Nazif Cungu rrëfen votimet: Votat në Mal të Zi u blenë, asimilimi i shqiptarëve në Plavë e Guci, dramatik

October 18, 2016   | Politika

Nazif Cungu-Votimet-UlqinZgjedhjet në Malin e Zi kaluan pa incidente dhe shpërbërja e Parlamentit të “vjetër” u duartrokit. Megjithatë, kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, nuk është shumë i kënaqur me rezultatet. Cungu, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Forcës së Re Demokratike shqetësohet për përçarjen e shqiptarëve në tri lista, gjë që jo vetëm ka eliminuar mundësinë e një deputeti të tretë në Parlamentin e Malit të Zi, por rrezikon edhe deputetin e dytë, duke ulur në minimum përfaqësimin e shqiptarëve në qeverinë e re. “Gjendja social-ekonomike e shqiptarëve të Malit të Zi si pasojë e diskriminimit që vazhdon për mbi një shekull, lë shumë për të dëshiruar dhe prandaj ka më shumë shanse që ata të detyrohen të shesin votën për një shpërblim material”, shprehet Nazif Cungu për “Gazeta Shqiptare”, teksa pranon me keqardhje që në emër të fqinjësisë së mirë, Tirana zyrtare i ka braktisur bashkëkombësit e saj në Malin e Zi.

***

Sapo janë mbyllur votimet në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi, cila është përshtypja juaj për fushatën zgjedhore të këtij viti dhe si e gjykoni procesin elektoral?
Fushata ka qenë më agresive se fushatat e mëparshme parlamentare dhe niveli i organizimit dhe sofistikimit të marketingut politik ka arritur nivel sipëror. Këto zgjedhje vijnë pas një periudhe krize të brendshme politike me protesta dhe formimit të një koalicionit të madh me opozitën, prandaj ishte e pritshme që edhe fushata ta reflektonte këtë klimë të tensionuar. Ky intensitet ka pasur impaktin e vet edhe tek pjesëmarrja në votime, e cila sivjet ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Për sa i përket procesit zgjedhor, janë denoncuar parregullsi të vogla sporadike tek-tuk, por në përgjithësi procesi zgjedhor ka kaluar pa konfliktualitet. Fenomeni më problematik që është vënë re ka qenë ai i blerjes së votës, i cili prek sidomos segmentet e varfra të shoqërisë e këtu futen edhe shqiptarët. Gjendja social-ekonomike e shqiptarëve të Malit të Zi si pasojë e diskriminimit që vazhdon për mbi një shekull, lë shumë për të dëshiruar dhe prandaj ka më shumë shanse që ata të detyrohen të shesin votën për një shpërblim material.

Cilat kanë qenë temat kryesore të debateve elektorale dhe çfarë sfidash do të ketë parlamenti i ardhshëm i Malit të Zi?
Debati elektoral është në nivel shtetëror, është zhvilluar në dy boshte. I pari dhe më i rëndësishmi kishte të bënte me orientimin gjeopolitik të Malit të Zi drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe këtu qeveria e Gjukanoviqit ka hasur në një kundërshtim të ashpër të partive politike serbe. Këto parti, që në shumicën e rasteve janë të dirigjuara nga jashtë Malit të Zi, e kanë kundërshtuar ashpër procesin e integrimit Euro- Atlantik dhe kanë shprehur hapur simpatinë e tyre pro ruse. Bëhet fjalë për të njëjtat parti, që dikur ishin kundër pavarësimit të Malit të Zi në referendumin e dhjetë viteve më parë. Kjo është arsyeja përse gjatë kësaj fushate është vënë re edhe një shtrirje e madhe e ndikimit të Moskës dhe Beogradit, sidomos nëpërmjet financimeve të partive opozitare serbe.

Në ketë aspekt partitë tona shqiptare janë të pozicionuara qartë sikurse gjatë referendumit në favor të konsolidimit të shtetit të pavarur e demokratik të Malit të Zi dhe mbështesim pa kushte anëtarësimin në NATO dhe BE. Boshti i dytë ka qenë debati i brendshëm politik, që ka pasur të bëjë kryesisht me ekonominë dhe konsolidimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Mali i Zi ka hyrë prej disa vitesh në një krizë të madhe ekonomike dhe në një stanjacion për sa i përket konsolidimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë. Është bërë tashmë e domosdoshme që të ndërmerren reforma rrënjësore dhe energjike për ta përmirësuar situatën dhe për të garantuar mirëqenie për qytetarët e këtij shteti. Këto dy do të jenë sfidat kryesore me të cilat do të përballet parlamenti që do dalë prej këtyre zgjedhjeve.

Si ballafaqohet faktori politik shqiptar në Mal të Zi me këto zgjedhje dhe çfarë implikimesh priten për partitë shqiptare?
Faktori shqiptar ndodhet më i dobët se kurrë dhe në kushtet e mbijetesës. Si pasojë e diskriminimit të rëndë, fshatra e krahina të tëra e kanë braktisur identitetin tonë kombëtar e janë asimiluar. Mjafton të shikohet Rozhaja e Plava e Gucia për të parë sa masive e dramatike ka qenë ky asimilim. Po ashtu, trojet shqiptare jenë më të neglizhuarat për sa u përket fondeve infrastrukturore, ndërkohë që edhe në të kaluarën kanë munguar investimet në ndërmarrje publike. Ne jemi diskriminuar dhe vazhdojmë të diskriminohemi edhe sot për sa i përket punësimit në institucione shtetërore dhe sot ne jemi populli më pak i përfaqësuar me kuadro në institucionet shtetërore në Malin e Zi, me vetëm 1% të kuadrove, ndërkohë që përbëjmë së paku 5% të popullsisë. Kjo ka bërë që populli shqiptar në Mal të Zi të detyrohet të ketë nivelin më të lartë të emigracionit me përafërsisht 60% në disa zona.

Të dyja këto fenomene kanë vazhduar edhe gjatë viteve të fundit dhe brenda dy censusesh, 2001-2011, përqindja e shqiptarëve ra nga 7% drejt 5%. Sikur të mos mjaftojë pakësimi i numrit të shqiptarëve, si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike dhe presionit të madh një pjesë e votuesve tanë, pothuaj çereku, votojnë për parti malazeze e jo për partitë etnike shqiptare. Diskriminimi politik ndaj shqiptarëve arriti kulmin kur u ndryshua sistemi zgjedhor në 2009 dhe na u hoqën pesë deputetët e garantuar me ligj dhe tani maksimumi që mund të nxjerrin shqiptarët janë vetëm tre deputetë. Mirëpo situata jonë është bërë edhe më dramatike si pasojë e përçarjes, sepse në vend që të garonim me një listë të përbashkët, jemi të përçarë në tri lista, gjë që është absurde duke ditur sa të paktë jemi. Mund të jetë e kuptueshme dhe e pranueshme deri diku të garojmë me dy lista për hir të pluralizmit mirëpo tre është absurde, sepse lista e tretë në kushtet aktuale e ka të pamundur të sigurojë një deputet vetë, por thjesht ua pamundëson dy listave të para që të marrin deputetin e tretë shqiptar. Kjo është një përsëritje e situatës së zgjedhjeve të kaluara parlamentare të vitit 2012, kur lista e re u krijua në momentin e fundit pak kohë para zgjedhjeve mori 531, duke çuar dëm deputetin e tretë shqiptar.

Sikur vetëm 250 prej këtyre votave të kësaj liste të kishin shkuar tek një listë tjetër zgjedhore, shqiptarët do të kishin një deputet të tretë dhe nuk do katandiseshin me dy. E njëjta gjë po ndodh sivjet në Mal të Zi, një listë e re e improvizuar pak javë para zgjedhjeve rrezikon jo vetëm mandatin e tretë, por edhe të dytin shqiptar. Kjo gjë është bërë tanimë një traditë e hidhur që nuk mund të konsiderohet më thjeshtë rastësi, por të lë të mendosh më të keqen. Unë nuk dua të dukem konspirativ, por kjo situatë të lë të mendosh për një infiltrim tek faktori politik shqiptar të kundërshtarëve tradicionalë të të drejtave të shqiptarëve, të cilët e dinë mirë se përçarja na bën më të dobët e të pafuqishëm. Bashkimi i faktorit shqiptar në Mal të Zi u shërben jo vetëm interesave tona kombëtare, por edhe interesave të Malit të Zi, pasi ne jemi faktor konstruktiv për konsolidimin e këtij shteti dhe integrimin Euro-Atlantik. Prandaj në këtë aspekt ne kemi shumë nevojë nga Tirana e Prishtina që të na ndihmojnë për të parandaluar dëmet që na vijnë nga elementet e huaja përçarëse.

Me cilat subjekte jeni të gatshëm të bashkëpunoni kur të vij koha e koalicioneve paszgjedhore?
Koalicioni ku unë bëj pjesë është faktori politik më i fuqishëm shqiptar dhe ka një program të qartë e të plotë politik. Kuptohet që pas zgjedhjeve, ne do bashkëpunojmë me ato parti politike në Mal të Zi, që pajtohen me vizionin tonë politik dhe na mundësojnë që të përmbushim këtë platformë, e cila mbron interesat e popullit shqiptar të Malit. Ne synojmë mbrojtjen e identitetit, simboleve, gjuhës, traditave, monumenteve dhe arsimit tonë kombëtar. Po ashtu synojmë ndaljen e diskriminimit, e asimilimit dhe e emigracionit. Ne do të promovojmë një përfaqësim të drejtë të kuadrove shqiptarë në institucionet shtetërore të Malit të Zi, sepse të rinjtë tanë janë neglizhuar në punësimet në institucionet qendrore.

Po ashtu, përpiqemi që të luftojmë diskriminimin ekonomik, duke garantuar më shumë investime infrastrukturore dhe shërbime më të mira publike në trojet e banuara nga shqiptarët. Koalicioni ynë njëherazi promovon integrimet Euro-Atlantike të shtetit të Malit të Zi, sepse jemi të vetëdijshëm se këto procese integruese garantojnë maksimumin e respektit për të drejtat e pakicave kombëtare si dhe maksimumin e mirëqenies ekonomike dhe stabilitetit në Mal të Zi e rajon. Kuptohet që edhe ne kemi disa vija të kuqe për sa i përket bashkëpunimit sikurse janë respektimi i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve, respektimi dhe konsolidimi i marrëdhënieve me shtetet fqinje të banuara me shqiptarë si Kosova e Shqipëria si dhe orientimi i qartë gjeostrategjik drejt aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë të NATO-s.

Si e shikoni marrëdhënien mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe çfarë rekomandimesh do të kishit për Tiranën zyrtare?
Ne e përkrahim përmirësimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Podgoricës dhe jemi të gëzuar që të dy shtetet i përkasin realitetit Euro-Atlantik. Ne e përshëndesim mbështetjen që Tirana i ka dhënë anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, duke qenë shteti i parë anëtar që e ka ratifikuar këtë marrëveshje. Mirëpo më duhet të them gjithashtu që kemi rezerva për sa i përket vëmendjes kushtuar të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilat kemi parë se shpesh janë neglizhuar për hir të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve. Ne jemi të vetëdijshëm që faktori ndërkombëtar e ka kriter të integrimit evropian fqinjësinë e mirë dhe raportin sa më pozitiv bilateral mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Mirëpo, njëherazi presim prej Tiranës që të përmbushë edhe obligimin kushtetues të kujdeset për shqiptarët jashtë shtetit amë e mos të kujdeset vetëm për imazhin që krijon në Bruksel.

Ndërkohë që Podgorica dhe Tirana zyrtare ndërmarrin vizita të ndërsjella të niveleve më të larta dhe flasin për marrëdhënie të shkëlqyera tek ne ka vazhduar sikurse e përmenda më sipër diskriminimi, asimilimi, emigracioni dhe varfërimi i popullit shqiptar. Neve na u ndryshua sistemi zgjedhor dhe na u hoqën pesë mandate të garantuara për pakicën shqiptare këtu dhe asnjë zë nuk u ngrit nga Tirana zyrtare për të na mbrojtur nga kjo padrejtësi. Prandaj ne shpresojmë që marrëdhëniet Tiranë- Podgoricë të kushtëzohen edhe nga trajtimi që Podgorica u bën shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre shekullore, që janë prej 130 vitesh brenda shtetit të Malit të Zi. Po ashtu, shpresojmë që Tirana të marrë më seriozisht e të shtyjë përpara sa më fuqishëm disa projekte infrastrukturore me interes kombëtar, siç janë ndërtimi i disa pikave të reja ndërkufitare për t’i nxjerrë viset tona nga izolimi dhe për të lidhur më shumë shqiptarët mes njëritjetrit.

Kështu për shembull, edhe pse kanë kaluar pesë vite nga nënshkrimi i marrëveshjes për krijimin e pikës kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi në Qafë të Vranicës, që do të lidhte Plavën me Tropojën nëpërmjet Çeremit, asgjë nuk është materializuar ende nga të dyja shtetet. Një tjetër vendkalim kufitar me rëndësi është ajo në Skje- Zogaj buzë liqenit, e cila do të integrojë ofertën turistike të bregut të liqenit të Shkodrës dhe nxirrte nga izolimi krahinën e lënë pas dore të Krajës në Malin e Zi. Kjo rrugë dhe kjo pikë kufitare ka kosto minimale, pasi rruga ekzistuese e asfaltuar Shkodër- Shirokë-Zogaj është vetëm dy-tri kilometra larg rrugës së asfaltuar të Skjesë në territorin e Malit të Zi. Mirëpo nga ana tjetër do të shpëtonte Krajën nga izolimi dhe varfëria dhe do ndalte emigracionin, i cili ka zbrazur tashmë 70% e kësaj krahine shqiptare. Me leverdi të madhe do të ishte edhe ndërtimi i një pikë e re kufitare sipër Bunës dhe i rrugës përkatëse në Shën Koll-Pulaj, e cila do të integrojë ofertën turistike të Plazhit të Madh me atë të Velipojës.

Koha Jonë