Salaj: Mediat e rajonit nën trysninë e politikës dhe shtetit

November 12, 2015   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Shtypi-i-lire-Ali Salaj/ Bruksel

Konferencën e tretë mbi lirinë e mediave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, ku morën pjesë personalitete të mediave nga rajoni dhe Turqia, zyrtarë të vendeve përkatëse, përfaqësues të BE-së, e hapi komisioneri për Zgjerim të BE-së, Johanes Han, duke theksuar se prania në numër sinjalizon rëndësinë dhe kujdesin që i duhet kushtuar kësaj fushe.

Han tha se Komisioni Evropian ka një përqasje të përgjithshme në rajon, duke nënvizuar se vendet aspirante duhet të angazhohen seriozisht në këtë drejtim, pasi negociatat përfshijnë edhe sektorin e medias.

“E them këtë pasi përflitet nganjëherë se BE ka humbur interesin per mediat në këto vende. Përkeqësimi i mediave përkeqëson edhe integrimin e atij vendi në BE. Liria e medias është shtylla kryesore e një vendi dhe kanosja ndaj gazetarëve paraqet një kufizimin të lirisë së shprehjes”, tha Johanes Han.

Ai tha se gazetaria partizane nuk ndihmon asnjë shtet që të integrohet në BE. Përkundrazi këto shtete duhet bërë përpjekje më të mëdha për pavarësinë e mediave. Situata aktuale tregon se në disa vende, mediat po përkeqësohen dhe disa qeveri me trysnitë e ndryshme ndaj gazetarëve çojnë drejt censurës dhe autocensurës.

“Për këtë arsye, së shpejti Komisioni Evropian do të përpilojë pakon për veprimtarinë e mediave, duke kërkuar nga këto shtete përmbushjen e standardeve evropiane për mediat dhe kjo kërkesë mbetet çështje e panegociushme dhe kapitujt që përfshijnë mediat do të jenë të fundit që do të mbyllen me shtetet negociuese”, tha Johanes Han.

Ndërkaq, nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, vuri në dukje domosdoshmërinë e respektimit të pluralizmit të mediave.

“Liria e shprehjes dhe e mediave është një nga gurët themelorë për demokracinë e çdo shteti. Liria e shprehjes fillon me lirinë e të menduarit. Pa lirinë e shprehjes dhe pa transparencën e mediave, asgjë nuk funksionon. Mediat janë një nga shtyllat e demokracisë dhe ne si politikanë duhet ta durojmë kritikën sepse kjo është pjesë e punës së mediave. Kjo konferencë më pëlqen sepse ka një moto të fuqishme, ku thotë NGRITE ZËRIN. Ngritja e zërit është në thelb të gazetarisë dhe ne e mbështesim me çdo gjë lirinë e mediave“, tha Lunaçek.

Komisioneri Nils Mulzhnieks u përqendrua te gjendja e lirisë së mediave në Turqi dhe në Ballkanin Perëndimor e cila, sipas tij, është mjaft shqetësuese.

“Në Serbi dhe në Mal të Zi hetohet dhuna dhe kërcënimi ndaj gazetarëve dhe mediave. Është detyrim i çdo vendi që ta çojë përpara lirinë e mediave. Që progresi të jetë i qëndrueshëm, pushteti duhet të jetë i përmbajtur ndaj mediave”, theksoi ai.

Në sesionet e veçanta që u mbajtën në këtë konferencë u fol për përgjegjësinë e autoriteteve zyrtare në rregullimin e mjedisit ku do të funksiononin mediat, si në Turqi ashtu edhe në vendet e rajonit (Serbi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë).

Yavuz Baydar, themelues i gazetës “Punto 24” në Stamboll, vuri në pah dhunën ndaj gazetarëve, posaçërisht në zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Turqi, ku shumë gazetarë u dhunuan dhe u burgosën, kurse disa media të njohura u ndaluan.

Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN-it për Kosovën, foli për peripecitë që kjo agjenci po i kalon si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri dhe Kosovë gjatë hulumtimeve në privatizimet e dyshimta, ku janë të përfshirë politikanët më të lartë të këtyre vendeve.

Ndërkaq kryetari i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), Vukashin Obradoviq, tha se informimi në Serbi është kthyer si në kohën e Millosheviqit, ku kontrollohet nga politika dhe mafia duke e ngulfatur totalisht lirinë e shprehjes. Obradoviq i quajti ato “mbeturina të mediave”. Kurse drejtori i Institutit Shqiptar të Medias, Remzi Lani, i cili ishte edhe moderator i një sesioni, paraqiti gjendjen e mediave në Shqipëri, ku sipas tij “ka shumë digjitalizime të kanaleve, por fare pak diversitet në to. Në media dominon ligji i xhunglës dhe depërtimi i kapitalit të dyshimtë.”

Ai e mori si një shembull të keq faktin që roli i gazetarëve gjithnjë e më shumë po zëvendësohet nga politikanët, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

Po ashtu në këtë konferencë u fol edhe për gjendjen e vështirë të gazetarëve shqiptarë në Maqedoni dhe për dhunën e ushtruar ndaj tyre .

Një qasje shumë interesante mbi lirinë e mediave paraqiti Aidan White, drejtor i Gazetarisë Etike në Londër, i cili theksoi Kodin Vullnetar të Etikës, ku përfshihen disa elemente të domosdoshme për një gazetari si saktësia, pavarësia, paanshmëria, humanizmi dhe transparenca.

“Këto elemente duhet të jenë parësore për të nxitur lirinë dhe besueshmërinë e informacionit, sidomos sot kur interneti ka ndryshuar gjithçka”, tha White.

E iniciuar nga ish komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, në vitin 2011, kjo konferencë organizohet çdo dy vjet. Të ftuarit e panelit kryesor u shprehën për përkeqësimin e situatës në mediat e vendeve të zgjerimit e sidomos në Turqi. Prandaj u kërkua që përfundimet nga kjo konferencë t’u dërgohen qeverive të vendeve aspirante për anëtarësim në BE.

Konferenca e radhës pritet të mbahet në një prej vendeve të Ballkanit gjatë vitit 2017.