In memoriam: Luigj (Pashuku) Zadrima (1925-2016)

July 20, 2016   | Shoqëria / Društvo

Luigj -Pashuku-ZadrimaRrnoi për me tregue

Pas një sëmundjeje disajavore, në ditët e para të këtij muaji u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare Luigj Zadrima nga Sutjeli i Ulqinit. Për të gjithë ata që e kanë njohur, ai ishte një njeri i veçantë, që rrezantonte butësi, mirësi, qetësi dhe optimizëm, me të cilat bënte çdokënd për vete.

Ai u lind më 9 nëntor 1925 në Sutjel, në një familje bujare dhe të ndershme, prej babës Pashukut dhe nënës Tone. Babai i tij ishte me prejardhje nga Zadrima e Shqipërisë, kurse nëna nga qyteti i Shkodrës. Me bashkëshorten Agen, të bijën e Lok Gjon Gazivodës nga Reçi dhe Çiles nga fisi Çotaj nga Shëngjergji, lindën gjashtë fëmijë – dy djem e katër vajza, por një djalë dhe njëra vajzë do t’u vdesin.

Vlerat dhe virtytet që i kishte trashëguar nga babai dhe nëna u bënë frymëzim dhe udhërrëfyes për jetën e tij, duke i trashëguar dhe transmetuar tek të tjerët, në radhë të parë te pjesëtarët e familjes së tij.

Që në fëmijëri u dallua për aftësitë intelektuale dhe fizike. Ishte nxënësi më i mirë i shkollës, por dallohej sidomos në lëndën e matematikës. Ka marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore në luftën kundër fashizmit. Pas luftës, u dallua edhe në ushtri. Falë fizikut dhe shkathësive të tij, askush nuk ka mundur ta rrrëzojë apo t’ia kalojë në hedhjen e gurit në brigadën ku ishte.

Si i ri ka qenë udhëheqës i aksionit rinor nga Komuna e Ulqinit në ndërtimin e hekurudhës Podgoricë – Nikshiq. Ka qenë aktivist shoqëror e politik, ku ka marrë pjesë si delegat i Ulqinit në Kongresin e Pestë të Lidhjes Socialiste të Malit të Zi në Podgoricë. Në disa mandate ka qenë këshilltar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit. Ka qenë pjesëmarrës i Besëlidhjes së Malësisë për pajtimin e gjaqeve.

Ashtu si dhe shumë shqiptarë të tjerë, rrethanat e jetës bënë që të emigrojë në SHBA, ku kaloi 25 vjet. Edhe atje u dallua sidomos në aksionet humanitare në ndihmë të të varfërve në vendin e tij, posaçërisht gjatë kohës së luftës. Por jeta në mërgim ia shtoi edhe më tepër dashurinë dhe nostalgjinë për vendlindjen. Pas pensionimit, pesë vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Ulqin.

Si dashamir i arsimit, e kishte të qartë se ai është katalizator i ndryshimeve dhe shtysë e ecjes përpara të shoqërisë. Prandaj dëshironte që brezat e rinj të shkollohen sa më shumë sepse jetonte me moton që arsimimi e shtyn përpara njerëzimin. Në këtë drejtim, ai ka një kontribut të çmuar për hapjen dhe mbrojtjen e shkollës në gjuhën shqipe në Shtoj.

Me stilin e tij të të rrëfyerit, Luigji apo Biqi siç e quanin familjarët, e bënte menjëherë për vete të moshuarin dhe të riun. Ishte kënaqësi ta dëgjoje duke rrëfyer ngjarje dhe histori të ndryshme nga e kaluara, ku ai vetë kishte marrë pjesë apo i kishte dëgjuar nga të tjerët. Ai ishte një enciklopedi e gjallë, me një memorie që rrallëkush e ka. Ishte i kthjellët deri në momentet e fundit para sëmundjes. Duke e njohur, mendoj se Luigjit do t’i shkonte përshtat shumë mirë thënia e famshme e At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”.

Familjarët e tij e kujtojnë si një njeri të dashur për të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësisë së tyre. Për të, nderi ishte kriteri i vlerësimit të njerëzve. Për të ekzistonin vetëm njerëz të ndershëm dhe të pandershëm. Si bashkëshort ishte i kujdesshëm dhe i respektueshëm, baba dhe gjysh i mirë që prirej t’i edukojë dhe t’i këshillojë fëmijët, nipat dhe mbesat me vlerat më të mira morale dhe njerëzore, se si të ballafaqohen me sfidat e jetës. Për çdo problem, sado të rëndë, ofronte zgjidhje, duke mos u përkulur.

Sipas amanetit, u varros në vendlindjen e tij, në varrezat në Shëngjergj, aty ku pushojnë eshtrat e të parëve të tij.

Ai iku nga kjo botë për në botën tjetër për të mos u harruar kurrë, si model i të jetuarit të jetës. Pjesëmarrja e një numri të madh njerëzish në ceremoninë e varrimit të tij, jo vetëm nga Ulqini, por edhe trevat tjera, ishte dëshmi e respektit dhe e vlerësimit të figurës së tij.

(Kohapress)