Mark Gjonaj nderohet me një mirënjohje “Albanian Excellence” për kontributin e tij në komunitetin shqiptar

January 15, 2016   | Bota, Lajmet / Vijesti

Flora Nikolla in Albanian ExcellenceTiranë, 15 Janar/ATSH/.- Albanian Excellence ka nderuar, para pak ditësh në Nju Jork, SHBA, z.Mark Gjonaj, anëtar i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, me Certifikatë Nderi për kontributin  dhe angazhimin e tij të vyer në komunitetin shqiptar, dhe si i pari shqiptar në politikën amerikane që na perfaqëson denjësisht në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut,  një nga metropolet më të fuqishme të rruzullit.

“I jepet  me mirënjohje për punën, angazhimin dhe përfaqësimin e shkëlqyer të komunitetit shqiptar në nivelet më të larta të qeverisjes si Anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut.  Për përkushimin e tij të pakrahasuar në komunitetin tonë, për përpjekjet e tij në hapjen e vendeve të reja të punës dhe punën e tij të shquar për të ngritur lart emrin e shqiptarëve në SHBA”,  shkruhej në motivacionin e certifikatës dorëzuar , z. Mark Gjonaj,  politikan i Partisë Demokratike Amerikane për Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut i cili mundi në zgjedhje, Naomi Riverën në vitin 2012 dhe në zgjedhjet e përgjithshme fitoi me 79 për qind te votive.

Flora Nikolla, drejtuesja e Albanian  Excellence, dhe Andis Gjoni, kryetari i bordit të Albanian Excellence, organizatë  e cila ka si qëllim evidentimin e shqiptarëve të suksesshëm në botë,  kanë biseduar gjatë këtij takimi për punën e tre vjeçare që kjo organizatë ka realizuar ashtu dhe për projektet më të afërta që ka kjo organizatë, e cila në Nju Jorku në shtator të këtij viti do të organizojë nën kujdesin e  e veçantë të Presidentit të Republikës, z,Bujar Nishani, projektin  “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, një projekt i cili do të konkretizohet në botimin e një libri me  zonja të të gjitha trojeve shqiptare të cilat kanë ditur të ndërtojnë një histori suksesi në kontinentin  e lirisë, ashtu dhe në organizimin e një mbrëmje Gala,  ku Ato do jenë protagoniste të saj në sallën  Symphonyspace  në Manhattan. Por rëndësia e  këtij projekti qëndron jo vetëm në faktin e evidentimit dhe të vlerësimit të Gruas shqiptare në diasporë, por edhe në nënshkrimin në Nju Jork.  të një memorandum mbi imazhin gjithëpërfshirës së gruas mbarëshqiptare në shekullin e XXI.

Mark Gjonaj, një nga  shqiptarët më të fuqishëm kohet e fundit në politikë, me origjinë nga  Ulqini (Mali i Zi) i lindur dhe i rritur në Bronx (SHBA),  i cili ka  ditur të orientojë drejt dhe qartë politikat në favor të ndihmës dhe mbështetjes ndaj shqiptarëve, duke përshëndetur këtë projekt dhe këtë vlerësim për gruan shqiptare në botë, nënvizoi rëndesinë e bashkimit  dhe të bashkëpunimit mes shqiptarëve, ashtu sikundër ky bashkëpunim duhet të jetë edhe mes shoqatave të ndryshme në komunitetin shqiptar. Ai tregoi gjatë këtij takimi edhe për idenë  e tij tashmë të bërë publike dhe më parë për ngritjen e një Qëndre për komunitetin shqiptar në Nju Jork, një qëndër e cila do t’i vijë në ndihmë këtij komuniteti më një numër të konsiderueshën atje , qëndër e cila do të ndihmojë në ruajtjen e vlerave, të gjuhës  e të traditave tona kombëtare.

“Ka shumë rëndësi të punojmë për gjeneratën e re”, ka  nënvizuar z.Gjonaj, duke shtuar  rëndësinë që ka në objeksionin e platformës së ndërtuar prej tij më shumë mëndjehapurësi, politika gjithpërfshirëse e komunitetit dhe ndër të tjera hartimi i një kalendari të përbashkët për komunitetin , organizmimi i komunitetit sipas fushave përkatëse ku ata punojnë etj.

“Kur kemi bashkë kokat, kemi bashkë edhe tokat “, është shprehur ndër të tjera  gjatë këtij takimi ,z.Gjonaj,  ku ka nënvizuar mbështetjen  e tij për projektin që Albanian Excellence pritet të organizojë në shtator në Nju Jork.

Mark Gjonaj është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani, me  Titullin e lartë  “Nderi Kombit “

Flora Nikolla in Albanian Excellence

ATSH