Lukaj: Është e pakuptueshme që shqiptarët në Mal të Zi votojnë partitë malazeze

September 18, 2016   | Intervista / Intervju

Richard-Lukaj-Intervistë e Richard Lukaj për gazetën Koha Javore

Richard Lukaj, filantropist dhe biznesmen i suksesshëm i komunitetit shqiptar, në SHBA , i cili ka marrë pjesë së bashku me një grup shqiptarësh, në fushatën për ngritjen e fondeve – fundraisers për Hillary Clinton, në një intervistë për Kohën Javore shprehë shqetësimin për pozitën e shqiptarëve në Malin e Zi. Në pyetjen se si e vlerëson pozitën e tyre sot z. Lukaj thotë:

 

“ Të gjithë shqiptarët në Mal të Zi e përjetojnë çdo ditë këtë pyetje dhe e di shumë mirë që janë duke vuajtur për gjendjen e tyre. Është e pakuptueshme votimi shumë i madh i shqiptarëve për partitë e spektrit politik malazezë, gjë që sinjalizon se në çfarë pozite kanë rënë partitë shqiptare. Megjithatë jam optimist se vetëdija e zgjedhësit në një të ardhme do të rritet dhe nuk do ta shesin votën e tyre për 30-50 euro. Duhet të ndryshohet mentaliteti dhe të kuptohet që vota është e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë dhe vendit.”

Ndërkaq, lidhur me  miqësinë e zëvëndëspresidentit amerikan, Joe Biden me komunitetin shqiptar në SHBA dhe ndikimi i tij në rajon, z. Lukaj vlerëson se

“Zëvendëspresidenti Biden është mik i komunitetit tonë për më se dy dekada. Me djalin e tij kamë qenë në të njëjtin bord dhe si familje ata kanë pasur një interesim të veçantë për shqiptarët dhe Kosovën. Biden ende sot vazhdon të interesohet për Kosovën dhe e kupton shumë mirë këtë çështje. Para disa kohësh ne e mirëpritëm në shtëpinë tonë ku u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptarë dhe me disa afaristë që në njëfarë mënyre janë të lidhur me elitën politike në SHBA. Vizita e Biden në Kosovë ka rëndësi për rajonin por ne duhet kuptuar se diplomatët e huaj dëshirojnë qetësinë dhe integrimet euroatlantike, kurse problemet tjera ata i konsiderojnë çështje të brendshme të vendit.”

Ali Salaj