Në Mal të Zi, çdo e dyta komunë me rritje negative të popullsisë

August 20, 2016   | Rajoni / Region

sa kushton një banesë në Podgoricë-Mali-ZiNga gjithsej 23 komuna, sa ka në Mal të Zi, në 11 komuna më shumë njerëz vdesin se sa lindin. Me rritje negative të popullsisë kryesojnë komunat në veri të vendit ndërsa situata më alarmante paraqitet në Plevlja, raporton Anadolu Agency (AA).

Sociologët vlerësojnë se shkaqet e rënies demografike në veri të vendit janë papunësia, marrëdhëniet e këqija shoqërore-ekonomike si dhe shuarja e institucioneve arsimore.

Nga viti në vit veriu i Malit të Zi po zbrazet. Njerëzit lëvizin drejt Podgoricës në jug të vendit ndërsa nuk është i vogël numri i atyre që shkojnë në vendet e treta. Si rezultat i shpërnguljes gjithnjë e më masive është edhe rritja negative e popullsisë pothuajse në gjysmat e komunave në Mal të Zi, kryesisht në veri të shtetit.

– Veriu po zbrazet, njerëzit vendosen në Podgoricë –

Në pesë muajt e parë të vitit 2016, 11 komuna kanë patur rritje negative të popullsisë dhe shumica janë nga veriu. Kryeson Plevlja, ku viteve të fundit më shumë njerëz vdesin se sa lindin. Në pesë muajt e parë në Plevlja kanë lindur 79 foshnja ndërsa në periudhën e njëjtë kanë vdekur 190 persona, që paraqet minus 111 lindshmëri.

Pas kësaj komune, trendi më i madh negativ është regjistruar në Nikshiq – minus 70, Herceg Novi – 34, Cetinje -28, Kolashin -25, Zhabljak -19, Pluzhina -18, Mojkovc -16, Danilovgrad -15, Shavnik -14, Bijelo Polje -12.

Nga komunat bregdetare rritje negative e popullsisë është regjistruar vetëm në Herceg Novi.

Qytetet në veri të Malit të Zi, Rozhajë, Berane, Gusi, Plavë dhe Andrijevicë kanë rritje pozitive të popullsisë. Rritje më të madhe të popullsisë ka Podgorica (363), Rozhajë (91), Budva dhe Bar (30).

Podgorica është qyteti ku më shumë emigrojnë banorët. Në pesë muajt e parë në kryeqytetin malazez u vendosën 1.068 banorë ndërsa në periudhën e njëjtë nga kryeqyteti malazez u larguan 430 banorë.

– Më shumë shtëpi të mbyllura se sa familje –

Sociologu Sërgjan Vukadinoviç në deklaratën për Anadolu Agencu (AA) thotë se njerëzit nga veriu lëvizin drejt Podgoricës ose në vendet tjera. Ai përmend disa shkaqe përse është shënuar rritje negative e popullsisë.

“Ne sot në disa komuna më shumë kemi shtëpi të mbyllura se sa familje. Shkalla e rritjes së popullsisë është zvogëluar, ajo në veri të vendit zvogëlohet më shumë se në pjesën tjetër të vendit. Sipas vlerësimeve Mali i Zi deri në vitin 2050 do të humbas një qytet dhe do të ketë 10 përqind më pak banorë. Shkalla e zvogëlimit të popullsisë ka të bëjë me shumë shkaqe. Kriza e martesës si institucion, marrëdhëniet e këqija shoqërore-ekonomike, mundësia e punësimit, por kur është në pyetje veriu, është si rezultat i qasjes së keqe ndaj veriut, shuarjen e kompanive dhe institucioneve arsimore. Fakulteti në Plevlja u mbyll ndërsa diçka e ngjashme mendohet edhe për qytetet Berane dhe Bijelo Polje”, tha Vukadinoviç.

Të dhënat për vitin 2015 tregojnë se kur bëhet fjalë për territorin e përgjithshëm të Malit të Zi kanë lindur 7.386 foshnja përderisa po të njëjtin vit kanë vdekur 6.329 njerëz. Megjithatë, sipas projeksioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Mali i Zi do të ketë rreth 52 mijë banorë më pak, gjegjësisht afro 7 përqind.

Sipas këtyre të dhënave, trendi negativ demografik do të zvogëlojë për 8.2 përqind numrin e banorëve dhe në vitin 2050 në Mal të Zi do të jetojnë 574 mijë banorë. OKB-ja parashikon se në vitin 2100 Mali i Zi do të ketë edhe popullsi edhe më të vogël, respektivisht 437 mijë banorë. Këto të dhëna të OKB-së, ndërlidhen me trendin negativ demografik në këtë vend.

Portalb