Hajdinaga: Mali i Zi e Shqipëria me projekte të përbashkëta turistike

December 9, 2015   | Turizmi / Turizam

Kampanja - Zove more _predstavljena i u Albaniji.1Mali i Zi dhe Shqipëria kanë shumë mundësi për diversifikimin dhe zhvillimin e turizmit mes dy vendeve përmes projekteve rajonale të përbashkëta.

Gëzim Hajdinaga, përfaqësues i Organizatës Kombëtare të Turizmit për Malin e Zi, në një intervistë për ATSH-në u shpreh se, ndodhet në Tiranë bashkë me operatorë dhe aktorët të tjerë të fushës së turizmit malazez, për të prezantuar vlerat dhe risitë turistike që ofron Mali i Zi gjatë këtij sezoni dimëror, por jo vetëm.

Mali i Zi ka potenciale dhe ndërthurje të bregdetit me malet, me peizazhe piktoreske mahnitëse, që ja vlen t’i eksplorosh, si Kolashini, Zhabjaku, por edhe vende si Plava e Gucia.

Gjej rastin, thotë Hajdinaga, të vë në dukje që vizitorët nga Shqipëria kanë qenë gjithnjë të mirëpritur dhe të mirëseradhur në Malin e Zi dhe kjo sipas tij, reflektohet edhe në shifrat turistike të sezonit të fundit veror, ku u shënua një numër në rritje i turistëve shqiptarë në trevat malazeze.

Në këtë kontekst, ai fton vizitorët shqiptarë duke i siguruar se do të gjejnë gjithnjë mikpritje në Malin e Zi. Hajdinaga apelon për projekte rajonale mes dy vendeve, që do të zhvillojnë më tej sektorin e turizmit.

ATSH