarëve atje, jo vetëm që nuk u përmirësua por erdhi duke u keqësuar gjithnjë e më shumë. Ishin analizat si këto që lexoheshin dhe vlersoheshin shumë nga lexuesit dhe ekspertët e ëçshtjeve shqiptare.

 

Analistët shqiptaro-amerikanë në qeverinë amerikane dhe në botën akademike në SHBA në atë kohë, mund të numëroheshin me gishtat e një dore dhe Louis Zanga zë një vend të merituar ndër më të dalluarit, për analizat dhe komentet e tija mbi çështjet shqiptare dhe ballkanike. Për këtë arrijtje dhe për punën e tij të gjat[ në këtë fushë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani me plot të drejtë dhe arsye i akordoi muajin që kaloi, analistit dhe komentatorit të shquar shqiptaro-amerikan, Louis Zanga dekoratën “Nderi i Kombit” me këtë motivacion:

 

“Në vlerësim të veprimtarisë së vyer dhe kontributit të tij të çmuar atdhetar prej gati gjysmëshekulli në shërbim të përhapjes dhe konsolidimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë anembanë botës, veçanërisht në luftën e paepur dhe pa kompromis kundër diktaturës komuniste në Shqipëri”.

 

Në fjalimin e tij me këtë rast, Presidenti Nishani, pasi përmendi shërbimin ushtarak të Z. Zanga në luftën e Koresë, me këthimin e tij në Shtetet e Bashkuara, presidenti shqiptar tha se ai, “zgjodhi një armë tjetër për të vazhduar përpjekjet në luftën e tij për liri e demokraci – ai mori penën në dorë – arma e preferuar e intelektualit dhe filloi të punonte për Zërin e Amerikës, në atë medium të dashur dhe shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët, ç’prej viteve të 1950-ave të shekullit të kaluar.” Media të tilla, si Zëri i Amerikës, BBC-ja, Radio Vatikani dhe Radio Europa e Lirë dhe individët që kanë punuar aty, shtoi Presdienti Nishani, “kanë patur një ndikim më të madh se kushdo dhe çdo gjë tjetër në mbajtjen gjallë të vlerave më të dalluara kombëtare, në rivendosjen e demokracisë të fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit.” Duke i dorëzuar dekoratën, “Nderi i Kombit”, udhëheqsi shqiptar u shpreh se Louis Zanga nuk harroi kurrë se nga vinte dhe kush ishte –“Një shqiptar i vërtetë, zemëra e të cilit rrah me emocion çdoherë që përmendet Shqipëria”, dhe theksoi se Z. Zanga “na bën të gjithëve të ndihemi krenarë të jemi bashkatdhetarë të tij”.

 

Ish drejtori i Radios Europa e Lirë, George Urban në librin e tij, “Radio Europa e Lirë dhe përpjekjet për demokraci”, ka shkruar se “Për të kuptuar arsyet se pse ndodhin disa gjëra në jetë është me rëndësi, por nuk mjafton”. Ai citon Karl Marksin i cili ka thënë se “ne duhet të bëjmë diçka edhe në lidhje me arsyet se pse gjërat ndodhin ashtu siç ndodhin”. Karl Marksi, shkruan Z. Urban, bëri një gjë të tillë, ai shpjegoi mbi arsyet sepse gjërat ndodhnin ashtu siç ndodhnin, dhe siguroi një fitore nepërmjet Leninit. Por ish-drejtori i Radios Europa e Lirë, shprehet se, “Edhe ne në Perëndim bëmë diçka në lidhje me arsyet se pse gjërat ndodhnin ashtu siç ndodhën gjatë Luftës së Ftohtë, dhe si përfundim shënuam një fitore kundër ideologjisë së Marksit dhe Leninit.”

 

Për pothuaj një gjysëm shekulli, Louis Zanga ishte pjesë e këtyre përpjekjeve për të zbuluar se pse ndodhën gjëra ashtu siç kishin ndodhur në Shqipëri dhe në Europën Lindore gjatë sundimit komunist dhe ç’mund të bëhej — nga pikpamja e perëndimit — për të ndryshuar situatën. Lou Zanga, jam i sigurt, e ndjenë veten krenar që ishte pjesë e këtyre përpjekjeve perëndimore për të zbuluar arsyet dhe ç’mund të bëhej për të ndryshuar situatën për më mirë. Dhe më në fund, tashti në pension, jam i sigurt se si përfundim i përpjekjeve dhe përkushtimit të tij personal dhe kolegëve, Louis Zanga e ndjenë veten me fat se ishte dëshmitarë i fitores mbi diktaturën komuniste, në rrugën e gjatë dhe të vështirë të konsolidimit të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë – realizimit të këtyre objektivave, që me mend e penë dhe profesionalizëm të lartë, ia kushtoi gjithë jetën.

 

Frank Shkreli