Policia e Shkodrës hedh dritë mbi krimin e ndodhur në Ulqin

November 12, 2015   | Shtypi / Mediji

Policia-ilustrimEfektivët e policisë së Shkodrës kanë mundur të hedhin dritë mbi një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur më 14 shtator të këtij viti në Ulqin të Malit të Zi, ku një shtetase u vodh me dhunë, duke i shkaktuar asaj vdekjen.

Si pasojë e këtij aksioni të zhvilluar mbi bazën e materialeve hetimore të ardhura nga shteti fqinj i Malit të Zi dhe pas procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, janë arrestuar 3 persona, të gjithë të akuzuar për veprën penale “vjedhje me dhunë, me pasojë vdekjen”.

Të arrestuar kanë përfunduar shtetasi A.P., 16 vjeç; shtetasi Adrijan Pjetri, 27 vjeç, si dhe shtetasi A.P., 17 vjeç, të tre këta banues në fshatin Arës-Miliska, në Thumanë të Krujës.

Nga materialet hetimore, të ndaluarit akuzohen për ngjarjen e ndodhur në Mal të Zi, ku viktimë e vjedhjes me dhunë prej tyre ka mbetur shtetësja malazeze pensioniste Stana Bozhoviq (67).

Gjatë arrestimeve është bërë e mundur edhe gjetja e sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të një kompjuteri, një telefoni celular, një ore dore, dy unaza floriri dhe një sasi eurosh që i përkisnin viktimës.

/ Top Channel