Fitues për çmimin ‘Pena e Flakës’ jan poetët Basri Çapriqi e Halil Matoshi

January 31, 2016   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

basri-çapriqi-halil-matoshiPoetët Basri Çapriqi dhe Halil Matoshi. e ndanë çmimin-poezia më e mirë e lexuar në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës 2016 ”, në të cilën aktivitet letrar të manifestimit “Flaka e Janarit 2016”, punimet e tyre i kanë lexuar krijues nga pjesë të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës.

Përndryshe, “Pena e Flakës”, iu përkushtua shkrimtarit të shquar gjilanas, Beqir Musliut, në 20 vjetorin e shkuarjes së tij në amshim që, koincidoi edhe me 25 vjetorin e themelimit të këtij Manifestimi, pjesë e të cilit ishte edhe në aktin themelues e, edhe në pesë manifestime, radhazi ( 1992 – 1996 ). Për të foli sdudijuesi dhe kritiku Prend Buzhala.

Ndërkohë, pas Orës së Madhe letrare u bë edhe shpallja e rezultateve të konkursit shpërblyes në poezi dhe prozë.

Juria e konkursit letrar “Flaka e janarit” 2016 në përbërje: Sinan Sadiku, Albina Idrizi dhe Aziz Mustafa vlerësoi se konkursi letrar ishte tejet i suksesshëm. Me këtë rast njëri nga ta Sinan Sadiku tha se në konkurs kishin ardhur 81 poezi, rreth një e treta e të cilave me vlera të mirëfillta artistike, ndërsa gjysma e tyre janë veçuar në rrethin e ngushtë për shpërblime.

“Juria është e kënaqur me nivelin artistik të poezive dhe konsideron se ka prurje të reja edhe sa i përket gjuhës poetike, edhe sa i përket ritmit dhe ndërtimit të vargjeve e edhe sa u përket ideve, temave dhe shprehjes emocionale”, tha ai.

Sipas tij, pas leximit, rileximit, dhe vlerësimit të poezive nga secili anëtar veç e veç, juria është takuar dhe pas propozimeve, diskutimeve e arsyetimeve në mënyrë unanime ka vendos të shpërblehen poezitë:
1. Vendi i parë, “Rrena më e bukur…”, shifra “Ëndrra `16”
2. Vendi i dytë, “Gardhi”, shifra “Shuej”
3. Vendi i tretë, “N`amë të fjalve”, shifra “Blina”

Sadiku ka thënë po ashtu se në konkurs kishin konkurruar krijues me 35 tregime. “Vlerësojmë se është ruajtur niveli i viteve të kaluara edhe sa i përket sasisë e edhe sa i përket cilësisë”, tha ai.

Juria ka vendos të shpërblehen tregimet:
1. Vendi i parë, “Letër nga larg”, shifra, “Artemisa 2016”
2. Vendin e dytë e ndajnë tregimet: “Dhimbje e bardhë”, shifra “Pengu i jetës” dhe “Njeriu i marrë”, shifra “Sheshi pa lule”
3. Vendi i tretë, “Kokën tuaj do ta hani”, shifra “Lisi i ahut”
“Po ju njoftoj se janë eliminuar disa poezi dhe tregime për shkak se nuk u janë përmbajtur kritereve të konkursit. Konkretisht janë eliminuar pesë poezi, sepse e kanë tejkaluar dukshëm numrin e vargjeve të parapara në konkurs. Po ashtu janë eliminuar dy tregime, njëri për arsye se autorja në vend të shifrës e ka shënuar emrin dhe tjetri për arsye se e ka tejkaluar numrin e faqeve”, tha tutje Sadiku. Përndryshe, për botim në revistën letrare – kulturore “Agmia” propozohen poezitë: “Sagë për Doruntinën, shifra “Konstandini”; “Koha ime e arnuar”, shifra “Krizantema”; “Ara – mara”, shifra “Flaka e janarit – 2016”; “T`braktisunit”, shifra “Moza”; “Prishtina”, shifra “Makoti”; “Misteri”, shifra “Andy”; “I mbrojtur nga vetja, ju dhe të tjerët”, shifra “Monologu”; “Bisedë me një grua të palumtur”, shifra “Faqja 97 e ditarit” dhe “Ikonë flijimi”, shifra “Jeta”.

Po ashtu për botim propozohen tregimet: “Ma kujto buzëqeshjen cicërimë”, shifra “Cicërima”, “Përtej lartësive”, shifra “Dardani” dhe “Të dashurosh ilirishte”, shifra “Fyelli ilirik”.

KultPlus

Dy poezitë fituese të Çmimit “PENA E FLAKËS”,
në pjesën letrare të Manifestimit “Flaka e Janarit’ 2016

Halil MATOSHI

Udhëtimi i shpatës së Skënderbeut – Magna Carta(Gjergj Kastrioti, 1405 – 17 January 1468)

Me avionin Austria Airlines pshtjellun n’cohë kadifje
Me bussines class po udhëtonte nji hajmali
Me të cilën arbnit e tremshin ligshtimin e tyne

Ajo asht çudia e mbramë Made in Arbnia
Dhe ka nji histori tregtie antikitetesh

Arbnit i kishin bamun votra zjarmi zemrat e tyne
E kur i frynin çelte pranverë e hekurt
Pastaj si nji syth mbiu shpatë e Skënderbeut

Kryezoti ish i padokshëm – buçimë
Vezullonte n’Shkamm t’Rodosit e n’Berat, n’Krujë e Albulenë
– mbillte rrfe e vetë rrfe ishte
Ndezte zemra që shkreptinin fije shprese
Për me kanë t’lirë

Ngjizun kur gjaku n’dejë t’arbnëvet po ndizej
Po shkrinte minierat…
Nën mazën e dheut arbnit po lypnin Magna Carta’n* e tyne
T’vorrueme a pluhun t’bame nder patkoj
A n’shtiza flamujsh me gjysmë hanë
Papandehun nji ditë buçima pushoi – termet u ba n’Arbni
Ethet e Kryezotit shemben burrat e dheut
Ia shkulen flokun qiellit
si Leka i’përhanë…

Dhe ata thanë se u nda shpirti p’ej kërcit
Shpata n’vetimë t’ngrime u shndrrue
Dhe kshtjellat ‘i dergjë i rrënoi nji nga nji

Tokën s’e mbajtën kambët e u rrokullis
Bashkë me qiellin
Ndërruen vendet e tyne
Dhe ktu zuni fill atdheu qielluer i tyne

Kur mbi Arbni e panë gjysmëhanën e zbehun
Flakët i shuen nder votra
E fjalët u sosën tuj i lshue vend mortit

Arbnit mbetët midis-midisit
T’varun n’hajmalinë e tyne
T’cilës ju lutën e i besuen deri n’Rilindje

Ikonë n’kishën e djegun – lutja e tyne
Sefte u shfaq shpata vizllimë
Masanej nga palca e asaj vetime
arbnit krijuen Skënderbenë…

* Magna Carta, gjithashtu e quajtur Magna Carta Libertatum ose Karta e Madhe e Lirive të Anglisë, është statuti i Angevinëve, lëshuar fillimisht në latinisht në vitin 1215, përkthyer në premisa – frengjisht në fillim të 1219, dhe e ribotueme ma vonë në shekullit 13 në versionet e modifikueme.

Basri ÇAPRIQI

TERRI

Kam zgjatur duart
Kam ecur mbi rerë
Me gjet
Portokallen e humbur
Te një breg që e hante uji
Gjithë natën e lume

Ne një shteg që
S’e shoh unë
Hynë gjithë ai zë
Që ulët nga qielli

Ku mund të hapet
Kjo zbrazëti
Me mbushë pak shpirtin
dritë

Portokallia që s’shihet dot
Shtrydh pa ja da
Pika të ëmbla mbi buzët e egra
T’atij bregu që hante uji

Kur u ngrit terri lart aq lart portokallen
Sa s preket më me dorë as me sy
Një zë që vjen nga larg
Kish shtrydhur portokallen që mbaja në shuplake

( Gjilan, 30 Kallnor 2016 )