Ali Gjeçbritaj: GJUANI ME GURË – Poezi

November 16, 2015   | Kulturë / Kultura

Perurimi i librit te Ali Gjebritaj ne KrajeAli Gjeçbritaj

GJUANI ME GURË

Gjuani me gurë shurdhamecat që shtirën si të tillë

Gjuani me gurë qorrat që bëhen sikur nuk shikojnë

Gjuani me gurë ata që u bëjnë fresk mjekerrzinjëve

Gjuani me gurë pelerinat e zeza ndjellakeqe

Gjuani sa të mundeni se nuk bëni mëkat

Gjuani me gurë e rrokullisni shkëmbinjë

Mbi kokat e atyre që thyen gurë varrësh e lapidare

Gjuani me gurë ata që mbjellin ankth

Gjuani me gurë ata që na grabitën ardhmërinë

Gjuani me gurë rrushfetat e majmë

Gjuani me gurë ata që herë shkojnë majtas e herë djathtas

Gjuani me gurë se janë të pirë

Gjuani me gurë mos rrini të mbyllur në vete

Gjuani me gurë arragancën e tyre

Gjuani me gurë indiferencën se nuk bëni mëkat

Gjuani me gurë e mos u ndalëni gjani me gurë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MOS QOFSHA NË LËKURËN TUAJ

Ju që mohoni vetën dhe para ardhësit tuaj

Jeni rreshtuar në vija të lakuara

Mos qofsha në lëkurën tuaj.

Ju që i gëzoheni humbjeve të kombit tuaj

E me krenari valvitni flamuj të huaj

Mos qofsha në lëkurën tuaj.

Ju që servilizmin e keni në trup

E u përkuleni hijeve të së kaluarës

Mos qofsha në lëkurën tuaj.

Ju që sot mburreni me vetën tuaj

Shitni mend sikur tepër të keni

Mos qofsha në lëkurën tuaj.

Ju që rrahni gjoks se jeni dijetarë

Në shkolla mësoni histori të huaj

Mos qofsha në lëkurën tuaj.

 

 

 

 

 

 

 

 

UDHËT TONA ZIKZAKE

Sa mirë atëbotë ecnim në krahë të ylberit

Ngjyrat na ndiçonin udhën

Sa bukur shiu binte lehtë i njomte tokat

Ugarët lëshonin aromë jete

Në mengjes bënim sehirë vesën mbi lulet

Fluturave ua numronim pikat në krahë

Në vjeshtën e vonë lejlekët shtegtonin

Me vete mernin aromë ftonjësh

Për ti kthyer me shije hurmash

Udhët tona zikzake

I mbuluam me ombrellën e kohës

Sot kemi arritur këtu shoh udhët e moteve

Kur valët e detit na rrahnin prapanicën

Jemi shtrirë në rërën e nxehtë prush

Me aromën e moteve luftoj reumën e sotit

Mishi po na ndahet nga ashti

Fërkojmë nyjët e gishtërinjëve

Asnjëri s’na jep dorë të ngrihemi nga zalli

Po përvlohemi në diellin e gushtit

U bëmë shkrumb.

 

 

 

 

 

OPTIMIZËM

Dua ta gjallërojë kopshtin e shtëpisë me qeshjet tona

Vdekjen dua ta sfidojmë gjithëmonë

Rrugët e jetës do na çojnë në parajsën e humbur të kohës

Atje thonë ka mjalt qumshtë dhe verë sa të duash

Parajsën brezi jonë e meriton

Atje ne shpresojmë shkojmë

 

 

Katër poezi nga përmbledhja në dorëshkrim“KALENDARI”