Në Mal të Zi ngrehen aktpadi vetëm pse festohet kuq e zi !

June 10, 2016   | Bota

(Si aplikohen ligjet në mënyrë të një-anëshme ndaj shqiptarëve në Mal të Zi )

 

Xheladin-Zeneli_NEW YORK Është njoftuar se  këto ditë është ngritur padi penale nga Ministria e Punëve të Mbrendshme të Malit të Zi (përkatësisht ekspeditura e kësai Ministrie në Ulqin), ndaj pronarit të ndërmarrjes “Allaj Company” në Ulqin, me arsyetimin e shkeljes së Ligjit për rendin dhe qetësisë publike ” kur me datën 11 Tetor 2015, me rastin e ndeshjes së futbollit në mes Shqipërisë dhe Armenisë, është lejuar që në lokalin e tij ,mysafirët  të  brohorisin “UÇK ” dhe ” Shqipëri Etnike ” dhe se është valvitur flamuri shqiptar që ata e quajnë flamuri  i një “shteri tjetër”  !?.

 

Është tepër interesant se si Ministria e  Punëve të Mbrendshme të Malit të Zi e përdorë  të ashtuquajturin Ligjin për rendin dhe qetësinë sa herë që shqiptarët tubohen për të shfaqur përkrahjen për ekipin e tyre kombëtar- Kuq e Zi, por edhe në raste të tjera.Njëkohësisht,

vërehet hezitimi i intervenimit të tyre kur kemi të bëjmë me “incidentet” që janë drejtuar kundër shqiptarëve ?

Gjatë këtyre viteve të fundit kanë ndodhur disa akte antishqiptare, posaçërisht gjatë evinimenteve sportive, por nuk ka informata se janë marrë ndëshkime apo që janë ngritur padi ligjore ndaj atyre që i kanë kryer. Pra, bëhet pyetja se ku ishin organet kompetente të”drejtësisë”, për të denoncuar apo për të shpall padi ndaj rasteve kur viktimë  ishin shqiptarët ?

Po numrojmë vetëm disa:

– Në Shkurt të vitit 2012 në turnir të lojës së basketbollit i cili i mbajt në Tivar, gjatë ndeshjes  në mes ekipit të Ulqinit dhe ekipit të Sutjeskës nga Nikshiqi,nga tifozët e  Sutjeskës u ndigjuan brohoritjet ofenduese ” Shiptari” dhe thirrje tjera me karakter denegrues. Ironia më e madhe është se gjatë tërë kohës së ndeshjes, në sallën ku u mbajt ndeshja, ishin edhe pjesëtarët  e policisë, të cilët ,për çudi, aspak nuk reaguan ;

– Në Tetor të vitit 2014 në Nikshiq të Malit të ZI, në një ndeshje tjetër basketbolli ,në mes ekipit Sutjeska dhe ekipit “Peja” nga Kosova u ndigjuan brohoritjet për vrasjen e shqiptarëve. Përsëri asnjë reagim nga organet kompetente të sigurisë apo të drejtësisë;

-Poashtu në  Tetor të vitit 2014 ,nxënësit shqiptarë të shkollës së mesme në Tuz, shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike e mbështetjes së ekipit kombëtar të shtetit të tyre amë-Shqipërisë  në ndeshjen kundër Serbisë që u mbajt  me 14 Tetor 2014, por me këtë rast ata u  sulmuan fizikisht nga nxënësit e tjerë  jo shqiptarë të kësai shkolle;

– Në ndeshjen futbollistike në mes ekipit të Kukësit dhe Mladostit të Podgoricës, që u zhvillu me 24 Korrik 2015 në Podgoricë dhe ishte ndeshje në kuadër të kualifikimit për Ligën e Europës me ç’rast Kukësi fitoi, tifozat vendas brohoritën thirrjet tashmë të njohura shoveniste dhe raciste kundër shqiptarëve, si ” Vraje, preje, që shqiptari mos të ekzistojë… (në sllavisht : Ubi, zakoli, da shiptar ne postoji…”) !?.Përsëri,nuk ka informata se u muarën masa ndëshkimi ndaj atyre që ofenduan në baza kombëtare apo që u ngrit ndonjë padi ndaj autorëve .

 

Pra, këtu qendron hipokrizia e “shtetit ligjor” malazez dhe aplikimi i njëanëshëm i ligjeve të drejtësisë :Rastet kur ofendohen shqiptarët, quhen “incidente të izoluara” nga ana e zyrtarëve qeveritar, kurse në rastet kur , tifozat shqiptarë festojnë apo simpatizojnë ekipin e tyre kombëtar, ngrehen akuza apo ndiqen penalisht për “prishjen e rendit dhe qetësisë ” ( !?).

Gjithashtu, egziston edhe një dallim i qartë në mes tifozëve shqiptarë dhe tifozëve të tjerë në Mal të Zi. Me rastin e ndeshjes së ekipit kombëtar të tyre ( pra, Shqipërisë) tifozat shqiptarë sillen në mënyrë dinjitoze duke brohuritur dhe valvitur simbolet e tyre kombëtare,por pa ofenduar apo kërcënuar popujt e tjerë, ( çka ndodhi edhe në rastin e shqiptarëve që ndjeken ndeshjen në lokalin ” Shisha Bar” në Ulqin),  por të cilët si pasojë e kësaj,  u bën  objekt i ndjekjeve penale nga organet e policisë, kurse në anën tjetër kalojnë pa u ndëshkuar aktet e huliganizmit sllavo-malazez të cilët bëjnë thirrje të hapur për zhdukjen e shqiptarëve !? Pra, siç duket ligji  vepron  vetëm ndaj shqiptarëve !

 

Akuza dhe ndjekje të tilla penale na sjellin kujtimet e hidhura të sistemit monist, posaçërisht gjatë viteve famëkeqe të “80-ve të shekullit të kaluar kur shqiptarët persekutoheshin vetëm sepse përmendëshin  fjalën ” Shqipëri “. A kemi të bëjmë me ringjalljen e fantazmave të së kaluarës apo thjesht, vazhdim i politikës së vjetër, por tani i mveshur me petkun e demokracisë ?

 

Në prag të Kampionatit Europian të Futbollit, ku ekipi kombëtar i Shqipërisë bëri histori duke u kualifikuar për herë të parë në këtë Kampionat , jam i bindur se askush nuk ka tē drejtē, aq më pak organet policore në Mal të Zi   që t’ju ndalojnë shqiptarëve  që të festojnë dhe  të përkrahin në  mënyrë dinjitoze ekipin e tyre kombëtar me simbolet e tyre kuq e zi apo duke brohoritur emrin – Shqipëri.

 

Xheladin Zeneli

10 Qershor 2016