Ulqinakja Etrita Ibroci – Vizioni i Shqiptares

May 22, 2016   | Lajmet / Vijesti

Etrita IbrociEtrita Ibroci – Shqiptarja e Ulqinit  Senior Vice President në Unicredit -Kepler Chevreux që fokusohet në hulumtimin e  tregut financiar  evropian ne SHBA/

Dëshira dhe ëndrra  e Etrita Ibrocit ka qenë gjithmonë të tregojë se si ne shqiptarët mund të arrijmë çdo gjë si në gjuhën tonë amtare dhe në të njëjtën kohë, edhe në gjuhën  zyrtare të Malit të Zi. Një ndër motot që e ka shoqëruar vazhdimisht në jetën e saj ka qenë: kurrë të mos dorëzohesh sepse çdo gjë e ka zgjidhjen dhe rrugëdaljen e vet,  tek të cilat  të çojnë puna e palodhur, durimi dhe pasioni.

Secili duhet të ketë një vizion pozitiv për jetën, angazhimet e veta personale, por  edhe një dashuri të pakushtëzuar  ndaj familjes dhe të afërmve.

Një tjetër moto po aq e  rëndësishme sa ajo që sapo përmendëm dhe që e ka ndihmuar shumë gjatë jetës, ka qenë që të jesh gjithmonë e pathyeshme dhe të mos dorëzohesh nga vështirësitë…. Po u rrëzove, ngrihu sërish në këmbë për të arritur pikësynimet që i ke vënë vetes, sado të largëta, të vështira  dhe të paarritshme të duken.

E lindur në Ulqin në Mal të Zi në vitin 1972, Etrita  ku  ka kaluar fëmijërinë dhe studimet e shkollës fillore deri ne vitin e tretë të gjimnazit. Fëmijëria e saj ishte e  pasur  me dije sepse familja ku u lind dhe u rrit ishte një familje e kulturuar dhe arsimdashëse.

Babai ishte mësues dhe  u përpoq gjatë gjithë jetës ta edukonte me pasion e dashurisë per gjuhën shqipe, dijes, diturisë, edukatën e punës dhe vullnetin e fortë.

Gjithë  fëmijërinë e ka kaluar duke hulumtuar botën e diturisë dhe njohurive në çdo lëndë. Është e pasionuar për pikturë, recitim dhe sport; volejboll, boks/karate dhe not.

Etrita Ibroci-

 Flet gjashtë gjuhë; flet rrjedhshëm gjuhën amtare shqipe, gjuhën kroate, spanjolle dhe italiane. Në një nivel mesatar ajo flet gjithashtu gjuhën ruse dhe gjermane.

 Etrita  u diplomua në St.John Univerziteti në 1995 (magna cum laude, që do të thotë me notën maksimale),  me Diplom Bachelor i arteve në ekonomi dhe shkencat politike dhe me Nëndiplomë  në filozofinë e drejtësisë.

Ajo gjithashtu mban edhe titullin e magjistrit nga Univerziteti Fordham në financë dhe sisteme menaxhimi ( gjithashtu me  magna cum laude).

Sot,  Etrita Ibroci është Vice Presidente në një firmë evropiane – Kepler Chevreux që fokusohet në hulumtimin e  tregut financiar  evropian , rol ky që e ka mbajtur në nëntë vitet e fundit.

 Nga përvojat e saj të mëparshme, përmendim  punën  e saj tek Merrill Lynch ku ka punuar si Stratege Internacionale dhe ajo tek Credit Suisse, ku u mor me hulumtime në botën financiare globale dhe me strategji në sektorë të  ndryshëm (gjithashtu globalë) për afro  tetë vite.

Duke punuar për bankimin privat tek Credit Suisse ajo ka krijuar disa portofol financiar të bazuar në tema  të ndryshme aktuale të tregjeve globale financiare.

Ju lutem ndiqni bashkëbisedimin me Etritën.

Pyetje: Etrita,arësyet e studimeve ju bënë që  ju të largoheni herët, në moshë të re nga vendi juaj për në Amerikë. A ka qënë e veshtirë per ju , familjen, vendimi për tu larguar nga vëndi, dhe per t’u diplomuar ne nje universitet  ne vënd te huaj me nje shoqëri te hapur, e me culturë krejt ndryshe nga e jona ? 

-Pas mbarimit të vitit të tretë në Malin e Zi, vitin e fundit të gjimnazit e mbarova në North Carolina, në SHBA, si pjesëtare e programit “exchange student’. Atje jetova dhjetë  muaj me një familje amerikane por me origjinë angleze. Ishin muaj të mbushur me aktivitete intensive në shkollë sepse bëja pjesë në klasat e nivelit të lartë (AP classes) si klasa para përgatitëse  për kolegj dhe me një nivel më të lartë të  studimeve dhe provimeve. Ishin 10 muaj të mrekullueshëm sepse përvetësova gjuhën angleze  dhe atë gjermane. Në njëjtën kohë, mora më tepër konfidencë  për jetën dhe ambientin ku banoja, hulumtova shumë kolegje  dhe vendosa të kthehem për të studiuar më gjatë dhe të krijoj të ardhmen në Amerikë.

-Sa i vështirë ishte fillimi i jetës suaj dhe adoptimi në jetën Amerikane nga pikëpamja ekonomike, kulturore, periudha e studimeve dhe e diplomimit?

-Në gusht të vitit 1991 erdha në New York me 200 dollarë në xhep dhe një valixhe të mbushur me libra. Vitin e parë kam jetuar me hallën në bodrumin e saj dhe me vonë kur mbërriti edhe babai, kaluam në një apartament të vogël. Halla dhe familja e saj më ndihmuan shumë vitin e parë dhe jam shumë mirënjohëse për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre.

-Gjashtë vitet e para ishin më të vështirat e tërë jetesë sime.Isha 18 vjeçare dhe jeta në Amerikë ishte luftë e përditshme për  ekzistencë. Nga ora tetë e mëngjesit e deri në orën 15.00 isha e angazhuar me studime në kolegj  dhe duke punuar si asistente e profesorëve dhe më pas deri në mesnatë duke punuar në piceri.Kjo ishte jeta ime për  gjashtë vitet e para deri sa  përfundova studimet në kolegjin e St Johns’- it në tri degë: atë  të ekonomisë, politikës dhe filozofisë së lighit,të gjitha me rezultate të  shkëlqyera.Më vonë mbarova edhe  Magjistraturën – Master in Business Administration në Fordham University  në dy drejtime, atë të financave  dhe sistemeve  menaxhuese.Këtë të fundit  e mbarova për 16 muaj sepse ishte një drejtim intensiv dhe më i avancuar. Të gjitha i kreva me sukses duke pasur  përkrahjen e prindërve, vëllait dhe motrës që i dua më shumë se çdo gjë në jetë.

-Sa mbështetëse ishte për ju  familja në këtë rrugë të vështirë të suksesit?

-Ne jemi një familje shumë e bashkuar dhe e dedikuar t’ë ndihmojmë njëri tjetrin. Kur mbërrita në Amerikë isha vetëm, por qëllimi im kryesor ishte të sillja tërë familjen.M’u deshën plot katër vjet që t’i bashkoja të gjithë, së pari babain, vëllain e më pas mamin dhe motrën. Të gjithë kemi punuar nga 2-3 punë dhe kemi kryer studimet. Unë në financë, vëllai në matematikë dhe fizikë dhe motra në fashion dezijn dhe graphic dezijn.

Zonja Etrita, mendoj se do të ishte me interes si për mua  dhe për lexuesin, të na tregoni se cila ishte dëshira juaj e parë sapo mbërritët  në Amerikë, dhe me sa mund u realizua ajo?

-Dëshira dhe qëllimi im kryesor kur erdha në Amerikë ishte për të kryer studimet dhe për të bashkuar familjen time. Familja e bashkuar për mua është gjëja kryesore për të pasur një jetë të lumtur dhe gëzimplotë. Ne të gjithë kemi punuar shumë për të arritur këtë që kemi sot.Personalisht, mund të them që një pjesë e jetës sime rinore shkoi shumë shpejt.Kam studiuar dhe punuar me orar të plotë si  unë,  vëllai dhe motra. E kemi bërë me bindjen për të mbështetur familjen tonë.Nuk ka qenë e lehtë…Por kjo përvojë, përpjekjet e vazhdueshme me gjithë forcat e mia për të arritur atë çka i kisha vënë pikësynim vetes, më në fund u shpërblyen.

– Si ka vazhduar karriera juaj mbas diplomimit në degët e ekonomisë, politikës dhe filozofisë si dhe angazhimet e tjera ?

-Kariera ime filloi me 1999 në Credit Suisse – bank Zvicerrane ku punova për tetë vite dhe merresha me kërkime në botën financiare globale.Më vonë kalova në një bankë  Franceze (Credit Agricole) dhe Italiane (Unicredit) ku punoj prej nëntë vitesh   dhe ende po punoj  dhe merrem  me investime në bursat e  Evropës së Zhvilluar me titullin Senior Vice President.Puna është shumë intensive edhe sepse orari mund të jetë shumë i gjatë. Por kjo që bëj më pëlqen pa masë dhe i përshtatet plotësisht karakterit tim. Unë jam njeri që nuk dorëzohet para vështirësive.Kam hasur shumë vështirësi në jetë dhe kam punuar e luftuar shumë për t’i kapërcyer duke pasur gjithmonë një këndvështrim pozitiv për jetën.Bota ime nuk është ajo e të pasurit me qindra “shokë e shoqe”  virtual në rrjetet sociale. Unë besoj se është më mirë të kesh  një rreth  të ngushtë prej 15-20 shokëve/shoqeve, familjarëve e të afërmve dhe t’i dedikohesh  kultivimit të këtij grupi.

Etrita, nga biseda mësova se një moto e fuqishme gjatë gjithë karrierës suaj ka qene të jesh “confident” dhe “të kesh një ambicie”  apo vullnet për të arritur synimet në vetvete pa marrë parasysh sa të vështira të jenë ato.Sa mund ju është dashur për t’i realizuar ?

-Shumë herë jeta na vë në sprovë me vështirësi të shumta. Shumë herë të duket sikur s’do t’ia dalësh por kjo s’më  ka penguar kurrë që të përballem me vështirësitë.  Çdo gjë përballohet me vullnet, me një vizion pozitiv,  me dashuri familjare dhe mbi të gjitha duke kërkuar vazhdimisht të shkosh përpara  për të jetuar një jetë të ndershme.

-Cili ka qenë bashkëpunimi me organizata të tjera në ndihmë të komunitetit shqiptar dhe gruas shqiptare që jeton dhe punon në Amerikë si ajo e APEN-it, AAWO, AASS, NAAC?

– Ideja e APEN-it  i ka fillesat e saj  para 10 viteve ku unë  dhe një grup të rinjsh u mblodhëm për të krijuar një organizatë me një detyrë të veçantë: ndërthurjen e aftësive dhe njohjeve profesionale të rinisë shqiptare në SHBA, me qëllim krijimin e një rrjeti mbështetës profesional me identitet shqiptar.  Me anë të APEN-it  duam të krijojmë një rrjet ku njerëzit mund të lidhen e të ndihmojnë njëri tjetrin për gjetjen e një vendi pune, për avancimin në karrierë, për gjetjen e mundësive të përbashkëta për profesionet dhe bizneset e tyre. Por, dëshira dhe puna jonë shkon përpara sepse  duam të arrijmë akoma më shumë. Të afrojmë forcat tona rinore dhe profesionale për të pasqyruar dinjitetin dhe  vlerat shqiptare dhe të shpalosin talentin shqiptar në të gjitha fushat profesionale dhe sipërmarrëse. Duam t’i kthejmë këto angazhime në diçka përfituese për vendet tona, për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Nëpërmjet APEN-it , ne kemi organizuar shumë tubime në sfera të ndryshme (mjekësore, art, financë) dhe vazhdojmë të krijojmë  tubime të vazhdueshme për profesionistët shqiptar në Amerikë dhe po punojmë për zgjerimin e rrjeti profesional. Gjate 25 viteve në Amerikë, gjithashtu kam bashkëpunuar dhe isha një ndër anëtarët themelues të shumë organizatave shqiptare, si AAWO – Motrat Qiariazi, NAAC dhe e funding AASS (Albanian American Success Stories). Me AASS-in pata rastin të vizitoj Ulqinin dhe Tuzin vitin a kaluar. Arsyeja kryesore pse shkuam në emër të AASS në Mal të Zi , ishte  sepse ne dëshirojmë të shpalosim histori  të sukseseve dhe arritjeve  të shqiptarëve të Malit të Zi. Dhe të gjithë këto  histori natyrisht fillojnë nga përvoja e individit, nga  shpresat dhe ëndrrat e secilit prej nesh dhe sfidat që  kemi kapërcyer në arritjen e këtyre  ëndrrave. Kur ishim në Mal të Zi vitin e kaluar, n diskutuam  rreth projekteve të përbashkëta në fushat ku unë dhe kolegët e mi nga AASS mund të ofrojmë ekspertizën dhe përvojën tonë. Ne kemi filluar të punojmë në disa projekte dhe të ofrojmë bursa për studentët që kanë rezultate të larta  në shkollën e mesme. Gjithashtu,  shqyrtuam mënyrat se si ne mund të ndihmojmë dy qendra për fëmijë me nevoja të veçanta duke i ndihmuar me mënyra të ndryshme mbështetjeje.

– Cfare mendimi keni per gjithpërfshirjen e gruas, dhe pozicionin e saj sot, e cila lë per te dëshiruar shoqerine tonë maskiliste?  Cili eshte mendimi juaj intelektual, dhe vizioni  juaj, për boten e gruas shqiptare?

-Femra shqiptare tani është besnike e vizionit botëror mbi tolerancën, arsyen, dashurinë dhe drejtësinë. Ajo është edukatore e brezit të vet dhe bartëse e kulturës. Në ketë mënyrë ajo në çdo hap materializon thënien a hershme që është gjithmonë reale, se “pa femër  të arsimuar nuk ka as komb të kulturuar”.

Cili eshte mesazhi juaj  për rininë, profesionistët, sipërmarrësit, udhëheqësit per mënyrat e bashkëpunimit  për shqiptarët ne Amerike në komunitet dhe në trojet shqiptare?

-Ju ftoj të gjithëve të rrisni angazhimet tuaja, t’i kryqëzoni dhe t’i shkëmbeni arritjet, njohjet dhe përvojat profesionale. Le të promovojmë më tepër talentin shqiptar. Lë të bashkëpunojmë më shumë me njëri tjetrin. Dhe lë të gjejmë mënyrat e bashkëpunimit për shqiptarët këtu në komunitet dhe në trojet shqiptare. Shembujt e Rita Orës në muzikë, Xherdan Shaqirit në futboll, Majlinda Kelmendit në xhudo na frymëzojnë të gjithëve që të bëjmë më shumë dhe të arrijmë akoma e më shumë.

Dhe së fundmi ju pyes si profesioniste në ekonomi , c’farë mesazhi keni  për politikën per tu pëmiresuar ekonomia gjithmonë e me tepër?

–  E kam  një porosi edhe për udhëheqësit tanë. Shqipëria dhe Kosova çdo ditë e më shumë po përmirësojnë imazhet e tyre, imazhin tonë në botën e jashtme. Por, lë të bëjmë më shumë. Le të investojmë më tepër në arsim dhe zhvillim ekonomik dhe të krijojmë ekonomitë më të fuqishme për  të dyja vendet, ekonomi të dijes. Ekonomi që të zhvillojnë bizneset shqiptare, të sjellin më shumë investime të jashtme dhe zhvillimin e turizmit malor të Kosovës dhe atë detar të Shqipërisë në hartat ndërkombëtare.

– Besoj se ka mjaft talente shqiptarë që mund të jenë pjesë të këtyre ambicieve, ashtu si edhe ju zonja Etrita,  qe kanë treguar shume vlera ,kane qene konkurrues, dhe fitues  me shanset qe ju jane ofruar ?

-Patjetër që ka dhe shqiptarët mund t’i arrijnë këto gjëra dhe shumë të tjera. Vetë vizita e Papa Françeskut në Shqipëri dëshmoi një vlerë shumë të rëndësishme shqiptare. Me gjithë dyndjet e popujve dhe perandorive në trojet tona, me gjithë kombet dhe fetë që kanë dominuar, shqiptarët qëndruan të bashkuar. Dhe sot janë të bashkuar kundrejt dallimeve të tyre fetare dhe kulturore. Pra, kemi shpalosur vlera që janë trashëgimi ndërkombëtare. Tani le të bëjmë më shumë për çdo shqiptar, lë të arrijmë më shumë në sipërmarrje si vënde. Dhe le të jetë çdo shqiptar përfitues I këtyre angazhimeve.

***

Etrita Ibroci:Se fundmi kam nje mesazh per ju Z.Liliana. Je mesazhierja dhe zëdhënësja e gruas shqiptare.Dua t’u falenderoj shumë për vizionin dhe punën e palodhur.Faleminderit per gjithshka që ben. Vizioni juaj më ka pëlqyer shume. Ju i keni  bërë nje shërbim te madh gruas shqiptare dhe Kombit Shqiptar.Faleminderit për intervistën

***

Liliana: Unë ju falënderoj për keto mesazhe të rëndësishme  për shoqerinë shqiptare dhe komunitetin shqiptar  kudo ku ndodhet. Ju pergezoj nga zemra per arritjet tuaja profesionale, dhe ju uroj punë të mbarë e të suksesshme në të gjitha impenjimet tuaja. Faleminderit Vlerat sjellin paqe lumturi dhe mirëqënje.

 

Bisedoi: Dr. Liliana PERE

International Organization.

Albanian Woman in the World

Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

Burimi: Gazetadielli.com

YouTube Preview Image