Mbahet mbledhja komemorative për Riza Rexhën

November 13, 2016   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

im memoriam Riza-RexhaSot, në Sallën e madhe të Komunës së Ulqinit, në organizimin e Shoqatës së artistëve dhe intelektualëve “Art club”, u mbajt mbledhja komemorative në nder të Mr. Riza Rexhes, i cili ndërroi jetë të shtunën në Ulqin, raporton portali Ul.info.

Në fjalën e rastit, Dr. Nail Draga foli hollësisht për biografinë e profesor Riza Rexhës, duke theksuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, hulumtimit dhe botimeve shkencore nga historia kombëtare shqiptare.

“Me vdekjen e tij, familja humbi personin e dashur, ndërsa shoqëria dhe kultura shqiptare intelektualin dhe studiuesin e nderuar. Ngushëllimet më të përzemërta familjes Rexha, të afërmve dhe miqve të tij. Lamtumirë profesori ynë i nderuar”, përfundoi Draga.

Në emër të familjes të pranishmëve iu drejtua Ali Rexha, i cili i falënderoi të gjithë që gjetën kohë ta përkujtojnë veprën dhe punën e Riza Rexhës.

“Në kohën kur të gjithë neve na duket se të tjerët na kanë borxh, mbetet emblematike dhe, për të gjithë ne udhërrëfyes,  thënia e Mr. Riza Rexhës ‘I kam mbet borxh kombit’, për shkak se nuk kishte arritur të botojë librin e tretë, si vazhdimësi e studimeve të tij për historinë e Ulqinit, gjë që ai e konsideronte si detyrim kombëtar. Para disa ditësh, Shoqata e artistëve dhe intelektualëve ‘Art Club’ ka botuar në gjuhën malazeze librin ‘Ulqini në vitet e lidhjes shqiptare të Prizrenit 1878-1881’. Ky është një satisfaksion për ne, ashtu siç na mbetet peng që gjatë kohës sa ishte gjallë nuk kemi arritur të botojmë në gjuhën malazeze librin e tij ‘Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912’, të cilin e kemi në plan ta botojmë në të ardhmen e afërt për të përmbushur borxhin që kemi ndaj tij. Vdekja e studiuesit Riza Rexha është humbje e madhe për familjarët dhe të afërmit e tij, për shkencën shqiptare në përgjithësi, e sidomos për historiografinë shqiptare në Mal të Zi”, tha në fjalën e tij kryetari i “Art Clubit”Mr. Ismet Kallaba.

Riza Rexha lindi me 7 shkurt të vitit 1935, në fshatin Këllezën në Ulqin. Në vitin 1964 regjistrohet në Fakultetin filozofik në Prishtinë, në degën e historisë, ku merr diplomën e profesorit në vitin 1968. Nga shtatori i vitit 1968 deri në muajin maj të vitit 1980 jep mësim në shkollën e mesme në Ulqin. Më pas, nga viti 1980 deri sa del në pension, në vitin 1991, ka punuar në Bashkësinë dhe qeverisjen e interesit në Ulqin. Krahas punës edukativo-arsimore është marrë edhe me punë shkencore. Puna shkencore është kurorëzuar me mbrojtjen e tezës së magjistraturës me titull “Ulqini 1918-1945”. Ka marrë pjesë në sesione dhe simpoziume të ndryshme shkencore në hapësirën etnogjeografike shqiptare, ku është paraqitur me kumtesa të suksesshme nga fusha e historisë. Ka botuar dy libra monumental, jo vetëm për Shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për Shqiptarët në përgjithësi dhe ato janë “Ulqini në vitet e lidhjes shqiptare të Prizrenit 1878-1881” dhe “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912“, që të dyja të botuara nga “Art Club”. Është laureat i shpërblimit të “Art Clubit” për vitin 1998. Duke vlerësuar lartë punën edukativo-arsimore, por edhe atë si studiues, në vitin 2014 Kuvendi i Komunës së Ulqinit i jep dekoratën më të lartë “Mirënjohja e Ulqinit”.