Ulqinakja Suzanna Shkreli shpall kandidaturën për në Kongresin Amerikan

July 6, 2016   | Bota, Lajmet / Vijesti

Suzanna-Shkreli-UlqinakjaNuk do të jetë e lehtë për shqiptaro-amerikanen që kandidon si Demokrate në një zonë ku ka gati 20 vjet që fitojnë Republikanët dhe ku procesi në Partinë Demokrate përfundoi në konfuzion nga tërheqja e kandidates së parë

 

Nga Ruben Avxhiu

Ndihmës-prokurorja nga Macomb, Suzanna Shkreli ka tani shansin që të bëhet shqiptaro-amerikanja e parë në histori që zgjidhet në Kongresin Amerikan.
Ajo është emëruar si kandidatja e preferuar nga Partia Demokrate për Distriktin e 8 Kongresional ku do të sfidojë kongresistin në fuqi, Republikanin Mike Bishop.
Demokratët shpresojnë se caktimi i shqiptaro-amerikanes do t’i japë fund gjendjes së konfuzionit të krijuar pasi kandidatja e tyre e parë, aktorja Melissa Gilbert, e njohur nga seriali televiziv “Little House on the Prairie” (Shtëpia e Vogël në Lëndinë) u tërhoq nga gara.
Aktorja hutoi Demokratët kur deklaroi se dhimbjet e mbetura nga një aksident i para disa vjetëve e bënin të pamundur konkurrimin e saj.
Problemi më i madh është se kjo tërheqje ndodhi shumë vonë. Kështu që në muajin gusht, kur Demokratët të paraqiten për të votuar për zgjedhjet parakrake ku do të caktojnë kandidaten e tyre për në nëntor, në fletëvotim do të jetë vetëm emri i Melissa Gilbert. Demokratët duhet të shkruajnë me dorë emrin e Suzanna Shkreli përndryshe do të mbeten me një kandidate që është tërhequr.
Është një gjendje e paqartë edhe sepse zyra e Sekretarit të Shtetit nuk ka bërë ende një vlerësim zyrtar të rastit të Milessa Gilbert.
Shqiptarët patën rastin ta njohin Suzanna Shkrelin gjatë vizitës së saj të fundit në Shqipëri për të ndihmuar spcializimin dhe masat e autoriteteve aty në luftën kundër dhunës në familje.
Në SHBA, Suzanna Shkreli punon në Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve të Zyrës së Prokurorisë, në Kontenë Macomb.
“Si një prokurore e Kontesë Macomb në Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve, unë përleshem me sfida të forta çdo ditë, për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi seksual dhe dhuna”, thuhet në deklaratën e botuar nga fushata e saj
Deklarata shton se, ndryshe nga ajo, kongresisti Mike Bishop dhe Kongresi në fuqi nuk guxojnë të përballen me sfidat e vështira.
“Prindërit e mi janë emigrant shqiptarë, klasë punëtore, që kanë punuar ditë e natë për të më ndihmuar motrën, vëllezërit dhe mua që të marrim një shkollim të mirë dhe të shkojmë në kolegj”, thuhet në deklaratën e saj që shpjegon se kjo është edhe arsyeja se pse Suzanna Shkreli ka vendosur që karrierën e saj ta përdorë që të shprehë mirënjohjen duke ndihmuar që brezi që vjen pas saj të ketë të njejtat mundësi.
“Në Kongres, do të punoj që të krijoj vende të mira punë, të përmirësoj shkollat, të mbaj armët larg nga duart e terroristëve, të kujdesem për veteranët, për t’i dhënë fund varësisë nga drogat dhe për të mbrojtur Sigurinë Sociale dhe Medicare”, rreshton ajo në listën e premtimeve të fushatës.
Suzanna Shkreli ka një rrugë të gjatë për të arritur deri në Kongresin Amerikan. Së pari duhet të zgjidhë situatën në Partinë Demokrate, së dyti të marrë votëbesimin e demokratëve në muajin gusht dhe pastaj të bindë një zonë që ka 20 vjet që voton për Republikanët se është koha për ndryshim.
Për këtë sigurisht që do të ketë ndihmën e pakursyer të shqiptaro-amerikanëve. Po pa një organizim dhe fushatë të fortë në distriktin e tetë vështirë që ëndrra e saj të materializohet, sado ndihmë që të marrë nga jashtë.
Ajo vetë është optimiste për sfidën e re dhe e mbyll deklaratën e parë si candidate me dy fjalë kuptimplote: “Jam gati!”

Burimi: illyriapress