26-27 Nëntor, Tirana me kryetarët e bashkive të Ulqinit, Prishtinës, Tetovës dhe Preshevës

November 25, 2016   | Rajoni / Region

Krijohet Kuvendi Kombëtar i Njësive Vendore Shqiptare.1_Nazif Cungu.5Të Dielën mbahet Konferenca e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.

Pas atmosferës së bukur që solli fundjavën e shkuar në Tiranë organizimi i Samitit të Diasporës, kryeqyteti është gati të mirëpresë në datat 26-27 Nëntor, Konferencën e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, një ide e propozuar para disa javësh nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në takimin e tij me homologun kosovar, Shpend Ahmeti, në Prishtinë.

Kryetarët e Komunave të Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës do të mbërrijnë sot pasdite në kryeqytetin shqiptar, për të vijuar nga nesër me axhendën e përgatitur nga Bashkia e Tiranës, e cila kulmon ditën e Dielë me organizimin e Konferencës së parë të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.

Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj do t’i mirëpresë ditën e Shtunë në orën 09.30 krerët e Bashkive Shqiptare të Rajonit dhe delegacionet që i shoqërojnë ata, ku edhe do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi. Më pas, në orën 12:00, delegacionet nga Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva do të marrin pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet me familjet firmëtare te Monumenti i Pavarësisë, në Parkun Rinia, që i paraprin festimeve të 104 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit të tyre dy ditor në Tiranë, delegacionet do të vizitojnë në terren edhe disa nga projektet madhore që Bashkia e Tiranës ka nisur të zbatojë, si rehabilitimi i Sheshit “Skënderbej”, i cili është konceptuar që të përfaqësojë të gjitha trevat shqiptare, apo rindërtimi i stadiumit “Qemal Stafa”.

Ndërkaq, ditën e Dielë, duke nisur  nga ora 10:00, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës, do të mbahet Konferenca e Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit në Hotel Plaza.

Erion-Veliaj-Teuta-Arifi-Shpend-Ahmeti-Nazif-Cungu-Shqiprim-Arifi-Presheva-640x284

Me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të mbajë fjalën e mirëseardhjes, e cila do të pasohet më pas edhe nga fjalët përshëndetëse të kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, kryetarit të Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi, kryetares së Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, si dhe nga kryetari i Bashkisë së Ulqinit, z. Nazif Cungu.

Mandej, konferenca do të vijojë me prezantimin dhe shkëmbimin e eksperiencave të bashkive shqiptare në rajon, si dhe në fund të saj do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes 5 kryetarëve të bashkive shqiptare.