Degjenerimi i votës në emër të demokracisë, per situaten politike ne Komunen e Ulqinit

January 4, 2016   | Lajmet / Vijesti, Politika

Ali Salaj_ Filmi kosovar ne kerkim te identitetitNga Ali Salaj

Shqiptarët në Mal të Zi kurrë nuk kanë ditur të veprojnë në frymën e një konsensusi, si një mekanizëm demokratik në mbrojtjen e interesave nacionale apo si një çelës pajtimi në marrëdhëniet ndërpartiake. Ngjallja e kulteve personale, thellimi i keqkuptimeve dhe animozitetet e ndërsjella janë reflektuar negativisht në vetorganizimin politik dhe në realizimin e çështjeve jetike për shqiptarët në Mal të Zi. Si pasojë e këtyre paragjykimeve, partitë politike shqiptare mbeten në pozicione të ndara, duke u konzervuar edhe më fuqishëm në guaskën e tyre. Mungesa e një konsensusi (gjetja e një zgjidhjeje të ndërmjetme ose të pranueshme nga palët ose shumica e palëve) tregon se te partitë politike shqiptare ka shumë më tepër dallime sesa duket në shikim të parë. Edhe pse elementet e dallimit janë të pranueshme dhe nxitëse në një shoqëri pluraliste me demokraci të konsoliduar, megjithatë dallimet për çështje të rëndësishme kombëtare i vënë në dyshim përpjekjet e tyre obligative. Kjo shihet sot në veprimet që bëjnë për postet në pushtetin vendor të Ulqinit, për statusin e Komunës së Tuzit, për Platformën e përbashkët dhe për shumë çështje tjera, ku shihet arroganca dhe diktati si metodë pune e liderëve shqiptarë. Kjo të përkujton kapedanët trima arvanitas në fillim të shekullit 19, që kur këmbëngulnin për ndonjë gjë thonin “kështu e dua unë” e të cilëve sot, për fat të keq, ju ka humbur fara (janë asimiluar tërësisht në Greqi). Nuk përjashtohet mundësia që kapitenët dhe vojvodat tanë (kupto: liderët politikë) t’u rezervojnë të njëjtin fat edhe shqiptarëve në Mal të Zi.
Liderët shqiptarë harrojnë se demokracia e konsensusit ka ekzistuar me shekuj në principatat dhe krahinat shqiptare, ku për një vendim të rëndësishëm ka vendosur i tërë Kuvendi i Burrave. Po ashtu ka ekzistuar edhe demokracia duale e pranishme në organizimin e vjetër fisnor, ku qeverisja rregullohej me radhë dhe në mënyrë të barabartë nga përfaqësuesit e fisit. Këto tradita të vlefshme popullore do të ishte mirë të rikujtohen dhe të mos mbesin vetëm si një vlerë arkaike, që nuk korrespondon me kohën dhe demokracinë bashkëkohore. Përkundrazi, do të ishte e mirëseardhur që të ringjallen dhe në marrëveshjet e rëndësishme të partive politike të respektohet metoda e konsensusit dhe të kultivohet politika e tolerancës. Në këtë mënyrë do të respektohej Kuvendi i Burrave dhe nuk do të luheshin fjalë rrenash dhe intrigash, si kujt t’i teket. Kështu nuk do të cenohej vota e lirë e qytetarit, ku pa dëshirën e tij, kjo votë degjenerohet gjoja në emër të demokracisë.
Konsensusi si një kod civilizues është tejet i respektuar në demokracinë perëndimore, por edhe në disa shtete me tradita institucionale në Ballkan. Kështu, për shembull, partitë politike serbe, malazeze, maqedonase e posaçërisht ato greke, e kanë të zhvilluar në natyrën e politikës së tyre mekanizmin e konsensusit, të cilin e fokusojnë si vokacion, kur janë në pyetje interesat e tyre kombëtare.