Gjonaj: Mungesë guximi apo frikë nga politika

September 30, 2016   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Manifestimi-ValdanosiGjekë Gjonaj

Javën e kaluar para ndërtesës së Komunës së Ulqinit u organizua një protestë  e qytetarëve, të cilët ngritën zërin  kundër  vendimeve  të Qeverisë së Malit të Zi  që ullishta mos t’u kthehet ish – pronarëve  në gjirin e  Valdanosit. Atë ditë  ishin bashkuar  afro 100 qytetaarë të pakënaqur e  të zhgënjyer. Kishin ardhur vetë, të paorganizuar dhe të pastrukturuar, pa asnjë parullë , si qytetarë të lirë, ashtu siç u ka hije, për të kërkuar pronën e  tyre dhe të baballarëve, të cilën  e shfrytëzonin me shekuj. Të gjithë prisnin me padyrim  t’u drejtohet   dikush nga pushtetarët   vendorë e qëndrorë , që atë ditë bisedonin për këtë çështje  kaq të rëndësishme e madhore në zyrën e kyretarit të komunës, e cila do të duhej të preokupojë të  gjithë opinionin e kësaj komunë. Por çuditërsiht   kurrkush nuk u tha asgjë, asnjë fjalë. Protestuesit  ndiheshin të braktisur. Të vetmuar. Të pafuqishëm  për të reaguar  karshi  kërkesave të tyre legjitime. Të ndodhur në këto kushte,  këta njerëz  të pashpresë pas gati dy orësh  qëndrimi  nën qiellin e hapur para  ndërtesës së komunës u shpërndanë të qetë, ashtu siç kishin ardhur, por më të hidhëruar.  Me këtë logjikë po i bie se ullishta  u takon vetëm  protestuesve pjesëmarrës?

Çfarë e karakterizoi këtë protestë, e cila më shumë  ngjau në një tubim spontan të qytetarëve rreth një çështje shumë më pak të rëndësishme seç ishte kjo e asaj ditë?

Një reagim i dobët qytetar  ndaj shkeljes së  të drejtave të tyre nga ana e pushtetarëve    në   njërën anë, dhe një sjellje inferiore e  pushtetarëve  ndaj kërkesave legjitime  të qytetarëve, në anën tjetër.   Shkaqet e oponencës së  vogël qytetare, respektivisht të këtij  nënshtrimi qytetar janë të shumta, kurse rrënjët e hershme.  Në numrin e njerëzve në protestë konsideroj që ndikuan  disa faktorë, ndër të cilët po përmend    mungesën e guximit qytetar , nivelin e   ulët të  vetëdijes kolektive, mentalitetin komunist të frikës nga politika  dhe presionet nga jashtë.

Qytetarët, as pas 26 vitesh të sistemit plularist,   nuk po e ndiejnë veten të lirë të luftojnë për për të drejtat e tyre. Disa njerëz, në mesin e tyre për fat të keq edhe intelektualë ,   ose nuk duan ose nuk dëshirojnë të dinë se  çka është protesta.  Nga kokat e tyre assesi të shlyhet bindja  se frika është intstrumenti më i vjetër i pushtetit.

Kur do ta kuptojmë se protesta  përgjithmonë ka qenë, është dhe do të mbetet   vlerë e përgjithshme qytetare dhe obligim moral i secilit qytetar, e jo heshtja?  Kur do të arrijmë  që heshtjen  ta shndërrojmë në protestë dhe protestën ta bëjmë normë shoqërore, morale dhe filozofi të jetës sonë shoqërore e politke , siç e bën bota e civilizuar?

Përgjigjja është: Kur  të kuptojmë se mosreagimi  nuk na nderon, se  pasiviteti  sjell sundim , se  jemi të barabartë me ligjin, se një e ardhme e mirë nuk vjen vetë,    se së fundmi  protesta është arma e vetme për të mos heshtur para padrejtësive, që nesër nuk do të  na mbyllin rrugën, por edhe sytë dhe veshtë.