Kriza politike në Ulqin çdo ditë më e thellë

March 3, 2016   | Lajmet / Vijesti, Real Estate

Skupstina-opstina-UlcinjUlqini në krizë të thellë politike

 

Gjekë Gjonaj

 

Zhvillimet në skenën politike të Ulqinit gjithnjë   po përkeqësohen dhe po ashpërsohen përtej mase. Ato kulmuan me shkarkimet e paradokohsme  të tre sekretarëve të sekretariateve kryesore të komunës nga ana e kryetarit dhe shkarkimi i kryetarit të Bashkësisë lokale “ Katërkollë”. Këto dhe mosmbajtja e dy seancave të fundit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të kërkuara nga kryetari i komunës,   dëshmojnë se Ulqini vërtet është në krizë të thellë   politike, e cila praktikisht ka filluar   nga mesi i nëntorit të vitit të kaluar, kur këshilltarët e Forcës së Re Demokratike – Forca   filuan nismën për votëbesimin për kreun e komunës në parlamentin vendor. Prej atëherë ushtrimi normal i pushtetit në mes të Koalicionit “ Së bashku për të ardhmen e Ulqinit” ( PP, LD në MZ e Perspektiva) dhe Forcës së Re Demokratike – Forca   është lëkundur seriozisht, saqë është vënë në pikëpyetje. Kjo betejë politke në mes të këtij koalicioni tashmë të shpërbërë e jofunksional kishte për synim shkarkimin e kryetarit aktual të komunës, duke u bërë kështu posti i tij “mollë” sherri në mes të dy krahëve të përmendur politik.

Kësaj betejë politike në mes Forcës dhe Partisë Demokratike   i është dhënë mjaft jehonë në mediat vendore e   shtetërore në gjuhën shqipe e malazeze, sikurse edhe   në portale të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit. Të gjitha këto media raportojnë se në Ulqin po thellohet kriza politike, e cila ka nxjerrë në pah shumë dobësi të faktorit politik shqiptar në këtë qytet. E gjithë kjo me të drejtë lë një përshtypje se Ulqini ndodhet në një fazë të vështirë të fushëveprimit politik. Prandaj shtrohet pyetja : Pse lidershipët shqiptar në pushtet nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e kësaj krize të cilën e shkaktuan vet ata ?

Fushëveprimi i deritashëm i subjekteve nacionale shqiptare fletë për mosmarrëveshje, për përçarje e ndarje të thella, për   vetëshkatërrim, për mosbesim, për mosbashkëpunim të siqertë, për kokëfortësi dhe paaftësi për të komunikuar e debatuar shëndosh, për mospasje të një strategjie të përbashkët zhvillimore, për amozitet, për   kundërshti,   për papërgjegjësi e të tjera veti të përbashkëta që   për fat të keq i ndajnë shqitarët.

Realiteti i ri politik në Ulqin, i shkatuar nga përçarja e shqiptarëve brenda koalicionit udhëheqës, kërkon domosdoshmërisht rikompozim të ri të pushtetit ose zgjedhje të jashtëzakonshme vendore. Ndryshimi i pushtetit, në secilin variant, e çon Ulqinin në duart e Partisë Demokratike të Socialistëve, parti e cila mori më së shumti vota në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme lokale në këtë komunë.

Nga PDS-ja është pritur t’i japë fund kësaj agonie politike. Mirëpo ajo, as pas tre muajsh ofertash nga Forca dhe Partia Demokratike, nuk ka shprehur përfundimisht vullnetin dhe gatishmërinë për marrjen e pushtetit në Ulqin. Përfaqësuesit lokal të kësaj parti   presin përgjigje nga qendra, por nuk dihet se kur do të vijë dhe çfarë do të jetë ajo. Dihet pothuaj me siguri se në rrethanat aktuale dy liderët e tashmë ish-partnerëve të koalcionit qeverisës Forcës dhe   Partisë Demokratike   nuk pranojnë të jenë së bashku pjesë e pushtetit. Partia e vetme opozitare shqiptare Unioni Demokratik i Shqiptarëve është deklaruar e gatshme të rikthehet në pushtet, ndërkohë që partitë e tjera politike në Ulqin janë të mendimit se mënyra më e mirë për daljen nga ky qorrsokak politik do të ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore.

Nga ana tjetër qytetarët presin me padurim që të gjithë   akterët politikë të ulen së bashku në tryezën e bisedimeve dhe përmes një dialogu konstruktiv  të ofrojnë   një zgjidhje e cila do të zhbllokojë punën e organeve dhe institucioneve vendore. Në të kundërtën klasa politike do të tregojë mungesë respekti kundrejt votuesve të vet.