Gzim Hajdinaga – Intervistë në televizionin e Malit të Zi – Video

September 30, 2016   | Lajmet / Vijesti

Interviste-Gzim-Hajdinaga-TVCG-Mbrëmë ne televizionin publik të RTMZ (TVCG), Kryesuesi i lisët “Shqiptarët- Me një qëllim”, ishte i ftuar Gëzim Hajdinaga nga moderatori Musa Gjoka.

Gzim Hajdinaga tha për televizionin e Malit të Zi, se bashkpunimi i tij me subjektet që përbëjnë këtë koalicion është afatgjatë, dhe do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve parlamentare. Hajdinaga u shpreh se sipas mendimit të tij, rezultati i mirë në zgjedhje nuk do të mungojë, pasi puna e tyre në të kaluarën tregon se ky bashkëpunim mund të jetë shumë i frytshëm.

Ju ftojmë të ndiqni videon e realizuar nga televizioni publik TVCG ( TVMZ).

http://www.rtcg.me/upload/boxFileData/2016/09/30/196842/intervjugzim29092016.mp4
Nga Esiona Konomi
Gëzim Hajdinaga, një ndër politikanët shqiptarë me karrierën më të spikatur në Malin e Zi, do të kryesojë listën zgjedhore të koalicionit më të madh të partive shqiptare atje. Rikthimi i tij pas një shkëputjeje 5 vjeçare nga politika u cilësua si një ogur i mirë i konsolidimit të faktorit shqiptar, por vetë Hajdinaga, në një intervistë për Shqiptarja.com, thotë se pritshmëria nuk është shumë e lartë, dhe shqiptarët mund të dërgojnë në parlamentin malazez, në rastin më të mirë tre deputetë. Shkak përsëri bëhet dalja e shqiptarëve në tre koalicione, dhe fakti se shqiptarët votojnë parti jo shqiptare. Megjithëkëtë, ish-kryebashkiaku i Ulqinit, dhe ish-ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, bën thirrje për unitet kombëtar dhe slogani që ka zgjedhur për këtë garë është një pjesë e himnit tonë kombëtar “Me një qëllim”.

Rikthimi juaj në politikë u konsiderua si një lajm i mirë për komunitetin shqiptar në Malin e Zi dhe përfaqësimin shqiptar në parlament. Ju do të kryesoni listën e Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj. Cilat janë pikat e forta të fushatës suaj?
Unë kam pasur një shkëputje relativisht të gjatë pothuajse pesë vjeçare, por edhe pse jo aktiv direkt partiakisht dhe në funksion, kam qenë prezent dhe kam marrë pjesë në shumë konferenca, takime e tryeza në shumë adresa, si në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë por edhe në rajon e Europë.

Në këto takime kam vazhduar të fuqizoj dhe të mbroj lartë faktin se shqiptarët në Mal të Zi duhet të gëzojnë të drejtat e tyre konform standardeve që njeh Europa demokratike, e që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave apo popujve pakicë në një shtet. Po ashtu, kur ka të bëjë edhe me Komunën e Ulqinit, si ish kryetar i Bashkisë, kam vazhduar të jem në komunikim me shumë adresa relevante dhe kompani të fuqishme për t’i bindur se Ulqini është një perlë e vërtete e Adriatikut dhe që ia vlen të investohet në këtë vend.

Më gëzon fakti që rikthimi im në skenën politike të Malit të Zi ka gëzuar interesim e vlerësim të lartë dhe është mirëpritur, sidomos nga komuniteti shqiptar duke u quajtur një lajm i mirë për shqiptarët në Mal të Zi dhe jo vetëm por edhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni por edhe kudo që jetojnë shqiptarët e sidomos ke diaspora jonë.

Siç është bëre e ditur, unë do të kryesoj listën e Partisë Demokratike (PD) dhe koalicionit të saj. Në këtë koalicion që tashmë e ka emrin Koalicioni Shqiptar ”Me një qëllim” janë të përfshira katër parti nacionale shqiptare PD, LD në MZ, IQ dhe Prespektiva. Ne ja kemi arritur qëllimit që t’i bashkojmë regjionet me shumicë shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre më të shquar gjenden në listën tonë zgjedhore.

Unë jam mirënjohës ndaj të gjitha subjekteve që më kanë besuar dhe nderuar me vendin e kryesuesit të listës sonë, por më lejoni të them me pak modesti se ata kanë vlerësuar kontributin tim shumëvjeçar në skenën politike, periudhë në të cilën janë të realizuara shumë projekte që kanë ndikuar që shqiptarët në Mal të Zi të jetojnë më mirë.

Ju e dini që unë për shumë vjet kam qenë anëtar i Qeverisë në Mal të Zi, saktësisht nga viti 1999 deri në fund të vitit 2000 kam qenë zv.Ministër në Ministrinë  e Pakicave, nga viti 2000-2006 në dy mandate kam qenë ministër në këtë ministri dhe se në vitin 2006 për herë të parë në Mal të Zi jam zgjedhur me votën e lirë dhe të drejtpërdrejtë të sovranit, pra qytetarit si kryetarë i komunës së Ulqinit.

Pikat e forta të fushatës do të jenë ato për të rikujtuar votuesit se kush ka punuar dhe realizuar e kush ka premtuar dhe nuk ka realizuar. Qëllimi ynë dhe puna në teren me votuesit tanë do të jetë që në bashkëbisedim me ta, t’i njoftojmë për pyetjet dhe projektet kryesore të cilat do t’i mundësojmë që nga dita e parë pas zgjedhjeve dhe do t’i qëndrojmë besnik premtimeve të dhëna e që kanë të bëjnë për një jetë më të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi, në drejtim të drejtave të cilat i meritojmë dhe na takojnë si më të vjetrit dhe si autokton në trojet tona mijëvjeçare.

Sikundërse në Maqedoni, edhe në Malin e Zi, partitë që përfaqësojnë shqiptarët konfliktohen me njëra-tjetrën, duke dëmtuar kështu komunitetin shqiptar dhe nivelin e tyre të përfaqësimit parlamentar. Në këto zgjedhje shqiptarët shkojnë të ndarë në 3 pjesë, do t’i mundë përsëri konflikti shqiptarët? Pse nuk arrihet unitet?
Për fat të keq realiteti është ashtu siç edhe ju e parashtruat në pyetjen tuaj. Vet numri i partive shqiptare flet qartë për këtë, unë do dëshiroja dhe për këtë kam bërë tentativa të shumta, që sa për konkurrencë, në Mal të Zi të kemi jo më shumë se dy subjekte politike.

Mirëpo ndodh e kundërta dhe kjo na bënë shumë problem sepse nuk mundemi të unifikojmë, akordojmë idetë dhe mendimet në drejtim të projekteve të  përbashkëta të cilat po të ishin miratuar një zëri, besoj se do të kishin gjetur realizimin në adresat përgjegjëse të Malit të Zi dhe kishin gjetur përkrahje edhe në adresa të ndryshme ndërkombëtare.

Ne si koalicion të parët kemi dalë para votuesve tanë për të treguar se kemi arritur bashkëpunim dhe koordinim të mendimeve tona me qëllim të integrimit të sa më shumë subjekteve në një listë. Njëherësh, kemi ftuar edhe të tjerët që të na bashkohen. Për fat të keq në këto zgjedhje shqiptarët dalin në tri lista, pra të ndarë, dhe kjo nuk është mirë sepse mund të vijë deri tek derdhja apo humbja e një numri të mirë të votave.

Në 16 tetor shqiptarët e Malit të Zi do tu drejtohen kutive të votimit. Sa mandate parlamentare mendoni që shqiptarët mund të sigurojnë?
Me 16 tetor të këtij viti mbahen zgjedhjet parlamentare dhe siç thashë më lart, shqiptarët do të garojnë në tri lista, dhe duke pasur parasysh edhe se një numër i konsideruar i shqiptarëve votojnë partitë jo shqiptare, atëherë mendoj se subjektet politike shqiptare mund të fitojnë maksimalisht tre mandate. Se si do të ndahen ato do ta dimë së shpejti. Unë mendoj se lista  jonë “Me një qëllim” do të fitojë numrin më të madh të votave, pse jo dy mandate.

Ju keni qenë Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, si dhe ish-kryebashkiak i Ulqinit. Sa mendoni se kanë përparuar shqiptarët në faktorizimin e tyre dhe në fitimin e të drejtave përballë diskriminimit?
Mendoj së kanë përparuar dhe avancuar shumë edhe pse mendoj se ka ende për të punuar. Por dihet mirë fakti se në kohën kur unë kam mbuluar këto poste janë realizuar shumë projekte siç janë:
-Hapja e pikave kufitare Sukobinë–Muriqan dhe Vërmosh –Plavë

-Hapja e degës së mësuesisë në gjuhën shqipe në Podgoricë ku numri më i madh i profesorëve vjen nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës.

-Pranimi i diplomave nga universitetet e Shqipërisë dhe Kosovës

-Hapja e maternitetit në Ulqin

-Miratimi i ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Mal të Zi

-Organizimi I panairit të parë të librit ku kanë marrë pjesë mbi pesëdhjetë shtëpi botuese nga Shqipëria ,Kosova ,Maqedonia dhe Mali I Zi

-Manifestimi kulturor-shkencor kushtuar 600 vjetorit të heroit tonë kombëtarë Gjergj Kastriot Skënderbeut

Ndërsa në mandatin tim 5 vjeçar si kryetarë i bashkisë janë realizuar projekte vitale dhe me rëndësi për komunën e Ulqinit siç janë:

-Ndërtimi i urës mbi Porto Milenë në plazhin e madh

-Kalldrëmimi i Çarshisë së vjetër në qendër të qytetit

-Rikthimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore

-Rindërtimin e  xhamisë së marinarëve pas 77 viteve

-Janë asfaltuar pothuajse të gjitha rrugët në qytet dhe fshat

– Elektrifikimi i të gjithë zonave

– Marina e vogël nën muret e Kalasë

– Hapja e qendrës ditore për fëmijët me nevojë dhe të aftësi të kufizuara

– Festivali i parë i këngës për fëmijë si dhe projektet tjera

Sidomos në këtë periudhë kohore komunikimi me Shqipërinë ka qenë në nivelin më të lartë, pra kam qenë dhe do të vazhdojë të jem ura e bashkëpunimit në këto marrëdhënie të mira fqinjësore.

Së fundmi, ju jeni pyetur mbi konceptin e Shqipërisë së Madhe. Cili është mendimi juaj? Duket se edhe pse nuk është në planet e Tiranës zyrtare, fqinjët e Shqipërisë i tremben hijes së saj.
Po jam pyetur, pyetje e pashmangshme nga disa qarqe, e sidomos në prag të zgjedhjeve. Fqinjët nuk kanë pse të frikësohen, sepse siç thatë edhe ju në pyetjen tuaj, as Tirana zyrtare nuk ka në planet e veta diçka të tillë. Dihet mirë se kush ndër të parët ka pranuar pavarësinë e Malit të Zi dhe dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët.

Shqiptarja.com