Gjekë Gjonaj: Lanush Nuzi Peraj ( 1878-1964)

November 29, 2016   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Lanush Nuzi PerajFjala e tij gur i madh  në kalanë e drejtësisë së kuvendeve të burrave

 Gjekë Gjonaj

Prej vitesh, qëkur kam filluar interesimet e mia të para për Anën e Malit-Ulqin,  më kishin lënë përshtypje  të pashlyeshme  rrëfimet e anamalasve  për  disa burra  të shquar  popullorë të kësaj trevë  shqiptare, që i dinin mirë rregullat dhe normat  kanunore. Një mrekulli e vërtetë. Njerëz që, ndonëse  pa shkollë  e , të shumtën e herës, pa zbritur ndonjëherë në qytete e pa parë ndonjë qendër të madhe arsimore e kulturore, dinin ta tëhollojnë bisedën    aq bukur sa të duket se ishin me shkollë të lartë gojtarie, që  sot mund t’ua kenë lakmi shumë intelektualë,   e të kuvednojnë për pajtim, për probleme shoqërore  për të përballuar rreziqe të ndryshme    në  mjedise të  përshtatshme, në një dhomë, siç ka qenë tradicionalisht “ oda e burrave”  apo “ oda e miqve” , një shesh apo log të  përshtatshëm.

Ndër ata burra e pleqnar anamalas  që flisnin me mend e me rend, në pajtim me thënien urtake :“  Fjala pa rend, puna pa mend, si gjumi pa jorgan”  ishte edhe Lanush Nuzi Peraj   ( 1878-1964) , nga  Shasi legjendar,  me origjinë   nga   fisi  Nikaj e Mertur të  rrethit të Tropojës.  Fjala e këtij  pleqnari popullor me qeleshe (plis) të  bardhë, ashtu siç e kërkonte mençuria popullore, „ bluhej“ para se nxirrej nga goja. Ajo  nuk flitej pa u menduar mbase kishte peshë të madhe.

Ky burrë i mençur me  forcën e fjalës së  tij  kishte për detyrë të gjykonte  ngatërresa e grindje te ndryshme sipas Kanunit apo ligjeve kanunore tradicionale. Parimi kryesor i çdo pleqnari të ndërgjegjshëm, pra edhe i Lanushit,  ishte ta zgjidhë çështjen drejt, pa anësime, pa u ndikuar nga asnjë trysni dhe të mëtojë që nga gjykimi të mos dëmtohet asnjëra palë pa të drejtë, sikurse edhe  t’i zbusë konfliktet kur ishte e mundshme. Shprehje tipike e ketij synimi të mbarë është thenia: “Jo me i lanë armiq, por me i lanë vllazën“.

Emri dhe figura e Lanush Perajt   në kujtesën e popullit të Anës së Malit   me rrethinë    ruhen të freskëta edhe  sot. Anamalasit  mburren me mendjeprehtësinë e tij, me gatishmnërinë që në çdo moment të jepte përgjgjen  më adekuate edhe në situata, për të tjerët, pa shtegdalje. Kur përmendet emri  i Lanushit, kudo në Anë të Malit, dhe në fshatra përreth, menjëherë përkujtohet plaku i urtë dhe i mençur, i cili ka ditë,  siç thuhet në këtë  krahinë,  me pre. Përherë  gjakftohtë, i matur, i drejtë, i sinqertë, i përmbajtur në fjalë, i panxituar në shpërthimin e ndjenjave, qofshin të gëzimit apo edhe të hidhërimit. Nuk lejoi kurrë që fjala  e tij „të  vrasë shtrembër“, sepse ishte i vetëdijshëm  se fjala tek shqiptarët konsiderohet si plumbi, me anën e së cilës mund të fitosh, po edhe mund të humbasësh kokën.

Lanush Peraj  me urtinë dhe mençurinë e tij la gjurmë të pashlyeshme në odat e burrave dhe në kuvende shqiptare, atëherë kur  kullat ( shtëpitë) tona ishin shkolla, fushëbeteja, ku matej burrëria e mençuria popullore, e që  ishin gjykatore dhe drejtësia e tyre ishte më e fuqishme se ligjet e pushteteve antipopullore në  këto treva.  Fjala e tij ishte  gur i madh në kalanë e drejtësisë së kuvendeve shqiptare të   gjysmës së parë të shekullit njëzet.

Ulqin, 9 nëntor 2016