Në Mal të Zi fitoi atlantizmi nga Arben Karapici

October 22, 2016   | Rajoni / Region

Millo-Gjukanoviq-Nato-EvropaNga: ARBEN KARAPICI
Për një rajon me rëndësi të posaçme gjeostrategjike si ky i yni dhe të ardhmen e tij euroatlantike, do të kishte qenë e dëshirueshme që Rusia ta kishte të humbur betejën në Ballkan, por një e ashtuquajtur Qendra Ruse e Emergjencave, e vendosur në afërsi të Nishit në Serbi, është një përgjigje ushtarake presioni ndaj zgjerimit të NATO-s.
Ndërsa Partia Demokratike e Socialistëve e kryeministrit Milo Gjukanoviç fitoi zgjedhjet dhe po punon për krijimin e koalicionit qeverisës, opozita malazeze nuk e pranon rezultatin. Në zgjedhjet politike të 16 tetorit fituan qartësisht atlantizmi dhe europeizmi i popullit malazez, dhe është pikërisht kjo fitore e qartë pro Perëndimit, që e bën opozitën proruse në Malin e Zi dhe Rusinë që e përkrah, ta kundërshtojnë me forcë verdiktin ndërsa Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Europian bëjnë thirrje për krijimin e qeverisë së re dhe vazhdim të reformave.
Në këto zgjedhje vendimtare për udhëkryqin mes Perëndimit dhe Rusisë Partia Demokratike e Socialistëve të kryeministrit Gjukanoviç është përballur seriozisht me grupet opozitare proruse dhe proserbe, që kanë bërë të pamundurën të kundërshtojnë politikat properëndimore të qeverisë dhe anëtarësimin në NATO, veçanërisht. Aleanca perëndimore e kishte ftuar, vitin e shkuar 2015, vendin me 620 mijë qytetarë, të bashkohej pjesërisht për shkak të shqetësimit për ndikimin rus në Mal të Zi, me lidhje të fuqishme kulturore dhe komerciale me aleatin tradicional ortodoks. Një rezultat tjetër zgjedhor do të rrezikonte seriozisht politikat e zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Europian në rajonin e Europës Juglindore dhe mundet të ishte vendimtar në përpjekjet e Kremlinit të rifitonte ndikimin e vet të dikurshëm në rajonin strategjik të Ballkanit. Për një tjetër rezultat, një grup prej 20 paramilitarësh serbë ishin përpjekur që të kryenin sulme të armatosura dhe destabilizuese në vend, deri edhe “rrëmbimin e kryeministrit Gjukanoviç”, siç dyshojnë prokurorët në Podgoricë, se kishin qëllim të arrestuarit tashmë.
Aleanca perëndimore e ftoi vitin e kaluar vendin e vogël me 620 mijë qytetarë t’i bashkohet pjesërisht, për shkak të shqetësimeve për ndikimin rus në Mal të Zi, i cili ka lidhje të forta kulturore dhe komerciale me aleatin e tij ortodoks Moskën. Dhe Mali i Zi është ende thellësisht i ndarë mes atyre që dëshirojnë dhe e mbështetin kursin e reformave të integrimit euroatlantik, dhe atyre që e kundërshtojnë me forcë këtë kurs. “Mali i Zi do të vazhdojë drejt së ardhmes së vet europiane. Do të ratifikojmë anëtarësimin në NATO, do të përfundojmë bisedimet për anëtarësimin në BE dhe do të sjellim investime të reja për të përmirësuar standardin e jetës”, tha kryeministri aktual Gjukanoviç pas kësaj fitoreje me shumicë jo të qartë. Ai theksoi, se do të kërkojë koalicion me partitë e pakicave kombëtare properëndimore, që aspirojnë dhe duan integrimin euroatlantik të vendit më të vogël në Detin Adriatik.
Anëtarësimi së fundi i Malit të Zi në NATO po shkakton fërkime të ashpra mes diplomacisë ruse dhe autoriteteve zyrtare malazeze për situatën në rajon. Ndërsa Rusia angazhohet për formimin e një të ashtuquajturi territor neutral në Ballkan, zyrtarët malazezë e konsiderojnë si një trysni të hapur politike ndaj një shteti të vogël. Kjo trysni politike e Rusisë nga një anë, dhe e drejta sovrane e Malit të Zi të vendosë vetë për të ardhmen e tij, i vuri votuesit malazezë të përballeshin me dy alternativa të kundërta politiko-zgjedhore: Të vazhdojnë në rrugën pro-perëndimore të integrimit në NATO dhe në BE, apo të kthehen nga aleati tradicional, Rusia. Pikërisht për këtë, zgjedhjet e 16 tetorit në Mal të Zi ishin dhe mbeten më të rëndësishmet që nga referendumi i vitit 2006 për pavarësi nga Serbia.
Një skenar post-zgjedhor i mundshëm është formimi i një qeverie të gjerë pro-perëndimore, me disa parti të vogla opozitare me orientim pro-perëndimor, qeveri që do mund të siguronte vota të mjaftueshme për të shmangur ndaljen e procesit të anëtarësimit në NATO. Në anën tjetër ekziston mundësia e krijimit të një qeverie me shumicë të thjeshtë, por ky skenar mund të krijojë probleme për procesin e anëtarësimit të vendit në NATO, pasi “Fronti Demokratik” i opozitës proruse vazhdon thirrjet për ta braktisur procesin atlantik. Rusia kundërshton qartë dhe fuqishëm zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore NATO në vendet ish-komuniste të Europës, të cilat vazhdon t’i konsiderojë pjesë të “interesave të saj strategjike”. I shqetësuar nga ndikimi rus në rajonin ende të paqëndrueshëm, i cili në vitet 1990 ishte i përfshirë në luftërat civile të përgjakshme, Perëndimi kërkon që Mali i Zi të bëhet anëtar i NATO-s.
Deri kohët e fundit, Mali i Zi ka qenë aleat besnik i Rusisë, por pas shkëputjes nga Serbia, me një referendum të vitit 2006, Mali i Zi bëri një kthesë të fortë drejt integrimit euroatlantik.
Por kompanitë ruse kanë investuar me miliona dollarë në Mal të Zi, duke e bërë atë një destinacion të preferuar turistik për rusët. Rusët kanë blerë prona të mëdha të patundshme gjatë bregdetit malazez të Adriatikut dhe rreth 10.000 rusë kanë tashmë shtetësi malazeze. Qoftë dhe vetëm kaq është e mjaftueshme që Moska dhe zyrtarët më të lartë të partisë “Rusia e Bashkuar” e presidentit Putin të mbështetin fort dhe haptas partitë opozitare, duke thënë se përpjekjet e kryeministrit Gjukanoviç për anëtarësim në NATO janë “të papërgjegjshme dhe me pasoja të gjera”.
Partia ruse në pushtet “Rusia e Bashkuar” ka nënshkruar edhe një deklaratë bashkëpunimi me përfaqësuesit e partive politike nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Bullgaria, me të cilën ato angazhohen bashkërisht “për formimin e një territori neutral dhe ushtarak” në rajonin e Ballkanit”, siç thuhet në të. Sipas një komunikate të publikuar nga partia Rusia e Bashkuar, nënshkruesit e këtij dokumenti angazhohen “në funksion të përpjekjeve për uljen e tensionit ndërkombëtar, për t’i dhënë një rëndësi të veçantë për Evropën Juglindore” nismave të shumë politikanëve të lartë në Ballkan për “formimin e territoreve neutrale dhe ushtarake të shteteve sovrane”, si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.
Nga “Rusia e Bashkuar” deklarata është nënshkruar prej zyrtarit të lartë të kësaj partie Sergej Zhelezhnjak, që e ka cilësuar dokumentin një ngjarje me rëndësi të madhe historike. Dhe është me interes të dihet që Marko Gjuriç ka nënshkruar për Partinë Përparimtare Serbe, e drejtuar nga kryeministri Aleksandar Vuçiç. Zyrtarja e kësaj partie Maria Obradoviç, thotë se çështjet ushtarake që përmenden në deklaratë, janë sipas saj në një kontekst tjetër, dhe nuk bëhet fjalë për neutralitetin ushtarak. “Nuk qëndron teza e neutralitetit ushtarak dhe as e formimit të territorit të ri”, thotë Obradoviç. Bëhet fjalë vetëm për një deklaratë, e cila është në funksion të relaksimit të marrëdhënieve në Ballkan dhe në Europë. Sipas Obradoviç, “kjo nuk është një marrëveshje ushtarake dhe ka një shpërputhje mes asaj të nënshkruar dhe asaj që është publikuar si përmbajtje e deklaratës”. Megjithatë, “Rusia e Bashkuar” ka publikuar se “deklarata paraqet vullnetin e firmëtarëve për një territor neutral në Ballkan dhe në të shprehet edhe interesi i vendeve ballkanike për bashkëpunim ekonomik me shtetet euro-aziatike”.
Nuk duhet shumë për ta kuptuar, se nënshkrueset e deklaratës janë parti politike që kanë bashkëpunuar kahershëm me Rusinë, ndërsa kriza dhe reformat e vonuara në Bashkimin Europian, bashkë me politikat e stërzgjatura të zgjerimit, janë zhvillime që, sipas analistëve, mund të sjellin një përpjekje dhe shtrirje të ndikimit të politikës ruse. Dhe është me një rëndësi të veçantë të tërhiqej vëmendja, që çdo vonesë e Bashkimit Europian për ta trajtuar Ballkanin si një rajon dhe territor me perspektivë të qartë e të vendosur europiane, do sillte eventualisht alternativa dhe opsione të tjera, dhe një prej tyre është ajo ruse. Në Mal të Zi fituan atlantizmi dhe europeizmi, ndërsa kjo nuk do të thotë se ndikimit rus në rajonin e Ballkanit i erdhi fundi.
Zhvillimet e mëtejme në rajonin tonë kaq strategjik varen në masë të madhe edhe se si Rusia luan me letra, dhe pyetjes së Radio “Europa e Lirë” se cili është qëllimi përfundimtar i Kremlinit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer i jep këtë përgjigje:
Mendoj se Kremlini po përpiqet t’i bëjë lëmsh gjërat në rajonin e Ballkanit dhe sa më shumë që të mundet. Në radhë të parë për të parandaluar anëtarësimet e reja në NATO dhe në radhë të dytë anëtarësimet në Bashkimin Europian. Anëtarësimi në BE nuk është një çështje e menjëhershme, por anëtarësimi në NATO është dhe shumë madje. Rusët kanë shpenzuar shuma të mëdha parash në Mal të Zi, në përpjekje për ta bllokuar atë, por kanë dështuar. Është e qartë se do të dështojnë edhe në Kosovë, dhe për këtë nuk ka dyshim. Sapo Kosova t’i bëjë forcat e saj të sigurisë në përputhje me standardet e NATO-s, pritet që ajo t’i përmbushë edhe kriteret e tjera që kërkon anëtarësimi. 95 për qind e qytetarëve të Kosovës e duan anëtarësimin në NATO. Ndryshe është në Serbi, natyrisht. Por, sapo të bëhet Mali i Zi anëtar i NATO-s, e shpresoj që edhe Maqedonia, edhe Kosova, nuk do të kishte kuptim për Serbinë që të mos bëhej anëtare. Rusia ka frikë se po e humb betejën në Ballkan.
Për një rajon me rëndësi të posaçme gjeostrategjike si ky i yni dhe të ardhmen e tij euroatlantike do të kishte qenë e dëshirueshme, që Rusia ta kishte të humbur betejën në Ballkan, por një e ashtuquajtur “Qendra Ruse e Emergjencave”, e vendosur në afërsi të aeroportit në qytetin jugor të Nishit në Serbi, për analistët e vëmendshëm nuk është tjetër, përveç përgjigje ushtarake e Kremlinit ndaj zgjerimit të NATO-s në rajonin tonë dhe më tej. Të gjitha vendet përreth Serbisë, janë në aleancën ushtarake të Atlantikut Verior, ose duan dhe synojnë të jenë. Në dhomën e komandës së përbashkët në qendrën ruso-serbe të ndihmës në jug të Serbisë, gazetarët e “Asoshiejtid Press” kanë parë ekrane të mëdha të mbikëqyrjes ushtarake dhe një ndërtesë e papërfunduar ngjyrë gri prej betoni, shërben si një vend i trajnimit. A është kjo një qendër ruse e ndihmave në raste fatkeqësish në Serbi, siç pretendon Moska, apo një qendër spiunazhi e Kremlinit në zemër të Ballkanit? Dyshues për karakterin dhe misionin e bazës në Nish nuk janë veç gazetarët. Disa organizata joqeveritare perëndimore tërheqin vëmendje dhe thonë se “rusët kanë krijuar atje një bazë të maskuar ushtarake për të përgjuar interesat amerikane në rajonin e Ballkanit. Derisa Serbia është ende shumë e afërt me Rusinë, edhe fqinjët e saj janë shumë dyshues në praninë dhe qëllimet e Moskës, veçanërisht vendet e ish-bllokut sovjetik si Bullgaria, Rumania apo Hungaria.
Nëse bëhet fjalë për operacion ushtarak, ky do të ishte i pari që ndërmerr Kremlini në Europë dhe jashtë ish-Bashkimit Sovjetik që nga rënia e traktatit të Varshavës në vitet nëntëdhjetë.
Partneri rus në qendrën e Nishit është ministria për “situata të jashtëzakonshme”, mekanizëm i fuqishëm gjysmëushtarak, veprimtaritë e së cilës përfshijnë edhe operacione në mbështetje të shërbimeve ruse të sigurimit. Në ceremoninë e hapjes së qendrës, Sergei Shoigu, aktualisht ministër i Mbrojtjes, i quajti si “fabrikime të pastra” spekulimet, që Rusia dëshiron të vendosë baza ushtarake në Serbi, ndërsa duhet thënë se deri tani asgjë nuk e ka penguar Rusinë të bëjë atë që di më mirë.
Zyrtarët e NATO-s kanë refuzuar të komentojnë, por as e kanë mohuar natyrën e bazës, duke thënë se nuk janë shumë të shqetësuar me rolin e saj, çfarëdo që të jetë. Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se, nëse Serbia bëhet anëtare e bllokut, atëherë duhet t’u bashkohet programeve evropiane të ndihmave dhe të ndahet nga Rusia. Mirë kur të ndahet, por deri në ndarje, çfarë mund të ndodhë? Këtë ende nuk e thotë kush. Sipas bashkëdrejtuesit rus të bazës, Vieçeslav Vlashenko, qendra është larg të qenit bazë e mirëfilltë ushtarake, por edhe kjo deklaratë është e pamjaftueshme për të mos e besuar se kjo bazë nuk i ka mjetet e duhura për të vëzhguar, fjala vjen, Rumaninë, ku janë vendosur baza antiraketore amerikane. “Argumenti” i Vlashenkos është tejet i mangët, sidomos në raport Kosovën, ku janë të vendosura trupat paqeruajtëse të NATO-s dhe një bazë amerikane, Bonstill në Prizren. Serbia, një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ajo ecën në fije të perit ndërmjet Rusisë e Perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës. Ndërkaq, Rusia e kundërshton fuqishëm anëtarësimin e Serbisë në NATO dhe bombardimet e aleancës të vitit 1999 i kanë kthyer serbët kundër Perëndimit dhe pro Rusisë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)