Vdiq Gjelosh Gjokaj, Picasso shqiptar

September 25, 2016   | Kulturë / Kultura

Gjelosh GjokajËshtë shuar nga jeta në moshën 83 vjeçare, akademiku i njohur Gjelosh Gjokaj i cili ishte njëherit piktor me famë botërore.

Gjokaj ka lindur në vitin 1933 në Milesh, lokalitet i Tuzit të Malit të Zi.

Si një piktor i njohur me famë botërore,  Gjelosh Gjokaj kreu Shkollën e Mesme të Artit dhe më pas studimet e larta në Akademinë e Artit, njofton Klan Kosova.

U diplomua më 1963 derisa gjatë viteve 1964-1969, themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës.

Akademiku Gjokaj nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë, ndërsa që prej 1983 jetonte në Augsburg të Gjermanisë, njofton Klan Kosova.

 

Vdekja e Gjelosh Gjokajt pikëllon artistët kosovarë

Autor: Yllnorë Elshani


Vdekja e Gjelosh Gjokajt  i ka pikëlluar shumë miq dhe kolegë të tij në Kosovë.

Luan Mulliqi, ish- drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës dhe mik i Gjokajt, tha për Klan Kosovën se vdekja e tij ka lënë zbrazëti të jashtëzakonshme.

‘’Është humbje e madhe për artin pamor dhe modern, jo vetëm shqiptar por edhe në Europë”.

“Gjelosh Gjokaj i përkiste një grupi të  artistëve të mëdhenj të Europës. Ai ishte i gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë, por njëherit edhe pionier i grafikës kosovare. Është piktor specifik i kohës moderne”.

Mulliqi u shpreh se Gjokaj do të kujtohet gjatë.

‘’Do të mbahet mend për pikturat e tij metafizike. Gjithë krijimtarinë e tij i kushtoi Tuzit të Malit të Zi. Për Gjeloshin u shkruajtën qindra kritika dhe çdokund krijimtaria e tij u vlerësua pozitivisht”.

Përmes artit, piktori i shquar do të kërkonte çdo herë të zhvillonte imagjinatën për të arritur në vepra të mahnitshme për të cilat u botuan edhe monografi.

‘’Për Gjelosh Gjokajn, u botuan edhe shumë monografi nga Akademia e Shkencave dhe Arteve. Ai pas vetes ka lënë qindra mijëra vizatime dhe piktura. Është me të vërtetë një humbje e madhe për të gjithë ne shqiptarët, e jo vetëm’’, ka përfunduar Mulliqi për klankosova.tv.

Dhembje ndjen edhe piktori Mehmet Behluli – profesor në Akademinë e Arteve.

‘’Lajmi se ka vdekur Gjelosh Gjokaj më preku shumë. Ishte lajm i papritur, vdekja e tij na preku të gjithëve”.

“Gjeloshi ishte një prej piktorëve doajenë, një prej baballarëve të artit bashkëkohorë në Kosovë. Ndihem shumë i pikëlluar për vdekjen e tij”.

Duke e pasur të vështirë t’i klasifikojë veprat e piktorit të famshëm, Behluli tha për klankosova.tv se ato radhiten në pikën më të lartë të artit.

‘’Veprat e tij janë shumë të rëndësishme për traditën e artit në Kosovë”.

Shkëlzen Maliqi, kritik i artit, përmes një statusi në Facebook tha se puna e Gjelosh Gjokajt ishte vepër kreative qasje e të cilit ndryshonte sikurse jeta e vet piktorit në disa faza.

Duke iu referuar veprës “Atëherë çfarë jam unë”, Maliqi shkroi se ai ngjason me një nomad modern.

‘’Si një nomad modern që i bredhte poshtë lartë relacionet mes Ballkanit, Mediteranit, Apenineve dhe Bavarisë, Gjokaj do të kërkonte dhe zhvillonte një profil artistik me karakteristika të përbëra, nga njëra anë profil dinamik dhe kërkues, dhe nga ana tjetër i fiksuar në tema identitare dhe të individualitetit, që nëse nuk ishin me figura dhe imazhineri statike, atëherë fokusoheshin në ca përshtatje lëvizëse”.

Piktori i njohur Gjelosh Gjokaj, ndërroi jetë në mëngjesin e së dielës, duke lënë pas vetes mbi 3 mijë veprave arti në pikturë dhe grafikë, njofton Klan Kosova.