Mentor Llunji: Agjërimi

October 4, 2016   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Mentor Llunji

 

AGJERIMI

 

Mentor Llunji

Agjerimi si akt filozofik, shpirtëror dhe fetar, si përgjigje për ngopje të të gjitha llojëve, është  një akt  reflektimi mbi vehten dhe veset. Mbi të gjitha, është një akt abstenimi dhe  pastrimi.

 

Pikërisht kjo i duhet politikës se shqiptarëve në Mal të Zi. Abstenim dhe pastrim. Kjo i duhet në rend të parë votuesit, që tashmë është i ngopur dhe bile i dehur. Votuesit të lodhur shqiptar  i duhet urgjentisht një agjerim nga politika e lodhur shqiptare. Politikë e cila tash 25 vite tund flamurin dhe i bie çiftelisë si adutin e vetëm politik, dhe megjithatë nga flamuri  kemi ende vetëm shkopin. Te vijmë deri te peca kuqe dhe shqiponja, me këtë tempo, do duhet edhe shumë kohë.

 

Votuesit i duhet abstenim nga politika që premton “zhvillim-in, bashkim-in, punësim-in” dhe të gjithë in-nat tjerë. Politikë e cila për pak ditë  të çon në qiell dhe pas zgjedhjeve të gjuan në Port Milen. I duhet si akt pastrimi dhe distancimi. Si akt kunder ofendimi me të njejtat skema dhe premtime të pa-ricikluara tash dy dekada e gjysëm.

 

Agjerim do të thotë edhe të përmbahesh. Të përmbahesh nga politika pa përmbajtje.Pa ide dhe ofertë. Do të thotë të japësh një përgjigje politike, politikës që ska përgjigje në asnje problem kyç. Është akt vetëdije ndaj mungesës së vetëdijes politike kundrejt mërgimit, asimilimit, pazhvillimit. Fatkeqësisht, është strategji e vetme e mbetur për të shëruar dhe ringjallur politikën e rrënuar shqiptare.

 

Agjerimi si mjet mbrojtës kunder urisë dhe ngopjes i duhet votuesit shqiptar i cili është i ngopur por i pa ngim..Është i dehur por i  pa pim.

I stërngopur me Jadran, Galeb, Valdanos, Krypore, Plazh te Madh, Komune të Tuzit, të Mirat Detare dhe çka mos… Por i pa ngim me po të njëjtat dhe i dehur nga po të njëjtat.

 

Koalicionet shqiptare në mungesë të idesë së qartë politike, janë lëshuar në këto zgjedhje  “më një qëllim dhe të vendosur” që sërisht ti mbështeten Qeverisë së ardhshme, pa çka se e njëjta mbi dy dekada ia refuzon Ulqinit çdo zhvillim. Ia refuzon duke mbajtur në krah njërën apo tjetrën parti shqiptare. Dhe në vend që kampanja zgjedhore të filloj me kërkim-falje për të gjitha të pa-bërat,..për migrimin, pa zhvillimin, izolimin, pa-investimin dhe  mos-inkuadrimin, ato ende vazhdojn aty ku kan filluar 25 vite më parë.. Ende luhet letra e votimit shqip, duke  menduar që kaq mjafton…Kështu veprohet tash dy dekada e gjysëm, pa i shtuar ofertës politike edhe një presje, pa llogaridhënje dhe pa bërë ndonjëherë bilancin e mossuksesit të vet. Vota e garantuar shqiptare e ka krijuar vet këtë klasë politike. Komode për të paarriturat dhe dorëlëshuar në premtime. Për atë, nga përgjumja e një çerek shekulli partit shqiptare nuk do të zgjohen duke i shpërblyer ato edhe një herë për punën e pa-bërë. Këtë radhë, nga kjo përgjumje mund ti zgjojë jo ‘zhurma’, por vetem ‘heshtja’ e votuesit.