Deputeti shqiptar Gjeloshaj bojkoton punimet e Parlamentit në Mal të Zi

May 20, 2016   | Politika

Nik-Gjeloshaj-Parlamenti-i-Malit-te-Zi-1Një fjalor i botuar së fundmi nga Akademisë e Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, ka bërë që deputeti i Alternativës Shqiptare në Parlamentin malazez, Nik Gjeloshaj, në shenjë proteste t’i bojkotojë punimet e Parlamentit, njofton portali Malësia, përcjellë Klan Kosova.

Gjeloshaj, që njoftimin për bojkot e ka prezantuar edhe në llogarinë e tij në Facebook, është deputeti i vetëm shqiptar që deri më tani ka ndërmarrë një veprim të tillë.

Ai në seancën e djeshme ka thënë se “shqiptaret nuk janë ardhacak në këto troje, nuk janë pushtues, okupator apo imponues, malësoret janë shqiptar si gjithë shqiptaret tjerë”.

“Në shenjë proteste ndaj veprimeve të fundit të Akademisë së shkencave dhe arteve të Malit të Zi, kam vendosur të largohem nga punimet e Parlamentit të Malit të Zi deri sa ta shohë të arsyeshme dhe në interes të qytetarëve shqiptarë kthimin tim në këtë Parlament”, shkruan Gjeloshaj.

Madje, Gjeloshaj veprimin e tij thërret që ta përcjellin edhe deputetët e tjerë shqiptarë.

“Apeli im është që edhe deputetët tjerë shqiptarë të largohen nga Parlamenti dhe të aktivizohen në mënyrë që të gjithë bashkërisht të ‘zgjojmë’ organet kompetente që të reagojnë dhe ta ndalojnë botimin e këtij fjalori i cili përhap urrejtje nacionale, fyerje të ndjenjave kombëtare dhe të drejtave të shqiptarëve”.

Nëse diçka e tillë nuk ndodh, Gjeloshaj ka paralajmëruar edhe padi ndaj Akademisë malazeze.

Gazeta Monitor