albinfo.ch: Ulqini ua hap dyert bizneseve nga Kosova e diaspora

January 25, 2016   | Ekonomia / Ekonomija, Lajmet / Vijesti
Kryetari i Ulqinit-i ftoi bizneset nga KosovaKryetari i Ulqinit, Fatmir Gjeka i ftoi bizneset nga Kosova edhe ato nga diaspora që të investojnë në këtë komunë, “e cila ka potenciale dhe lehtësira për investime”

ërfaqësuesit e komunës së Ulqinit u kanë bërë thirrje afaristëve nga Kosova, por edhe nga diaspora që të investojnë në këtë komunë bregdetare. Ata thanë se sektori i hotelerisë mbetët joshës për investitorë, ndërsa deklaruan se ka lehtësira në të bërit biznes në Ulqin.

Këto deklarata kanë dalë sot në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar” organizuar nga  Aleanca Kosovare e Bizneseve. Këtë javë AKB ka vazhduar me aktivitetet e saja për promovimin dhe konsumimin e prodhimeve kombëtare në Ulqin të Malit të Zi.

Fatmir Gjeka, kryetar i Komunës së Ulqinit, tha se kanë potenciale të mëdha për investime të huaja dhe ato nga Kosova. Sipas tij, ka biznese të vogla në Ulqin, por ka nevojë për investime të mëdha të cilat mungojnë, që do të thotë se një biznes i fortë, siç tha ai, krijon edhe bazë të mirë edhe në fushat tjera që do të zhvillohen.

“Ftojmë bizneset nga Kosova edhe ato nga diaspora që të vijnë e investojnë në Ulqin, tashmë ka potenciale dhe lehtësira për investime sidomos në hotelieri”, tha Gjeka sipas të cilit, rreth 500 familje, biznese e shtëpi nga Kosova jetojnë veprojnë e punojnë në komunën e Ulqinit.

Agim Shahini është kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve. Ai tha se Ulqini vazhdon të mbetet një pikë joshëse jo vetëm për turistët, por edhe për bizneset nga Kosova. Ai ftoi edhe bizneset nga Ulqini që me prodhimet e tyre, që nuk prodhohen në Kosovë, të zëvendësojnë ato të huajat.

“Me konsumimin e prodhimeve kombëtare shqiptare do të ketë edhe zhvillime të këtyre trevave dhe ngritje të mirëqenies qytetare”, tha Shahini, i cili shpalosi potencialet ekonomike që Kosova dhe Shqipëria i kanë në aspektin e prodhimit vendor dhe kërkoi  që nga sot ulqinakët të konsumojnë më shumë produkte shqiptare.

Kabil Kurti, kryetar i Biznes-Klubit “Anamali”, tha se situata ekonomike në Ulqin nuk është e kënaqshme, kjo po ndodh edhe për shkak të situatës jo të mirë politike që po mbretëron në Malin e Zi e në Ulqin. “Ka interesime për investime të huaja sidomos ato të diasporës, por që kanë frikë nga situata politike e cila duhet të stabilizohet”, tha Kurti.

Ai tha se sezona verore ka më shumë se një milionë konsumatorë dhe ata i presin prodhimet e Kosovës, por të cilat duhet të ofrojnë kualitet dhe dizajnë dhe të shoqëruar edhe më çmime konkurruese për pushuesit në Malin e Zi.

Zana Hollaj Sarvan, drejtoresh e Organizatës Turistike të Ulqinit, tha se në Ulqin janë një numër jo i vogël i bizneseve nga Kosova, posaçërisht në fushën e turizmit, ku kjo komunë ofron në këtë fushë mundësi të shumta. Ajo kërkoi nga bizneset e Kosovës që të vijnë e investojnë në këtë anë, sidomos në fushën e turizmit.

albinfo.ch