Takim me shkrimtarin Haxhi Shabani në Festivalin Letrar të Shkodrës

October 15, 2016   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Haxhi Shabani në Festivalin Letrar të ShkodrësNë kuadër të edicionit të 9-të të Festivalit Letrar të Shkodrës, i cili organizohet nga Biblioteka “Marin Barleti” – Shkodër, mbrëmë është mbajtur takimi me shkrimtarin Haxhi Shabani.

Ai ka mbajtur ligjëratën me temë “Integrimet e letërsisë shqiptare brenda vetes”. Shabani ka thënë se problemi themelor në këtë rrafsh është se letërsia shqiptare ende nuk ka krijuar mekanizmat e njohjes brenda vetes. “Aktualisht, 25 vjet pas, pasi janë zhdukur problemet politike e administrative, ideja fillestare e viteve ’90 të shekullit të shkuar, për krijimin e kushteve për funksionimin e letërsisë si një e tërë nuk janë krijuar. Krijimi i kushteve të tilla mund të thuhet se është në hapat e parë”, ka theksuar shkrimtari. Për këtë gjendje të letërsisë shqipe sot ai ka bërë përgjegjës në radhë të parë Tiranën dhe Prishtinën, duke pohuar se “ideja e njohjes së letërsisë shqiptare brenda vetes nuk është realizuar sepse dy kryeqendrat shqiptare nuk kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme për skajet e letërsisë shqipe”, përfshirë edhe letërsinë që krijohet nga autorët shqiptarë në Mal të Zi.

Më pas, në bashkëbisedim me udhëheqësin e takimit, Gjovalin Çuni, drejtor i Bibliotekës “Marin Barleti”, Shabani ka folur mbi krijimtarinë e tij dhe ka lexuar disa poezi. Ai i është përgjigjur po ashtu interesimit të pjesëmarrësve në takim.

Takimi u organizua në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.

 

 

        Ulqin, më 15. 10. 2016                                                                   SHAI “Art Club”

Haxhi Shabani në Festivalin Letrar të Shkodrës-1 Haxhi Shabani në Festivalin Letrar të Shkodrës-2