Shije e hidhur

May 23, 2016   | Shtypi / Mediji

Gjeke-Gjonaj-UlqinGjekë Gjonaj

Edhe në Parlamentin e Malit të Zi  përplasjet dhe polemikat   mes palëve  kanë kaluar kufijt e një komunikimi  normal  e  të civilizuar. Këtë e dëshmon  ajo që pamë  në ekranet televizive të premten e shkuar  në Parlament,  në  sallën  ku  duhej të debatohej  për propozimet e ministrave nga radhët e  opozitës për qeveri kalimtare. Incidenti nisi  kur kryeminsitri  Millo Gjukanoviq  doli në foltore për të   propozuar ndryshimet në  përbërjen e Qeverisë.  Deputetët e  Frontit Demokratik në këtë moment nga bankat e Kuvendit  të ngritur në këmbë  i brohoritën me zë të lartë   kryeministrit malazez  me fjalët“ Millo hajn ”!  E menjëhershme ishte edhe përgjigjja e kryeminsitrit të nervozuar  po me këtë  lloj gjuhe  të pahijshme, agresive dhe fyese  në raport me kundërshtarët politikë: “ Ju lumtë budallenjë”!   Kjo ndikoi  në ngritjen shtesë të klimës së tensionur  politike në sallë. Deputetët e Frontit Demokratik  dhe kryeminsitri Millo Gjukanoviq  iu drejtuan njëri-tjetrit me  një gjuhë shumë agresive, fyese e diskriminuese, e cila nuk e nderon asnjërën palë.  Këto fyerje personale   u kthyen  në një duel verbal në mes të dy krahëve, i cili për fat të mirë përfundoi  pa ndonjë përleshje fizike e përdorim grushtash.

Kjo atmosferë shumë e tensionuar  në Pralamentin e Malit të Zi e shprehur me një fjalor vulgar mes atyre që janë votuar nga zgjedhësit për të qeverisur e për të debatuar mbi hadhet e tyre   në sytë e opinionit publik u duk pothuaj  më keq se sa një betejë  burrash me grushta.  Kjo luftë fjalësh të pahijshme, sharjet dhe fyerjet e klasës politike malazeze edhe 26 vjet pas ndryshimit të sistemit në përceptimin tim  pa dyshim na lanë një shije  të hidhur.  Ato në një farë mënyre, më shumë se sa kundërshtarin kanë fyer publikun –  qytetarin në Mal të Zi. Profesioni tepër i lartë i tyre (lexo politikanëve malazez)  e bën të pajustifikueshëm këtë lloj niveli komunikimi.  Ky stil i zgjedhur i komunikimit  të politikanëve malazez në zhvillimet e të premtes  nuk duhet të jetë model komunikimi i një shoqërie  moderne të cilën e ëndërrojmë të gjithë.  Tensionimet e këtilla politike janë krejt  të panevojshme.  Standarde të këtilla komunikimi janë të papranueshme  le të themi për vende normale dhe demokratike. Aktorët politikë malazez sikur nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë pasojën që prek edhe ata vet, kur përpiqen të delegjitimojnë kundërshatrin. Madje vëmë re se publiku, përjashto një pjesë   ekstreme që e dëshiron këtë gjuhë, në pjesën më të madhe të rasteve  dënon më shumë atë politikanë që artikulon sharjen, se sa atë që e pason sharjen.  Është e pamundur të mendosh e të besosh që, njerëz të cilët nuk e kontrollojnë veten, diskursin e tyre, ligjërimin dhe trurin e tyre, të mund të ndërtojnë sisteme vlerash të cilat qeverisin shoqërinë.

Ky skandal është  një mesazh i keq për Malin e Zi, i cili nuk duhet të përsëritet.Parlamenti  është një vend ku duhet të shkëmbehen argumentete dhe idetë, ku partite duhet të konkurrojnë me projektet dhe vizionet e tyre për zgjidhjen më të mirë të problemeve, por jo me sharje e fyerje. Ky nivel i ulët i komunikimi nuk e ka vendin në Parlament. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me demokraci.

Sigurisht, ky nuk është incidenti apo sherri i parë në Parlamentin malazez, por s’është as i vetmi i ndodhur në një parlament. Në mbarë botën ka mjaft precedentë të sherreve me përmasa të mëdha, si ato të kohëve  të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Turqisë, Ukrainës,Italisë, Çekisë, Tajvanit, Meksikës, Indisë etj.Sherre të bujshme  në historinë e jetës parlamentare ka patur madje  edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në kontekstin e shoqërisë sonë zhvillimet e fundit në Parlamentin e Malit të Zi komentohen ndryshe nga ato me demokraci më shumë të zhvilluara se sa është kjo e jona.