Mark Gjonaj dhe kontributi me veprimtari atdhetare

November 20, 2016   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Mark-Gjonaj-Samiti i Diaspores-TiraneSamiti i Diasporës ka mbledhur në Tiranë, rreth 1000 anëtarë të diasporës shqiptare nga 40 vende të botës. Nën sloganin “Të pandarë për Shqipërinë”, ditën e sotme janë zhvilluar disa takime. Një prej tyre ishte dhe takimi i zhvilluar në ambjentet e Ministrisë së Jashtme me temën: “Organizimi i Diasporës dhe roli i saj në zhvillimin e Atdheut: Eksperienca nga bota.”

Në panelin e të ftuarve ishte edhe, anëtari i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj. Gjonaj është shprehur për dritare.net se është e rëndësishme të krijohet një Këshill i Diasporës, dhe të investohet në të gjitha komunitet e shqiptarëve në botë.

“Duhet të krijohet një Këshill i Diasporës, janë rreth 40 shtete në të cilat Shqipëria ka Ambasada. Për këtë arsye duhet të bëhet një institucionalizim më i fortë mes shtetit dhe shqiptarëve në Diasporë. Të kemi një Këshill të Diasporës, të pandikuar nga partitë poltike, pavarësisht kush është në qeverisje. Duhet që qeveria shqiptare të investojë në edukimin tonë dhe në qendrat komunitare.”

Mark-Gjonaj-Samiti i Diaspores-Tirane-1

Për të Samiti i Diasporës është një fillim i mirë për të lidhur shqiptarët që jetojnë larg vendit amë.

“Jam shumë i lumtur që kam ardhur këtu. Sapo vij në Tiranë, marr një energji shume pozitive. Ky samit është një fillim i mirë dhe është shumë i rëndësishëm, pasi nëpërmjet tij ne ndërtojmë ura lidhëse për vendin ku shumë shqiptarë jetojnë me Atdheun e tyre që është Shqipëria. Dhe kjo është një avantazh shumë i madh, për të gjithë shqiptarët”

Gjonaj thotë për dritare.net se komuniteti i shqiptarëve në SHBA është me shumë potenciale dhe janë shqiptarët që po e zhvillojnë Amerikën, nëpërmjet kontributeve në profesionet përkatëse.

“Shqiptarët në Amerikë janë të vendosur, të arsimuar dhe të fokusuar për të bërë çdo ditë më të mirën në profesionet e tyre. Janë ata që po e bëjnë Amerikën një vend më të mirë.

Komuniteti shqiptar njihet jo vetëm në qytetin e Nju Jorkut, por edhe në shtetin e Nju Jorkut, për kontributin e madh që ka dhënë dhe jep çdo ditë. Flasim për më shumë se gjysëm milionë shqiptarë që po japin ndihmesën e tyre në zhvillimin e vëndit.”

Mark-Gjonaj-Samiti i Diaspores-Tirane me Ulqinakët

Me optimizëm, Gjonaj thotë për dritare.net, se shqiptarët e Diasporës do të kthehen një ditë dhe do ta bëjnë Atdheun e tyre, një vend më të mirë.

“Unë jam natyrë optimiste dhe unë nuk shoh probleme, unë shoh potenciale. Por kur kemi probleme, ne i identifikojmë ato, për të arritur në gjetjen e zgjidhjeve. Ajo që unë kam pare, është se çdo ditë, takoj gra edhe burra që kanë arritur suksese në fusha përkatëse, si doktorë, mësues, ushtarë, e shumë të tjera.

Të gjithë shqiptarët janë larguar nga vendlindjet e tyre për një arsye, të kenë një cilësi jetese më të lartë, një të ardhme më të mirë. Por komuniteti i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, është me shumë potencial dhe tashmë shohin për të ndihmuar Atdheun e tyre. Ata do të rikthehen për të krijuar një të ardhme më të ndritëshme për vendlindjet tona. Çdo ditë takoj burra dhe gra, që janë të plotësuar dhe të arrirë në profesionet e tyre. Njerëzit kanë një dëshirë të madhe për të ecur para dhe gjithmonë mendojnë ‘çfarë mund të bëj unë për komunitetin tim, për brezat e ardhshme.’”

I zgjedhur anëtar i Asambles të Nju Jorkut, për partinë Demokratike, Gjonaj shprehet se shqiptarët nuk kanë pse të shqetësohen për zgjedhjen e Tramp si President.

Mark-Gjonaj-Hillary-Clinton

“Unë e respektoj vullnetin e popullit dhe Tramp është presidenti i Amerikës. Pres me padurim të filloj të punoj me të, e të sigurohem që shteti të ketë drejtimin e duhur. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira, sukseset e shqiptarëve atje janë të shumta dhe ne jemi një pjesë që e bën Amerikën një vend të mrekullueshëm. Shqiptarët nuk kanë pse të shqetësohen pasi janë të sigurte”- e mbylli  Gjonaj./ dritare.net