Maratona e Pavarësisë 2016 Ulqin – Shkodër po afrohet

November 26, 2016   | Ngjarjet - Events

Maratona e Pavarësisë, Ulqin - ShkodërVetëm dy ditë na ndajnë nga ngjarja më e madhe sportive e vitit këtu në Ulqin, Maratona e pavarësisë, Maratona e paqes, e cila kalon shtegun Ulqin – Shkodër prej 42 km. Këtë Maratonë e filluan 5 vite më parë dy bashkëvendasit tanë që jetojnë dhe punojnë në Nju Jork të SHBA-ve. Pesë vite më vonë, nisma e Esat Aloshit dhe Mustafë Berkanit institucionalizohet. Tashmë nuk garojnë dy entuiziastë me shtegun prej 42 km, por garojnë shumë sportistë për të fituar garën, maratonën. Pra nuk bëjnë gara me shtegun por me njëri tjetrin për të fituar garën.

Esad-Aloshi-Mustaf-Berkani-Maratona-e-pavarsise-Ulqin-Shkoder.2

Sporti në pergjithësi nuk njeh kufij, kurse Maratona e Pavaresisë kalon një kufi i cili para 20 vitesh as që mund të imagjinohej t’i ofrohej, e jo më të kalohet me vrap. Tashmë kufiri shqiptaro-shqiptar kalohet për të bashkuar dy qytete, distanca në mes të cilëve është 42 km.

E nisën dy garues me shtegun Ulqin-Shkodër, e pas një viti po këta u kthyen përsëri, por tashmë për t’u kthyer nga Shkodra për në Ulqin dhe tashmë jo vetëm këta të dy, por edhe maratonistë të tjerë. Çdo vit numri i garuesëve vjen duke u rritur dhe tash mund të thuhet se është Maratonë ndërkombëtare, e falë këmbënguljes së nismëtarëve do bëhet edhe tradicionale dhe njëra ndër më të rëndësishmet në Ballkan.