Thirrje për vota serbe – Reagon Genci Nimanbegu

October 16, 2016   | Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo

Thirrje për vota serbe - Reagon Genci NimanbeguTë nderuar miq, në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi kam bërë deklaratën e mëposhtme duke dënuar ashpër mesazhin e ulët dhe poshtërues elektoral që është duke u dërguar masovikisht nga ato parti politike që duan të nxisin urrejtjen etnike dhe destabilitetin politik në Mal të Zi :

KUMTESË PËR MEDIA

Sot kur duhet të ishte një ditë e qetë për procesin zgjedhor disa qarqe të errëta dhe keqadashëse kanë tentuar të prishin qetësinë dhe harmoninë ndëretnike duke kërcënuar stabilitetin politik.

Të nderuar qytetarë dhe bashkëkombës,
Jemi informuar se, përmes një teksti mesazhi telefonik të dërguar masovikisht, është bërë thirrje për të siguruar vota nga komuniteti serb, duke nxitur urrejtje etnike ndaj komunitetit etnik shqiptar dhe atij boshnjak.
Sipas këtij teksti, aludohet se një prej partive politike më e mëdha në vend është duke blerë vota shqiptare dhe boshnjake deri në vlerën 250 Euro, duke fyer rëndë komunitetin tonë etnik.
Angazhimi ynë është nxitja e bashkëjetesës dhe harmonisë etnike, fetare, krahinore e ideore, me qëllim zhvillimin dhe vajtjen të bashkuar në Bashkimin Evropian.

Një mesazh i tillë i papreçedentë nuk është parë që prej kohëve të errëta të nxitjes së urrejtjes, dhunës dhe spastrimit etnik të viteve 1990.Është e papranueshme që në epokën e integrimit euro-atlantik të vendit, përmes kësilloj mesazhesh anonime të ngjallet urrejtja e të fyet pakica shqiptare.

Prandaj, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, i bën thirrje të gjithë partive politike të Malit të Zi, të distancohen menjëherë nga një mesazh i tillë dhe të dënojnë ashpër këtë akt kaq të rëndë i cili dëmton harmoninë ndëretnike dhe kërcënon destabilitetin dhe sigurinë e vendit. Po ashtu i bën thirrje edhe shoqërisë civile, mediave, botës akademike dhe mbarë opinionit publik të Malit të Zi që të solidarizohet e të flas ashpër kundër këtij akti të ulët.
Njëherazi i bëjmë thirrje autoriteteve ligjzbatuese, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë të marrin menjëherë masat e nevojshme për identifikimin dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve që fshihen pas këtij makinacioni.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve
Kryetari
Genc Nimanbegu

Thirrje për vota serbe përmes urrejtes ndaj shqiptarëve