Sot: Të festojmë së bashku 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit në Ostros – Krajë

November 27, 2016   | Rajoni / Region

LDMZKUMTESË – FTESË

 

Për në Ostros – Krajë, të dielën, më 27.11.2016, në orën 18:00

 

SALLA E BASHKËSISË VENDORE

Të festojmë së bashku 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit

URIME!

 

Njoftojmë se Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Dega e Krajës – e Tivarit, në koordinim me udhëheqjen qendrore të LD në MZ-së, të dielën, më 27.11.2016, në orën 18:00 në Ostros – Krajë, në SALLËN E BASHKËSISË VENDORE, organizon festimin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

 

Me këtë rast ftojmë të gjithë anëtarët, veprimtarët dhe simpatizuesit si edhe të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie partiake, që të marrin pjesë dhe së bashku të festojmë e shënojmë këtë  date madhështore në historinë e popullit shqiptar.

 

Me rastin e kësaj date të rëndësishme kombëtare, është mirë të përkujtojmë opinionin e gjerë e sidomos të rejat e të rinjtë, po edhe ato e ata që për arsye të ndryshme, nuk e dinë, ata që e kanë harrua ose kanë qenë të “detyruar ta qesin në harresë”, se Lidhja Demokratike në Mal të Zi, ishte subjekti i parë, jo vetëm politik, shqiptar, e cili, bazuar në programin e vet themeltar (nga 9 shtatori 1990 dhe në kontinuitet deri sot), i shënoi në mënyrë të organizuar dhe publike festat kombëtare: 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, 7 Marsin – Ditën e Mësuesit etj. për të gjithë qytetarët, në të gjitha trevat shqiptare, sot në Malin e Zi.

Të përkujtojmë se ato ishin kohë të vështira kur lypsej vullneti, përkushtimi, po edhe guximi, kur formacionet militare e paramilitare jugosllavo serbo malazeze në krye me Millosheviqin, kishin filluar luftat okupuese gjenocidiane ndaj fqinjëve të vet; kur formacionet soldatesko fetare të Kishës Pravosllave Serbe në krye me mitrolitin Amfilohije, përkrahësin, agjituesin dhe vepruesin e politikës serbomadhe shoviniste, morën rrugën nëpër Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, për të shkuar në muranat e themelet e Kishës së Krajës, të këtij monumenti të trashëgimisë sonë historike arkeologjike të shekullit të dhjetë, se kinse është i tyre…duke treguar haptas e duke kërcënuar banorët vendas – shqiptarët, me forcën e militarëve të tyre, po edhe të policisë malazeze që (atëherë) e kishin si “përcjellje”, LD në MZ i kundërshtoi haptas, publikisht, në njërën anë dhe festoi festat kombëtare, pra : 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, 7 Marsin – Ditën e Mësuesit etj. Për të treguar se kush jemi, për të treguar vetvetën e për mos me e harrua të vetën, por duke respektuar edhe të tjerët. Me këto u treguam qartë se ne do të mbrojmë me dinjitet historinë tonë të ndritshme, historinë e sakrificave dhe trojet e stërgjyshërve tanë. Ndoshta nuk është tepër të sqarojmë, për arsye të shëndetit kombëtar e demokratik, se disa që sot po rrahin gjoks, ikën jashtë e disa u mbyllën në shtëpia që të presin “ditë më të mira”…

 

Më lejoni që në fund të kësaj kumtese e ftese, që në emër të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, të anëtarëve të saj dhe të udhëheqje së shëndoshë të saj, që tash 26 vjet me radhë veproi me përkushtim e dinjitet, që të gjithë shqiptarëve kudo ku gjenden, në trojet e veta dhe në diasporë t’ju uroj 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit. Mos të harrojmë vendlindjen, historinë dhe cakun që të ruajmë trashëgiminë tonë të begatë dhe trojet tona.

Prandaj, të festojmë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, të bashkuar, me dashuri për të kaluarën që të gëzojmë të ardhmën.

 

Urime!

 

Në Ulqin, më 25 nëntor 2016                                       MEHMET BARDHI, kryetar i LD në MZ