Nika: Pse kuvendi i Ulqinit përjetësoi veprën e Radovan Zogoviqit..?!!!

December 19, 2015   | Opinione

muhamet-nikaNë momentin kur po çohej gisht në kuvend që emri i njërës nga rrugët në Ulqin të mbajë emrin e malazezit Radovan Zogoviq, u hetua se në shenj bojkoti , të gjithë këshilltarët e korpusit ortodoks – sllav , e kishin lëshuar sallën e kuvendit , në shenj pakënaqësie.

Po çfarë patë bërë Radovan Zogoviq për shqiptarët…?!!

Shkrimtari malazez Radovan Zogoviq , që iu kundërvua projektit serbo-madh të shpërnguljes me dhunë e shfarosjes së shqiptarëve nga trojet e veta etnike diku rreth vitit 1936, pat shkruar poemën “ DOSLACI- PESME ALI BINAKA “ , ARDHACAKËT- KËNGËT E ALIBINAKU.

Për të arritur këtë , ai pati si krye personazh Ali Binakun, me këngët e veta të cilat me dhimbje poshtëruese po ia rrëfente me ditë nipit të vet duke kënduar mizoritë dhe poshtërimin kolektiv të shqiptarëve nga serbët ardhacakë…?!!

Këngët , pas botimit të tyre ishin një kohë të gjatë të ndaluara , kurse ata në gjuhën shqipe më vonë diku në vitin 1949 në ciklin prej 11 këngësh u përkthyen nga poeti shqiptar   ESAD MEKULI.

Për gjithë këtë  sa cekëm , po shkëpusim për lexues të faqes lajme nga Ulqini edhe këtë:

“ …..I iku gjumi Ali Binakut si zogu i trembur, dhe netët u bënë të rënda e të pambarim. Orë e orë të gjata të natës ai rri zgjuar, i shtrimë në postiqen e vjetër të ogiçit, ndërsa netëve të shurdhra e herët para se të zbardhë drita rri pranë oxhakut ku, sipas zakonit të stërgjyshërve, e ndez vetë zjarrin: rri, mendon dhe numëron tespihet – mjekra e bardhë e krehur i skuqet në flakë si tufat e misrit të Metohisë. Pëshpëritë fjalët e thata të buzëve, kërcasin tespihet- kohë të vështira kanë ardhur, don me iu zhdukë gjurmët fisit të Ali Binakut të Metohisë.

Më lehtë e kanë pasë stërgjyshërit tij në moshën e tij: lëjshin parmendën e kosën, lëjshin pushkën dhe rrinin në kulla; ndiznin zjarrin në oxhak të odës së madhe, u tregojshin bijve dhe nipave çka duhej të punojshin, shkojshin në pleqëri të Shëngjergjit, pajtonin gverre shtëpiake, pritshin mysafirët, kujdeseshin për nuset dhe i faleshin perëndisë. Po çka të bëjë, çka të bëjë Ali Binaku plak, si të rrijë në Kullë, qysh të dalë prej saj, – ditë të vështira kanë shkelë, zotërinj të vështirë: duan t`i zhdukin gjurmët e tij, ashtu edhe të fisit të tij prej Metohisë…

KËNGA E PARË

Unë Ali Binaku heq tespihet e mij të shurdhër

dhe me çdo kokërr të rëndoj mbi qafë vargun e gurëvet

unë Ali Binaku të mallkoj gjithë ç`ke deri në farën e gjinisë sate!

 

Pse, pse në pullaz ma vrave të shenjtin shpend, lejlekun?

Në oxhakun tim i falej allahut,

në oxhakun tim puthte sqepat e bardhë

që si bima prej bucës shpojnë lëvozhgën e vesë,

prej oxhakut tim shtrinte në votrën time rrembat e bardhë,

dhe kurrë me krah s`ma rrëzoi mollën prej rrembi,

dhe kurrë me sqep s`ma shpoi syrin e kuq të qershisë

(që të kullojë ninëza e kuqe!) –

shpend i shenjtë

kur pushka e parë krisi në të –

me habi shikoi syhapur shpend shenjti;

kur pushka e dytë krisi në të –

vetëm qafën përkuli si lulja e bardhë në erë;

kur pushka e tretë krisi në të –

ra prej oxhakut tim, i përgjakur,

në pullazin tim…

 

KËNGA E DYTË

I rrëzuen gardhiqet e mija si të lashtat,

i shkelën gardhiqet e mija si të lashtat e ndeme;

i shkelën livadhet e mija të blerueme

si rrushin.

Livadhi pranveror është si uji i kthejlltë i blertë-

sa dielli mos me turbullue me gishtat e vet;

livadhi bardhë-lulue si bora e parë-

sa zogu gjurmën mos me lanë mbi të;

era mos m’u valvitë mbi barin e vesuem-

mos me gafrrue!

I rrëzuen gardhiqet e mija si të lashtat,

i shkelën livadhet e mija si rrushin.

 

Këmba ime kurrë nuk shkeli mbi gardhin e tij,

këmba ime kurrë nuk la gjurmë në livadhin e tij

(as kur ka borë mbi të deri në gju),

as dhuja ime kurrë

nuk hypi në gardhin e tij pipat e murrizit m`i ndukë.

Në livadhin tim qinda rre si mbi borën e vjeme.

Dhe shih, kalon ai si dje nën degët e rëndatë qershive

të mija,

ndalet dhe degën shqyen,

e asaj, si gjerdanit të këputun,

iu dridhën dhe iu derdhën inxhinjtë e kuq të qershive.

Dhe plaga ku dega u shqye

u mbush me gjak.

 

KËNGA E TRETË

O natë,

mos po kalojnë ushtritë mbi ura,

apo era thyen degët e pemishtes sime,

apo trerët bora po i rrëzon në pullaz?

 

Jo, nuk po kalojnë ushtritë mbi ura,

nuk po i thyen era degët e pemishtes sime,

nuk po i rrëzon bora trerët në pullaz.

Po kali i tij bën lëmë në misrin tim

tanë natën, tanë natën…

 

Po e ndiej- qerret e topave po kalojnë nëpër misër:

thyhen kërcejtë e njomë të kallijve,

thyen brijët e njoma të fletëve.

Po e ndiej- dushmani dalldiset në qilarin e bijës sime,

shkel me gjunjë shtratin e saj vajzëror,

junguron si qeni nën fytin vajzëror.

Këtu është- me thundër më shkel në brijë!

……………………………………………………..

Ai me buzët e lagta tramakët i prek,

me dhëmbë këput majën e skuqun të gjinit,

dhe kafshon-

prej dhëmbëve tambëli i shkumon.

Ndërmjet mbrëmjes e meje shtrihet viti i rëndë,

dhe ai është gjithë natën mbi mue-

m`i shkel brijët me thundra.

………………………………….

…………………………………

…………………………………

 

Nga kjo që thamë për poezinë e Radovan Zogoviqit, edhe unë e arsyetoj veprimin e këshilltarëve serbo- malazez të cilët(mbase), duke mos pasur guxim të ballafaqohen me mizoritë e kombit të vet ndaj shqiptarëve , vendosën ta bojkotojnë mbledhjen- dhe dëshiroj të besoj që këtë e bënë ,në shenj turpërimi për çfarë dikur bënë, duke përjetuar kështu një lloj katarsisi aristotelian pas kësaj tragjedie…?!!

Po këtë ditë , pas votimit të këtij vendimi, që të përjetësohej poeti i madh, me emrin e një rruge, u binda edhe në atë thënien e cila thotë se ashtu si çdo e mirë që e ka një të keqe …, ashtu edhe çdo e keqe e ka një të mirë.

Fjalën e kemi për kuvendin e kësaj dite ,ku pas   lajmit të mirë e të gëzueshëm , që cekëm, në fund mësuam se do të prishej …, pasi Forca do të kushtëzonte me rrëzimin e Gjekës e disa thanë , se pat biseda për të instaluar Loro Ndrekiqin, nga partia në pushtet.

Mendoj se ky formacionin ekzistues HAXHI BETI – FATMIR GJEKA do të mbahet gjatë ndër mend , për rezultatet e emancipimit kombëtarë tonin.

Sipas neve dhe disave- Patriotizmit nuk i ka kaluar koha , se po të ishte kështu, do të kishin çuar dorë moti prej tij : anglezët, amerikanët, gjermanët , francezët etj .?!!!

 

Pikëpamjet e shprehura në faqen “OPINIONE” nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht politikën redaksionale të „Lajmeve nga Ulqini„