Hajdinaga rikthehet në fushatën e PD-së, shpresë për bashkimin e shqiptarëve në Mal të Zi

August 25, 2016   | Politika
Hajdinaga opet ministarZgjedhjet e ardhshme parlamentare në Malin e Zi përbëjnë një shans të mirë për komunitetin shqiptar atje. Ky raund elektoral është specifik për shkak të rikthimit të një figure politike potenciale ndër komunitetin shqiptar, që pritet të bashkojë partitë shqiptare në Mal të Zi e po ashtu të shtojë mandatet shqiptare në atë parlament.

Ish-kryetari i Ulqinit dhe ish-ministri për të Drejtat e Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga, është projektuar që të jetë në krye të listës zgjedhore të Partisë Demokratike. Vetë kjo parti e cila synon që pas shumë kohësh t’i bëjë bashkë sa më shumë organizata shqiptare, përmes jë deklarate për shtyp, nuk e ka fshehur entuziazmin e saj për komporomisin e arritur për rikthimin në politikë të Hajdinagës.

“Jemi të sigurt se kjo listë të cilën do ta udhëheqë Hajdinaga, si njeri i cili për më së një dekadë ka qenë iniciues dhe realizues i shumë projekteve më vlerë për shqiptarët, do të fitojë votën e tyre dhe do t’i përfaqësojë me dinjitet në Parlamentin e Malit të Zi”-thuhet në deklaratë. Vetë Hajdinaga ka shprehur këmbënguljen e tij në punën negocuese mes faktorit shqiptar në mënyrë që ndikimi i tyre të rritet. “Neve na kanë kushtuar shumë mosmarrëveshjet e brendshme dhe këto kanë bërë që të relativizohet dukshëm ndikimi i shqiptarëve në politikbërjen në Mal të Zi.

Besoj se ka ardhur koha që këtë periudhë jo të mirë ta lëmë prapa vetes, të gjejmë gjuhë të përbashkët me njëri-tjetrin në mënyrë që të gjithë të jemi sa më të fortë dhe të bëhemi faktorë vendimmarrës, ashtu edhe siç na takon”,-ka thënë Hajdinaga.

Ai tha se është i gatshëm të bisedojë me secilin shqiptar në Mal të Zi i cili është i gatshëm që të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët dhe se marrëveshja e iniciuar nga Partia Demokratike me grupet e tjera politike është hap i mbarë në këtë drejtim. I gjithë ky interesim dhe intensifikim i punës politike vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi që mbahen më 16 tetor.

“Është koha e fundit të bashkohemi. Vetëm me bashkim të mirëfilltë mund të përmirësohet pozita e tyre e përgjithshme dhe të realizohen të drejtat e tyre të siguruara me Kushtetutë; duke vlerësuar se këtë mund ta arrijnë ata të cilët me rezultatet e deritanishme kanë vërtetuar se punojnë në interesin e bashkësisë sonë, e jo për interesa personale e partiake”, është pajtuar Fatmir Gjeka, kryetar i Partisë Demokratike. Në raportimin e medias vendase për këtë rikthim në politikë, Gëzim Hajdinaga konsiderohet si shpresë për shqiptarët.

Ai është lindur në vitin 1964 në Ulqin, me profesion është inxhinier elektrik dhe ka studiuar në Kosovë dhe në Shqipëri. Ka qenë anëtar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve që nga themelimi i kësaj partie. Në dy mandate ka shërbyer si ministër në qeverinë e Malit të Zi, kurse dy herë i ka fituar zgjedhjet edhe për kryetar të Ulqinit, pozitë të cilën e ka mbajtur nga viti 2006 deri në vitin 2011.

Gjatë mandatit të tij si ministër, Hajdinaga njihet si personi që ka thelluar urat e bashkëpunimit të Qeverisë së Malit të Zi me atë të Kosovës dhe të Shqipërisë – ndër të tjera duke hapur edhe pikat kufitare me Shqipërinë, atë Sukobin-Muriqan dhe pikën e Vërmoshit në Plavë, pranimi i diplomave, hapja e degës së gjuhës shqipe në Podgoricë, organizimi i panaireve të librit shqip etj.

Ndërsa si kryetar i Ulqinit mbahet mend për realizimin e projekteve të rëndësishme për këtë qytet bregdetar, siç janë ndërtimi i urës mbi Porto Milenë në Plazhin e Madh, hapja e maternitetit, kthimi i Çarshisë së Vjetër të qytetit, ruajtja e objekteve të trashëgimisë shqiptare, ndërtimi i Xhamisë historike në qendër të Ulqinit dhe shumë të tjera.

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)