Learta Hollaj: ‘Shtet i akademikëve’, po kush i kryen punët? – Video

February 23, 2016   | Lajmet / Vijesti

Learta-Hollaj-Ky shkrim është pjesë e editorialeve të botuara në kuadër të sallonit të së martës*

Arsimi dhe aftësimi profesional në Kosovë është një alternativë e edukimit e dorës së dytë për të rinjtë dhe të rejat, për prindërit, për institucionet dhe për shoqërinë tonë. Mbetet e pashpjeguar arsyeja pse të gjithë rendim pas diplomave edhe kur e kuptojmë për vite tashmë që tregu i punës nuk ka mundësi të na ‘absorbojë’ të gjithëve? Ajo çfarë mund të konstatohet duke përcjellur zhvillimet e përditshme, është që Kosova dhe rajoni janë gllabëruar nga ajo që quhet analfabetizëm funksional e që, thënë troç, i bie të jetë ‘diplomë pa dije’.

Në sallonin e së martës me temë ‘Paragjykimet anash: Pse shkollat profesionale nuk janë tërheqëse sa universiteti e shpesh me to mund të fitohet shumë më tepër?,’ kuptova një statistikë mjaft interesante. Mësova që tranzicioni nga bankat shkollore në tregun e punës në vendet e Bashkimit Evropian nuk kërkon më shumë kohë se mesatarisht 3 vite. Ndërsa, në Kosovë një të reje apo të riu të sapo diplomuar i nevoiten 10-12 vite për tu përgatitur plotësisht për tregun e punës dhe për të qenë të aftë për të dhënë kontributin e tyre në nivel të plotë profesional. Arsyet për një gjë të tillë janë të ndryshme dhe shkojnë përtej mundësisë së elaborimit në kuadër të këtij editoriali. Mirëpo, është shqetësuese që përkundër faktit që kemi shumë raste tashmë që të rinjtë detyrohen të pranojnë pozita të punës që nuk përkojnë me nivelin e tyre akademik, apo të mos gjejnë punë fare, siç edhe po ndodh me shumicën, ‘mania’ për ndjekjen e fakulteti po përhapet gjithnjë e më shumë. Përgjegjësinë për ta ndalur një hov të tillë e kemi të gjithë, duke filluar nga institucionet, prindërit, shoqërinë dhe secili individ.

YouTube Preview Image

Nuk është gjë e re nëse them se të rinjtë Kosovar janë të ‘apasionuar’ pas ndjekjes së studimeve në fushën e ekonomisë dhe juridikut. Përafërsisht 70% e studentëve në Universitetin e Prishtinës studiojnë në këto dy degë. Duke mos përjashtuar faktin që në mesin e tyre ka një pjesë të mirë të cilët e bëjnë këtë përzgjedhje sepse vërtetë e shohin të ardhmen e tyre në këtë fushë, një pjesë dërrmuese përcaktohen për këto dy fusha për shkak se nuk dëshirojnë ‘të ia prishin qefin’ prindërve dhe për më tepër, e shohin këtë përzgjedhje si një sigurim të një statusi të ‘mirëfilltë’ shoqëror. Gjithashtu, këto dy drejtime shihen si rrugë me më shumë mundësi punësimi pasi që shihen si drejtime më të përgjithshme dhe për të cilat tregu i punës ka gjithmonë nevojë.

Me veprime të tilla ne po ngujojmë të ardhmen e shoqërisë sonë dhe po bëjmë shfrytëzim joracional të resurseve duke kontribuar edhe më thellë në stagnimin ekonomik. Me një nivel të papunësisë më të lartë se 30%, është paradoksale të lexosh nëpër portale dhe media që bizneset vendore dhe investitorët e huaj detyrohen, jo në pak raste, të importojnë fuqi punëtore nga jashtë, ngase, siç deklarojnë ata, nuk mund të gjejnë fuqi punëtore të kualifikuar në Kosovë. Një zhvillim i tillë është tejet demoralizues dhe aspak premtues për një zhvillim të qëndrueshëm të tregut të punës në të ardhmen.

Nuk mjafton më të promovohemi në tregjet ndërkombëtare dhe pranë investitorëve të huaj si ‘vendi i Evropianëve të rinj’. Ne na nevojitet të shkojmë një hap përtej. Tashmë ne duhet të jemi të gatshëm t’i ofrojmë investitorëve fuqi punëtore të shkathtë dhe të përgatitur për tregun e punës dhe të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë konkretisht dhe profesionalisht në fushën e tyre të përzgjedhur. Njëkohësisht, Kosova nuk ka nevojë për më shumë ekonomistë dhe juristë, ne sot kemi boll edhe pse tç cilçsisç sç dobçt. Bile do të duhej të fokusoheshim që edhe këta që sot diplomojnë të jenë vërtetë të aftërt të vënë dijen e tyre në praktikë. Po ashtu, ne sot kemi nevojë që Axhi Muharrem të mos shuaj biznesin e tij si këpucëtar, apo tezja Emine të ketë mundësi të zhvillojë biznesin e saj si rrobaqepëse, si dhe biznesmeni i lagjes të mos importojë saldues nga Gjermania, por të ketë mundësinë t’ia ofrojë pozitën e lirë të punës Arbenit, djalit të fqiut.

Si bëhet kjo? Veprimet në këtë drejtim kërkojnë planifikim afatgjatë dhe strategjik, mirëpo jo edhe strategji të reja, se tashmë kemi boll. E mira sot është që të paktën në letër, për herë të parë, arsimi është bërë prioritet kryesor i Qeverisë ashtu siç është paraparë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik. Mirëpo, këto objektiva të shkruara duhet të shndërrohen në masa konkrete. Në këtë mes nuk mohohet, bile është parakusht, përkushtimi i plotë i institucioneve përgjegjëse për jetësim të masave të parapara. Por, në këtë mes, përgjegjës jemi edhe unë edhe ti, besa edhe prindërit tanë e fqinjët.

Ne kemi sot 64 shkolla profesionale në Kosovë që menaxhohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe 7 Qendra të Aftësimit Profesional, të cilat menaxhohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pa çka se ndjekshmëria e shkollave të mesme profesionale është e lartë, pothuajse 50-60% e nxënësve të shkollave të mesme i vijojnë ato (shumica vetëm pasi që nuk arrijnë të pranohen në gjimnaze), një gjë e tillë nuk vlen edhe për Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP). Ne sot shfrytëzojmë jo më shumë se 15-20% të kapaciteteve të QAP-eve ekzistuese. Përderisa shkollat e mesme pranojnë vetëm nxënësit e rregullt, respektivisht nxënës të moshës për shkollën e mesme, QAP-et janë të hapura për secilin nga ne. Aty mund të lajmërohet çdo njëri që e sheh të nevojshme te përditësoj njohuritë dhe shkathtësitë e veta në një fushë të caktuar. Mirëpo, edhe pse këto mundësi ekzistojnë dhe janë të hapura për të gjithë, shumë pak kanë dëgjuar për to ose i kanë të qarta benefitet që rrjedhin nga përcaktimi për tu orientuar drejt arsimit dhe aftësimit profesional.

Kjo na shpie tek një problematikë tjetër e që ka të bëjë me mungesën e orientimit në karrierë. Një mungesë e vizionit të qartë se ka po zhvillohet ekonomia dhe cilat do të jenë kërkesat e tregut në 10-15 vitet e ardhshme, krijon një handikap në mundësinë e institucioneve përgjegjëse drejt përgatitjes për t’ju përgjigjur kërkesave të tregut. Po ashtu, orientimi në karrierë duhet bërë shumë më herët, në mënyrë që të rinjve po edhe prindërve t’i ofrohet një perspektivë e qartë se kah po zhvillohet tregu. Kështu, ata do të kuptonin qartë se cilat janë mundësitë për fëmijën e tyre, nëse do të përkushtohej për një zanat të caktuar apo për një fushë përkatëse të studimeve. Mirëpo, edhe kjo do të mund të bëhej, vetëm pasi që institucionet tona do të përkushtoheshin seriozisht drejt studimit të mirëfilltë të trendëve dhe kahut të zhvillimit ekonomik në vendin tonë.

Është e rëndësishme të vështrojmë rolin e bizneseve dhe rolin e secilit nga ne për të promovuar arsimin dhe aftësimin profesional në vendin tonë si një mjet efektiv për të luftuar nivelet dërmuese të papunësisë. Biznesi Kosovar karakterizohet nga ndërmarrje familjare, të cilat, pak për shkak të guximit, e shumë prej tyre, për shkak të mungesës së masave dhe paketave stimuluese, hezitojnë të pranojnë kandidatë të rinj në mes in e tyre dhe të zgjerojnë biznesin e tyre. Kontributi i bizneseve vendore në këtë drejtim mund të jetë i shumëfishtë, duke filluar nga ofrimi i hapësirave për të realizuar praktikën e cila është e mangët, ofrimi i trajnimeve shtesë në vendin e punës, dhe rrjedhimisht aftësimi i plotë i të rinjve për tregun e punës. Një gjë e tillë kërkon një mobilizim dhe institucionalizim të këtyre veprimeve përmes partneritetit publiko-privat. Për të arritur në një pikë të tillë, duhen vetëdijesuar bizneset për përfitimet që rrjedhin nga investimi në kapitalin njerëzor dhe t’ju dëshmohet me fakte si kjo ndërlidhet me zhvillimin e mëtutjeshëm të biznesit të tyre.

Përfundimisht, na takon të gjithë neve që të distancohemi ngadalë nga ideja që t’i shohim ata që përkushtohen për të ndjekur arsimin dhe aftësimin profesional si njerëz me status më të ulët shoqëror. Aftësimi dhe arsimi profesional është prioritet i shteteve më të zhvilluara për vite tashmë. Duke qenë që po ballafaqohemi me dy fenomene kontradiktore: inflacion të diplomave në njërën ane e mungesë të profesionistëve në anën tjetër, ndoshta është koha t’i kthejmë sytë nga aftësimi profesional dhe të aftësojmë të rinjtë tanë në mënyrë që të jenë ata të jenë të përzgjedhurit e kompanive vendore dhe atyre të huaja.

______

*Ky shkrim është pjesë e editorialeve të botuara në kuadër të salloneve të së martës, të organizuara nga Instituti për Demokraci për Zhvillim (D4D). Sallonet kanë format gjysmë formal sipas rregullës Chatham House dhe pa prani të mediave. Në diskutim marrin pjesë analistë, politikanë dhe publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus rreth temave të përzgjedhura.

Burimi: Sbunker.net