Zeneli: Ose bashkohuni, ose të gjithë jepni dorëheqje, se u lodhëm me ju !

January 22, 2016   | Bota

XheladinZeneli( Apel politikanëve shqiptarë në Komunën e Ulqinit) 

Ka disa muaj që që portalet informative të Ulqinit vazhdimisht raportojnë lidhur me krizat politike, përçarjet,polemikat, replikat, sharjet dhe polarizimet e skajshme në mes të politikanëve shqiptarë të cilët udhëheqin me qeverisjen lokale në Komunën e Ulqinit. Në të vërtetë lajmet kryesore sillen rreth këtyre polemikave dhe mosmarrëveshjeve.

Të gjithë ju politikanë që po mbani peng ecjen përpara, përparimin dhe progresin e Ulqinit,(ose së paku t’ja kushtoni kohën tuaj më të madhe këtij progresi), ju themi MJAFT ! Mjaft se tani e keni tepruar, deri tani ishi gazi i botës, tani po bëheni turpi i botës . Askujt  nuk i intereson më për polemikat e juaja, askujt nuk i intereson për larjen e hesapeve tuaja personale, askujt nuk i intreson sharjet e juaja publike, askujt nuk i intereson drejtimi i gishtit fajtor, andaj mblidhni mend se këtë do t’a paguani shtrenjtë në zgjedhjet e ardhshme  , qofshin ata lokale apo parlamentare. Njerëzit janë lodhur me ju, janë ngopur me energjinë e madhe që ju po shpenzoni në akuzat e ndërsjellta, populli dëshiron rezulltate, njerëzit iu kanë zgjedhur aty që ti ndihmoni  ata në përmirësimin e jetës së tyre dhe jo që ti torturoni me sharjet e juaja të ndërsjellta publike.

Ndoshta është koha që të gjithë ju të jepni dorëheqje dhe të largohuni nga politika dhe t’ju lëshoni rrugë një gjenerate të re politikanësh. Kur them ” gjeneratë të re”, nuk e kam fjalën domosdoshmërisht në moshë të re, por njerëz me ide të reja, të cilët nuk kanë komplekse egocentrike, njerëz pa inate personale,njerëz që janë të gatshëm të bëjnë kompromis për hir të çështjes së përgjithëshme kombëtare shqiptare, pra  atyre njerëz të cilët kurr nuk iu dha mundësia të sprovohen në politikë, por që vazhdimisht eliminohen nga ” bërrylat” e atyre që gjinden sot në politikë.Me sjelljet e juaja negative po ndikoni që  edhe njerëzit e ndershëm të largohen nga politika ose të mos merren asnjëherë me politikë. Kur do t’a kuptoni se keni dështuar dhe a ka dëshmi më të qartë të dështimit se kur nuk mund të mbahet një kualicion i përbashkët qeverisës në Komunën e Ulqinit, as për dy vite të plota !?

Në çdo vend të mirëfilltë demokratik, kur politikanën dështojnë, për shkak të përgjegjësisë së tyre morale, ata japin dorëheqje. Andaj edhe ju ose bashkohuni dhe mësoni të qeverisni bashkë, ose jepni të gjithë dorëheqje !

Në rast dorëheqjeje,jam  i bindur se do të shpëtoni popullin( bazën tuaj) nga vuajtjet e mëtejshme.

Xheladin Zeneli

Janar 2016