Refuzohet ankesa e Koalicionit „Me një qëllim“ një njollë e zezë për shqiptarët në Mal të Zi

October 23, 2016   | Politika

Refuzohet ankesa e Koalicionit-Me një qëllim-Gezim-Hajdinaga-UlqinKumtesë për opinion i koalicionit shqiptar „Me një qëllim“.

Ankesa të cilën drejtuesit e Koalicionit “Shqiptarët të vendosur” i kanë dërguar Komisionit Zgjedhor Shtetëror dhe votimi i përfaqësuesit të tyre në këtë komision do të mbetet në kujtim për shqiptarët në Mal të Zi si një njollë e zezë se si nuk duhet të punohet për interesin nacional, raporton portali Ul.info.

Ankesa ndaj kërkesës tonë, e cila ka qenë në pajtim me Ligjin, që të përsëriten zgjedhjet në disa vendvotime me qëllim të përmirësimit të rezultatit, është veprim që duhet përbuzur. Në këtë mënyrë ata kanë treguar se kënaqësia e tyre më e madhe është që shqiptarët të kenë një deputet më pak, respektivisht të lejojnë partitë proserbe të kenë një deputet më shumë.

Na ka habitur edhe fakti që të vendosur kundër kërkesës tonë kanë qenë edhe nga Partia Boshnjake. Kjo e ka përforcuar edhe më tepër qëndrimin se me ta nuk mund te ketë veprim të përbashkët, sepse, është e qartë se nuk i shohim në të njëjtën mënyrë pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve.

Jemi të bindur se me partnerë të tillë z. Gjukanoviqi nuk do të mbërrijë larg.

Duke qenë se kemi dashur që pas publikimit të rezultateve zyrtare ta urojmë Koalicionin “Shqiptarët të vendosur” për fitimin e një mandati në Parlamentin e Malit të Zi, pas këtij veprimi të tyre nuk do ta bëjmë këtë. Sepse, me veprimet e tyre ata kanë treguar se nuk janë përfaqësues të denjë të popullit shqiptar.

Ata e dinë mirë se diçka të tillë ne nuk do ta bënim kurrë!

Ne publikisht falënderojmë Koalicionin shqiptar „Guximi” sepse i deleguari i këti grupacioni mbështeti ankesën tonë në KZSH-ën.