Abazoviq: Nuk dihet ku përfundojnë milionat e marra borxh nga komuna Ulqinit

November 14, 2016   | Ekonomia / Ekonomija, Lajmet / Vijesti

Dritan-abazovicNuk dihet ku shkojnë paratë nga huamarrja e pushtetit, pasoja për popullin

Këshilltari i Lëvizjes qytetare URA Dritan Abazoviq ka thënë në mbledhjen e Kuvendit komunal të Ulqinit se pushteti lokal në Ulqin këtë vit ka marrë kredi prej 4,25 milion euro, e tani kërkon tjetrin me vlerë 500 mijë euro, raporton portali Ul.info.

Ai theksoi se kjo është gati pesë milion euro, gjegjësisht kaq janë të ardhurat që komuna i vjel gjatë një viti.

„Keni detyrim ligjor që çdo tre muaj të dorëzoni raportet se si shpenzohen mjetet nga buxheti. Nuk e keni bërë këtë gjë“, tha Abazoviq duke iu drejtuar këshilltarëve të Forcës së re demokratike dhe pyeti ku është rebalanci i buxhetit për vitin 2016, e po zhvillohet shqyrtimi publik!? „Kush nga këshilltarët e ka parë“, shtoi këshilltari i URA-së.

Ai kërkoi „të paktën një provë që pushteti momental punon ndryshe nga i kaluari“.

„Çfarë është investuar  në këtë vit në territorin e komunës së Ulqinit? Kush do të thotë: kemi shpenzuar pesë milion euro, por, ja, kemi këtë urë, këtë rrugë, shatërvanë! Të paktën diçka! Asgjë, e koalicioni qeverisës ka 27 nga gjithsej 33 këshilltarë“, përfundoi Abazoviq.