Mali i Zi tërheq fjalorin diskriminues për shqiptarët

September 25, 2016   | Ngjarjet - Events

crnogorski Rjecnik,Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Malit të Zi ka tërhequr nga shitja një fjalor të diskutueshëm të gjuhës malazeze. Fjalori, i cili ka dalë në treg në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Malit të Zi në muajin maj, ka shkaktuar reagime të ashpra nga disa parti shqiptare dhe boshnjake për shkak të disa fjalëve “diskriminuese dhe fyese” për popullin shqiptar dhe boshnjak. Niko Martinoviç, sekretar i Departamentit të Shkencave Humane në Mal të Zi, që funksionon në kuadër të Akademisë, tha për REL se “tërheqja është mënyra e duhur për të tejkaluar një gjendje irrituese për të dyja palët”. Përfaqësuesit e partive shqiptare pohonin se me shpjegimin e disa nocioneve në fjalor, shqiptarët janë paraqitur si agresorë, dhe patën kërkuar tërheqjen e fjalorit. Kjo tërheqje pason letrën e hapur të 114 intelektualëve nga Mali i Zi, në mesin e të cilëve gjenden edhe dhjetëra shqiptarë, të cilët kërkuan tërheqjen e fjalorit dhe kërkim falje ndaj qytetarëve. Vendimi për tërheqje vjen në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Mal të Zi, që do të mbahen më 16 tetor.  Kujtojmë se më herët deputeti shqiptar i Parlamentit të Malit të Zi, Nikë Gjeloshaj, ka vazhduar betejën e tij kundër fjalorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Mal të Zi, ku denigrohen dhe fyhen shqiptarët. “Unë jam shqiptar, nuk jam banor i Shqipërisë, lind e rritë jam në Mal të Zi si shqiptar autokton. Kjo është një nga fjalët e lexuar me kujdes, nëse ju e vlerësoni ndryshe, nëse ju e vlerësoni që ne shqiptarët që jetojmë në Mal të Zi, jetojmë edhe në Shqipëri është çështje e organeve të shtetërore malazeze. Albanizim- shqiptarizim, do thotë imponim i gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare. Kur flasim për procese të tjera, nuk e definoni si imponim, vetëm në këtë proces. Më tej edhe më e kontestueshme është fjala në fjalor. Thoni çka do thotë Albanizirati dhe e sqaroni. Edhe pse Malësorët janë Albanizu. Unë jam Malësor nuk jam i Albanizuar dhe thoni se e folura e tyre dallohet nga e folura standarde e çështje tjera. Për mua edhe një çështje më e kontestueshme, është Amerikanizimi. Në mes tjera thoni, që në kohët moderne quhet globalizim, por në fakt është Amerikanizim, ndërhyrje e vrazhdë në punët e brendshme kështu ju e përcaktoni. Mendoj se një përcaktim të tillë as Putin nuk do e bënte. Të nderuar kolegë deri sa Akademia e Shkencave e Malit të Zi përcaktohet në këtë mënyrë ndaj shqiptarëve, nuk duhet askënd të çudisë dallimi etnik që ekziston në Mal të Zi. Unë do jap kontributin tim që këto dallime etnike të zvogëlohen dhe me mjetet politike fuqishëm do luftoj kundër kokave të nxehta nga Akademia e Shkencave e Malit të Zi”, tha ai.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/