INTERVISTA/ Flet aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa në emisionin Portreti

November 29, 2016   | Intervista / Intervju

Margarita-Xhepa-Hatixhe-NelajNdiqni emisionin“Portreti” i cili emitohet çdo te hene ne oren 21.00 në Televizionin Teuta.
Moderatorja e emisonit Hatixhe Nelaj na mundson të ndjekim emisionin “Portreti” që transmetohet në TV Teuta.
Ndiqni emisionin ku protagonist i emisionit është aktorja e madhe shqiptare zonja Margarita Xhepa.

Biografia

Qëndroj përballë aktores së madhe Margarita Xhepa dhe përpara se të nis bisedën me të, skicoj portretin e saj.

Një grua vërtet e bukur, me sytë që edhe sot në prag të 83-vjetorit të lindjes, ruajnë besnikërisht bukurinë e rinisë. Çuditërisht, koha nuk i ka dëmtuar asgjë Margaritës, është një hyjneshë e vërtetë, në bukuri dhe në skenë, e cila e nisi udhën e jetës këmbëzbathur në Lushnjën e saj të dashur, për të mbërritur në majat e skenës dhe kinematografisë shqiptare.

Margarita Xhepa është zhytur në kujtime, teksa bisedojmë në këtë prag ditëlindjeje. Kjo ditë jubilare e ka zënë në një situatë jo të favorshme shëndetësore artisten. “Pse më ndodhi tani, në prag të festës?”, citon “Koha jonë” atë.

Aktorja e madhe, falë vullnetit dhe këmbënguljes së saj, pikërisht më 8 mars, kreu një operacion të vështirë, që e përballoi me sukses duke sfiduar dhimbjet dhe tani është në ditët e fundit të rehabilitimit. Por kjo situatë nuk e ka penguar aspak që të festojë, sidoqë e ulur në karrocë. Përpos kësaj, kjo nuk e pengoi Fondacionin “Nermin Vlora Falaschi”, që ditën e lindjes ta shndërrojë në një festë të vërtetë, për themeluesen dhe veprimtaren e shquar të tij për gjatë 12 viteve.

Pjesë e festës përveç artistëve, aktorë e regjisorë, kolegë të Teatrit Kombëtar, ashtu edhe nga Kosova dhe Maqedonia, do të jenë edhe delegacione të grave, pjesë e këtij Fondacioni nga Italia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia etj. Ku ndër surprizat e shumta në këtë ditë të veçantë, është edhe torta gjigante dërguar nga komuniteti i shqiptarëve në Australinë e largët, shoqëruar me një letër të firmosur nga Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Australi, prof. Dr.Resmi Kamberaj.

– Nuk më lejon mjeku, por unë do të kisha ecur deri këtu. Më rri mbi kokë edhe im bir, Sokoli, që është kirurg.

“Duhet të kesh kujdes, të ruhesh, deri sa të mbushësh 6 javë nga dita që bëre operacionin dhe më pas do të ecësh vetë, jo si më parë, por si vajzë e re”, – i ka thënë i biri. Ishte një koiçidencë me jubileun e lindjes dhe ajo që nuk mund të bëjë në këtë ditë të rëndësishme të jetës sime, është të mos vallëzojë.

Fëmijëria
Duke biseduar me Margaritën tonë, që nuk gabojmë nëse e cilësojmë një margaritar të artit, ajo hedh vështrimin larg: Tek fëmijëria. “Isha një vajzë e brishtë, që më pëlqenin fustanet me lule, të cilët derdheshin mbi kërcinjtë e gjatë, e që ecja këmbë zbathur nëpër rrugët e Myzeqesë.

Nëna më kishte bërë të bukur, por shumë të lëvizshme. Gjithmonë ma përmendte se, që në bark i dëgjonte shkelmat e “këmbëve të vogla” dhe ato trokitje, që e linin nënën pa gjumë, do të pushonin 2 prillin e vitit 1934, kur dola në dritë me të qara. Megjithëse nëna ime e mirë dhe e butë u nda shpejt nga ne, e kujtoj me shumë mall, nanurisjen e saj të ëmbël për të më vënë në gjumë, përrallat dhe përkëdhelitë e pafund. Nënën time, e quanin Mari, them se kishte diçka si Shën-Maria, diçka të butë, të butë…të ëmbël, të ëmbël…
U nda prej meje, kur isha 9 vjeçe, as fëmijë dhe as e rritur, duke më krijuar një boshllëk të madh, një dhimbje, që do të më shoqëronte tërë jetën. Nuk e di, por më është krijuar bindja se ishin pikërisht rrëfimet e saj, ato që ndezën tek unë dëshirën për të ndjekur më pas rrugën e bukur të artit. Eh, një fëmijëri në një kohë dhe vend të varfër, që nuk dinim se çfarë ishin lodrat, përveç kërcimit me litar. Në shkollë, shkoja me një çantë lecke dhe shpesh këmbëzbathur. Kujtoj mësuesen e parë, Sofie Kushi, që më mësoi të flas, të recitoj dhe të këndoj bukur. Sidoqoftë, si për cilindo edhe për mua, fëmijëria është një pasuri e madhe, e pazëvendësueshme”, – thotë e prekur Margarita.

Mbani mend recitimin e parë
Dita më e shënuar për aktoren, ishte kur do të recitonte për herë të parë në sheshin e qytetit të Lushnjës.

“Kisha marrë një fustan të ri dhe dridhesha e tëra, – rrëfen ajo, – poezia quhej “Vajza shqiptare”. Kujtoj edhe sot brendinë e vjershës. Thuhej që vajzat shqiptare ishin të zonja dhe të bukura, se ato kishin lënë tërkuzën dhe kishin rrëmbyer shatin. Flitej se ato, iknin dhe jashtë shtëpisë, jashtë qytetit, për të bërë punë vullnetare, që të ndërtonin “jetën e re” dhe “njeriun e ri”, sikundër thuhej. Kjo më frymëzonte. Ndoshta një ditë dhe unë, vajza shqiptare, do të ikja jashtë mureve të shtëpisë dhe dita nuk mungoi të vinte”.

Kur pashë filmin e parë. Dëshiroja të bëhesha si Sllavica…
Margarita kujton vitin 1949, kur për herë të parë në jetën e saj, pa një film. “Filmi quhej “Sllavica” dhe kishte si personazh kryesor një vajzë të shkathët, simpatike, që më mrekulloi shpirtin. Sa dëshiroja të isha edhe unë një Sllavicë. Për çudi, nuk zgjati shumë dhe për mua erdhi roli i parë. Ishte një pjesë ruse titulluar “Katjusha”.

Kam qenë në shkollën 7-vjeçare, kur vjen një regjisor, që e kish emrin Gëzim Libohova, që kërkonte personazhin. Meqenëse personazhi kryesor aty ishte një vajzë ruse e bukur, ai më zgjodhi mua, ngaqë isha dhe unë shtatlartë, e bardhë dhe flokëverdhë, si ruset. Shfaqja doli shumë mirë dhe me të bëmë një turne në Kuçovë, Fier dhe Patos. Sa e lumtur ndjehesha”.

-Cili është roli i parë në film?
M. Xhepa: Bashkë me fëmijërinë e saj, artistja nuk lëshon nga goja, Lushnjën, qytetin e lindjes. Qytet i vogël, pa shtëpi të larta, pa asfalt, por që na mbante gjallë dashuria për njëri-tjetrin.

Ajo ndjehet krenare që nga Lushnja e vogël, dolën artistë të mëdhenj, si këngëtarja e madhe Vaçe Zela, aktorët Ilia Shyti, Ferial Meçule (Alibali), Luan Qerimi, pa lënë mënjanë as regjisorin e talentuar, Kristaq Dhamo. “Ndoshta ishte edhe shans për mua, që ky regjisor, bashkëqytetari im më besoi rolin e parë në filmin tim të parë, Zyrakën tek “Vitet e para”, që çeli plotësisht shtegun e rrugës së gjatë të karrierës sime në skenë dhe kinematografi me 150 role”, – thotë aktorja.

-Por si ndjehet Margarita brenda vetes, në prag të ditëlindjes së 83-të?
M. Xhepa: Si çdo grua shqiptare, që është e sakrificës, padyshim është më e lodhura, më e vuajtura në familje dhe në shoqëri. “Si nënë jam e lumtur. Kam rritur tre fëmijë, me shumë mundim, për shkak të profesionit im. Gjithsesi, si çdo nënë ndjehem e lumtur sepse mundimi nuk më shkoi dëm, pasi fëmijët e mi janë bërë të zotë për veten dhe shoqërinë, duke qenë vetvetja”.

-Sa ka ndikuar në familje të qenit një artiste e madhe, sikurse është Margarita Xhepa?
M. Xhepa: “E kam thënë në çdo intervistë, dua të them të vërtetën, të pohoj se artiste kam qenë vetëm në skenë. Në shtëpi jam gruaja e mbërthyer me vështirësitë e jetës, sikurse ndodh me të gjithë, ashtu edhe me artistët në përgjithësi. Falë energjive dhe përkushtimit, i kam kryer me sukses impenjimet e mia. Sigurisht, për të qenë një aktore e suksesshme, rol luajnë edhe regjisorët. Besimi që ata kanë pasur ndaj meje më ka rritur përgjegjësinë e përkushtimin, në dashurinë e madhe për profesionin tim. Duke i hedhur një vështrim karrierës së gjatë në skenë, arrij në përfundimin se rolit i kam dhënë shpirtin tim dhe se jam lumturuar e nuk kam ndjerë kurrë pleqëri, nga duartrokitjet e spektatorëve, nga mirënjohja, që shprehin njerëzit kur më takojnë në rrugë. Arti më rriti, më formoi dhe më bëri të jem kjo që jam sot. Unë nuk përtoj as sot, kur më kërkojnë që të luaj në skenë, apo të xhiroj nëpër filma edhe në këtë moshë. Vazhdoj të punoj, se më mbajnë gjallë përshëndetjet, mirënjohja dhe duartrokitjet e zjarrta, të artdashësve, që si vullkan mposhtin hallet e problemet e mia, më mbajnë të re në moshë dhe në shpirt”.

Role të spikatura të aktores Margarita Xhepa
Margarita një Zonjë Bërling e përsosur.
Drama e Xhon Pristlit “Vizita e Inspektorit” u vu në skenë nga regjisori i ri Dhimitër Pecani dhe u shfaq në Teatrin e Popullor në vitin 1980. Në gjithë zhvillimin e këtij spektakli, ndjehej loja e sigurt e Margarita Xhepës, në interpretimin e rolit të zonjës Bërling. Ajo u dha si një grua potente, racionale, me një paraqitje stoike, po aq ambicioze dhe mbrojtëse e interesave të ngushta të familjes së vet. Shpirti i saj akumulon vazhdimisht, gjersa shkon drejt një shpërthimi ndjenjash të vrullshme në mbrojtje të së vërtetës.

Morali i zonjës Dulska
Margarita Xhepa tashmë e konsoliduar në mjeshtërinë e saj, na shfaqet me rolin e Melës tek tragji-komedia e dramaturges polake Grabiela Zapolska “Morali i zonjës Dulska”. Vlera ë këtij spektakli ishte zbulimi dhe demaskimi i falsitetit, hipokrizisë dhe korrupsionit, që fshiheshin pas luftës së një familjeje në shoqërinë borgjeze. Spektatorët duartrokasin fort interpretimin e nënës despotike si zonja Dylska, që i mban nën tutelë fëmijët e saj të rritur, që për mungesë të moralit, shthuret e përmbyset gjithçka.

Nëna e Kostandinit
“Kostandini dhe Doruntina” kishte parë dritën e skenës në Teatrin Kombëtar në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar dhe në fundin e dhjetëvjeçarit të ri të shekullit njëzet e një, kapërcen kufirin nëpërmjet skenës greke. Tanimë shfaqja do të quhej “Besa e vëllait të vdekur” dhe do të jepej më 12 prill 2009 në Teatrin “Kappa” të Athinës, në një vështrim të ri prej regjisorit grek Sotiris Haxaqis. Ishin mbledhur e harmonizuar këtu të gjitha variantet e kësaj legjende të prodhuar në trevën ballkanike, për të krijuar atë vepër unike universale që u quajt “Mrekullia e vitit”! Thuajse e njëjta legjendë e interpretuar në pesë gjuhët e Ballkanit, me tre nëna njëherësh në skenë (greke, rumune e shqiptare), ku do të spikaste Nëna e Kostandinit, Margarita Xhepa.

Klea tek komedia e Gulhieme Figueiredos
Teksa kujton disa nga rolet e saj të spikatura, që ka prekur suksesin, ndalet tek roli i Kleas në komedinë e Gulhieme Figueiredos, që u shfaq në pranverën e vitit 1961. Duke folur për shfaqjen, kritika e kohës do të nënvizonte: “Pamja e Margarita Xhepës ishte shkëlqyese dhe u përgjigjet në mënyrë harmonike ndjesive shpirtërore prej femre të kultivuar, të pasionuar dhe inteligjente!”.

Shërbyesja në dramën ruse
“Në vitin 1951 kam luajtur për herë të parë rolin e shërbyeses, në një dramë ruse “Makar Dubrov”. Kanë kaluar 51 vjet pas rolit dhe ndjehem shumë keq, që realiteti shqiptar përjeton në çdo kohë drama dhe tragjedi të tilla. Shqipëria vazhdon të përjetojë, siç kanë shkruar Naimi, Mjeda, Fishta e Migjeni. Prandaj edhe spektatori ynë është shumë i ndjeshëm nga dhimbjet, nga dramat që luhen në kurriz të tij. Kjo është dhimbje për çdo shqiptar, por për artistin dhjetëfish”, – përlotet aktorja.

Një sukses i madh i aktores ka qenë pjesëmarrja në filmin grek “Mirupafshim”, me regjisor Jorgo Koras dhe Kristo Vukuras, ku Margarita luajti rolin e nënës me aktorin më të kërkuar grek, Aqis Sakelariu. Në të gjitha faqet e para të shtypit grek shkëlqente portreti i aktores shqiptare Margarita Xhepa. S’kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ai rol i gruas i përshtatej thellë në ind dhimbjes amësore të fatit tragjik të shqiptarëve, të cilat lënë shtëpitë e familjet e tyre për një copë bukë. Dhe nuk i dihet fatit të tyre, kthehen gjallë apo të vdekur.

Një tjetër sukses i Margarita Xhepës, ishte pjesëmarrja në Teatrin Kombëtar të Athinës me “Elektra” e Sofokliut në rolin e dados, me regjisorin e njohur grek, Dhimitër Mavriqo. Kjo pra, është karriera artistike e Margarita Xhepës. Gruaja që theu tabutë në një moshë fare të re dhe u ngjit në skenën shqiptare për t’u bërë mit i bukurisë dhe profesionit aktoresk. Dhe ia arriti qëllimit të saj fisnik e profesional, ku dha shumë nga jeta e saj e derdhi të gjithë mirësinë e shpirtit të gruas dhe të nënës shqiptare.

Vlerësime për Margarita Xhepën
Dritëro Agolli: Margarita Xhepa meriton një monument, si vetë ajo.
“Nuk ka shqiptar të mos vlerësojë kontributin e Margarita Xhepës, në skenë dhe kinematografi. Është karriera e saj, talenti dhe bukuria, që e bënë të shndërrijë në horizontin e artit shqiptar një yll, që do të ndriçojë gjithë kohën. Sa dëshirë kisha që të vija edhe unë në festën që do të bëjë Fondacioni për Margaritën e madhe, të rrokullisja një gotë verë, pse jo edhe t’ia thërrisja një këngë. Shumë dëshirë do të kisha që të dëgjoja nga afër Margaritën të recitojë “Poçarin” tim, që nuk e heq nga goja dhe sikurse më kanë thënë, ka emocionuar auditorët me gra e burra, jo vetëm këtu, por edhe në shumë shtete të botës. Ah, sa dëshirë do të kisha. Por…”
Ju keni një ftesë bashkë me bashkëshorten, Sadijen, për t’u bërë pjesë e festës.

“Ah, nuk është problemi i ftesës, se po të mundem dhe të kem dëshirë, vij pa ftuar, por është gjendja shëndetësore, që më pengon. Jam me oksigjen në hundë, nuk mund të lëviz, por nuk mund të rri pa thënë dy fjalë për këtë artiste, që e admirojmë të gjithë. Margarita si aktore, si grua, si një njeri që është gjithmonë në lëvizje, nuk pushon së interesuari për problemet e artit e të shoqërisë. Për mua, është një heroinë e vërtetë. Mua më kujtohet një shprehje e Hajnes, poetit të madh gjerman, që thotë: “Njeriu, po humbi interesin shoqëror dhe politik, ai ka mbaruar”. Margarita do të jetojë shumë se është në lëvizje, përherë e përgjithmonë në lëvizje. Ajo është edhe një grua njerëzore, me shpirt të butë, që fal dashuri e mirënjohje për njerëzit. E si të mos e duash këtë grua, artiste e madhe, një bukuri e rënë nga qielli, një grua me shpirt kaq të ndjeshëm dhe fisnike. Janë të rrallë njerëzit me kaq shumë virtyte dhe unë them me plot gojën se Margarita Xhepës, meriton t’i bëhet një monument, sikurse është vetë Ajo”.

Regjisori Mihallaq Luarasi: Aktorja më e dashur për mua
“Ndjehem mirë që më kërkuat një opinion për Margaritën, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së saj. Që në fillim, dua të them se Margarita është aktorja ime më e dashur, me të cilën unë kam vënë në skenë pjesët më të mira të miat. Kam punuar një kohë të gjatë me këtë aktore, që në fillimet e karrierës së saj dhe arrij në përfundimin, e jo vetëm unë, se është një nga ikonat e shquara të teatrit shqiptar.

Kemi të bëjmë me një aktore të veçantë, nuk flas vetëm për talentin e saj në aktrim, që e bën atë të shquar, ç’ka e dinë dhe e pohojnë të gjithë, por ndërkohë është një aktore që ke dëshirë të punosh, ke dëshirë të realizosh role, sepse beson tek ajo, e dëgjon dhe respekton mendimin e regjisorit.

Ju thashë, dy shfaqjet më të mira që kam pasur fillo me “Dhelpra dhe rrushtë”, që i takon vitit të largët 1961 deri tek “Orteu zbret në ferr”, e vitit 1073, Margarita përcolli tërë shkëlqimin e saj. Unë gjykoj se kjo aktore vazhdon të jetë e tillë edhe në ditët e sotme dhe kështu do të mbetet”.

-Z. Luarasi, flitet që regjisorët i tërhiqte bukuria e Margaritës, që i besonin role. Mendimi juaj cili do të ishte?
Luarasi: “E mohoj kategorikisht dhe nuk e di kush e çon nëpër mend këtë. Sigurisht, duhet të pranojmë që njëfarë roli luan edhe bukuria fizike, por nëse mungon talenti për të interpretuar në skenë, ç’hyn në punë bukuria? Vajza të bukura ka sa të duash, por ato nuk mund të jenë aktore. Sigurisht, duhet të pranojmë se është një rastësi që janë bashkuar dy virtyte tek kjo aktore, bukuria dhe talenti. Kjo aktore është edhe një recituese e shkëlqyer, që e vazhdon me pasion, veçanërisht poezinë shqipe”.

-Mendoni se ka ardhur një Margaritë në skenat tona, pas viteve 90-të?
Luarasi: “Margarita Xhepa mbetet një ikonë e teatrit dhe e kinematografisë, e padyshim që mbetet një shembull për të gjitha vajzat e reja, të cilat kërkojnë të ngjiten në skenë, nuk e di se sa këto vajza i mbajnë parasysh këto shembuj, nuk besoj se ju kushtojnë vëmendje shumë, pasi e kanë mendjen tek interneti, se sa tek krijimtaria dhe modeli i aktoreve tona. Mendoj se ende nuk kemi një “Margaritë”, flas të profilit të saj, se aktore të reja, ka”.

Regjisori Pirro Milkani
“Kombi shqiptar duhet të mburret me margaritarin e artit, Margarita Xhepën. Me respekt dhe mirënjohje të thellë për këtë aktore të madhe, shpreh një opinionin tim. Sapo isha kthyer nga studimet në Pragë. Regjisori Kristaq Dhamo, që më kish thirrur si drejtor fotografie, flasim për vitin 1964, fiks 50 vjet më parë, e njoh Margaritën, një nuse e re dhe shumë e bukur, që kish lindur edhe një djalë, që do të luante një rol me aktorin Sandër Prosi. Për shkak edhe të bukurisë së saj fizike, ishte vërtet kënaqësi që ta ndriçoje, ta kompozoje këtë artiste, që fliste qartë se karriera e saj do të shkëlqente. Karakteri i saj, tepër i veçantë.

E urtë, fjalëpakë dhe shumë punëtore. Roleve u dha shpirtin e saj. Që në këtë rol, në këtë moshë, u duk qartë fotozhenia e saj, talenti i spikatur i saj. Sigurisht ajo kishte bërë karrierë në teatër, por në kinematografi po hidhte hapat e para, për të mbërritur në udhën e gjatë të karrierës me një galeri shumë të pasur rolesh. Ishte pjesë e rëndësishme e krijimtarisë artistike të Kinostudios. Me rolet që ka interpretuar në skenë dhe kinematografi, nivelin e interpretimit, në skenën shqiptare apo filmat greke, fotozheninë e jashtëzakonshme, duhet ta pohojmë që ka qenë një ndër femrat më të bukura aktore, e padyshim, që meriton të cilësohet Diva e artit shqiptar. Një komb, duhet të mburret me një aktore si Margarita Xhepa. Ajo është edhe nëna e një aktori, që zë vend të rëndësishëm veçanërisht në kinematografi. Shpesh ndodh që nëna kërkon ta bëjë fëmijën si veten, flas për aktorët dhe në shumicën e rasteve, dështojnë. Në këtë rast, padyshim ka ndikuar nëna aktore, por edhe Ndriçimit i ka pëlqyer kjo fushë, sigurisht duke pasur model edhe nënën e tij.

Margarita ka edhe një djalë, kirurg, Sokoli, që është një artist në fushën e tij. Unë kam njohur edhe bashkëshortin, Xhavitin, që ishte një artist i vërtetë dhe padyshim, familjen Xhepa e konsiderojmë një vatër artistësh, ku në qendër është ylli, Margaritë”.

Regjisori Kujtim Gjonaj, Një dokumentar “Me sytë e Margaritës”
Ky është dokumentari i parë që bëhet për aktoren tonë të madhe dhe të shquar, brilante të skenës dhe kinemasë shqiptare, “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa. Ajo ka interpretuar mbi 150 role në skenën teatrore dhe në mbi 33 filma artistikë. Margarita Xhepa është një gur margaritari, në margaritarët e shquar të artit shqiptar. Ajo ka vlera të pamohueshme, qofshin artistike, humane, bukurie. Unë kam pasur dëshirë të bëja diçka për aktoren, sepse e vlerësoj jo vetëm si artiste të madhe, por në radhë të parë vlerësoj dhe shpirtin e saj, zemrën e madhe që ka ajo, humanizmin e madh që buron nga zemra e saj. Por kjo ide u konkretizua kur Angjelina Xhara, më dhuron një libër për aktoren dhe këtu u ngjiz mendimi dhe ideja për të bërë diçka për Margaritën, që e titullova “Me sytë e Margaritës”.

Këndvështrimi për Margaritën është që nëpërmjet zërit të saj të brendshëm, meditimeve të saj, botës së saj shpirtërore, por edhe vlerësimeve që kanë të tjerët si artistët apo dhe qytetarët e zakonshëm të japim shkallë-shkallë këtë personalitet të madh të kësaj artisteje. Megjithëse feston 80-vjetorin, ajo është një burim i pashtershëm dëshire për punë, për të qenë aktive, pjesëmarrëse në jetën social- kulturore jo vetëm të vendit tonë, por dhe kudo ku ka shqiptarë. Në këtë dokumentar, do të jetë dhe jeta familjare e aktores. Ajo është një nënë model, sepse ka edukuar bashkë me të shoqin artistin Xhavit Xhepa, tre djem të mrekullueshëm, të cilët sot janë emra të vlerësuar në profesionet e tyre.

Artisti i Popullit Albert Verria: Është pak t’i thuash “Diva e artit shqiptar”
“Kam një konsideratë të jashtëzakonshme për këtë artiste të madhe, sepse rolet e saj, qofshin ato pozitive apo negative, janë interpretuar në nivelin më të lartë. Është një korife e teatrit dhe kinematografisë dhe mendoj se është nder i madh për kombin, që ka në gjirin e tij artistë të kalibrit “Margarita Xhepa”. Kujtoj që kur kam qenë student në shkollën e lartë për aktor, pashë Hamletin dhe jam mrekulluar me rolin e Ofelisë, një Ofeli e përsosur në karakter dhe bukuri. Më ka magjepsur, më shtoi dashurinë për skenën. Për cilindo rol që ka interpretuar Margarita, mund të japësh një mendim: i përsosur. Ka dhënë karaktere të fuqishme, me një vërtetësi të jashtëzakonshme, si vetë ajo, sido që ishte një vajzë e butë lushnjare.

Një aftësi e kësaj aktoreje ishte se dinte që me mjeshtërinë e saj të luante edhe njeriun e thjeshtë, ashtu edhe aristokratin. Është një talent i lindur, por edhe puna e saj, që e dalloi këtë aktore mbi të tjerët. Me këtë rast, unë i uroj 80-vjetorin e lindjes, Margaritës së bukur, aktores së shquar, që do të jetojë në shekuj me karrierën brilante të saj në skenë dhe kinematografi. Nuk është një elozhe me rastin e ditëlindjes së Margaritës, është një e vërtetë e madhe, që nuk mund ta mohojë askush”.

Ministra e Shëndetësisë merr përsipër shpenzimet e operacionit për artisten
Pas kërkesës që ka bërë Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, në emër të institucionit që drejton, ka marrë përsipër të shlyejë në “Spitalin Amerikan” faturën financiare, që arrin në rreth 10 milionë lekë të vjetra. Ai është shprehur se është angazhuar personalisht për gjendjen shëndetësore të aktores së madhe dhe se qeveria shqiptare e ka në strategjinë e saj interesimin, në mënyrë të veçantë për figura të mëdha të kombit, sikurse është aktorja e famshme Margarita Xhepa, me filmat e së cilës ne jemi rritur dhe edukuar. Pasi i është komunikuar lajmi, aktorja është shprehur: “Mirënjohje të thellë ministrisë së Shëndetësisë, qeverisë shqiptare për përkujdesjen që treguan ndaj meje”.

Kush është Margarita Xhepa
Aktorja shqiptare lindi më 2 prill 1934 në Lushnjë. Ajo cilësohet si një nga Zonjat e Mëdha të teatrit shqiptar. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjeçare. Në vitin 1950 ajo u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, dega e Dramës.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj. Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë. Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë.

Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K.Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Kinematografi
Në kërkim të kujt (2011), serial
Tingulli i heshtjes – (2010) telenovela
Kronikë provinciale – (2009)
Ne dhe Lenini – (2008)
I dashur armik – (2004)
Mirupafshim – (1997)
E diela e fundit – (1993)
Një djalë edhe një vajzë – (1990),
Vitet e pritjes – (1990)
Kush e solli Doruntinën (1989) teatër-drama, nëna e Kostandinit dhe Doruntinës
Pranvera s’erdhi vetëm – (1988)
Misioni përtej detit – (1988)
Rrethi i kujtesës – (1987)
Fillim i vështirë – (1986), shoqe e Zanës
Gabimi – (1986)
Gurët e shtëpisë sime – (1985)
Militanti – (1984)
Apasionata – (1983)
Dora e ngrohtë – (1983)
Shokët – (1982)
Dita e parë e emërimit – (1981)

Koha Net