Në udhëkryq – Rinia largohet nga vendi, Ulqini po plaket

December 18, 2016   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Rinia largohet nga vendi, Ulqini po plaketNë udhëkryq

 Gjekë Gjonaj

Vitet ikin, brezat kalojnë. E  Mali i Zi  nuk po zhvillohet ekonomikisht,  që rinisë  sonë   t’i sigurojë  punë e mirëqenie. Mbaj mënd tim at  të ndjerë kur isha ende  i ri , thoshte: “Ky vend për ne  vështirë se bëhet, por të paktën të bëhet për fëmijët tanë ”. Sot jam unë në moshën e tij kur i thoshte këto fjalë dhe Mali i Zi s’është zhvilluar akoma. Tani   ndodhem unë përballë të njëjtës situatë si im at para shumë vitesh dhe situata është po e njëjta, mos edhe më keq.   Edhe unë tani  mund t‘i them djalit tim   të njëjtat fjalë si   para shumë vitesh. Dëshira ime, sikur e çdo prindi, është që  ta gëzoj dhe ta shoh të lulëzoj  vendin tim. Dua që  djali im  dhe e gjthë rinia  e sotme  të  jetojë  në një vend të sigurt  si gjithë Evropa dhe Bota. Dua që të jemi të barabartë mes të barabartëve në gjithë globin .  Sepse,  gjëja më e shenjtë për ne mbetet  jeta.  Mirëpo realiteti  më demanton. Jo vetëm mua, por shumicën e popullatës ku jetojnë shqiptarët.

Për dallim nga gjenerata ime rinia e sotme shkollohet në numër shumë herë  më të madh. Më vjen mirë kur takoj  dhe shoqërohem çdo ditë e më shumë  me intelektualë  të rinj shqiptarë me kualifikime dhe profesione të ndryshme, duke filluar prej ekonomistëve, juristëve, mjekëve, politikologëve, inxhinierëve , infermierëve, profesorëve etj. Kënaqem me arritjet  e tyre, nga njëra anë. Shqetësohem për ëndërrat e tyre të parealizuara, nga ana tjetër. Ajo që   më mundon më së shumti  kohën e fundit gjithësesi është migrimi i rinisë sonë, e cila që një kohë të gjatë ndodhet në udhëkryqet e saja.  Ajo, sot  ndodhet në  gjendje amullie,  konfuziteti, apatie dhe horizonteve të paqarta. Këtë gjendje të kësaj shtrese  më të nevojshme të kombit tonë  e  ka shkatuar mbi të gjtha    kriza ekonomike dhe papunësia.

Vetëm nga Ulqini brenda javës së kaluar  lëshuan vatrat e tyre shumëshekullore  dhe u shpërngulën në shtete të huaja   tetë të rinj.  Rrugën e tyre  këtë vit dhe viteve të fundit , e kanë ndjekur edhe shumë të tjerë, madje edhe familjarë nga zona të tjera  urbane dhe rurale të banuara me shqiptarë.   Kur i pyeta disa nga ata për arsyet e kësaj shpërnguljeje të dhimbshme , të mos them tragjike,  përgjigjja   ishte se nuk shihnin ndonjë perspektivë të ndritshme në vendin  e tyre. Ata thonë se po  largohen  përkohësisht  jashtë shtetit për një jetë më të mirë nga vendi i tyre të zhgënjyer.  Të demoralizuar dhe me shpresë të thyer. Ata  nuk përjashtojnë as mundësinë edhe të shpërnguljes së përhershme, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike. Të thyer moralisht ata nuk shohin perspektivë as për vete e as për fëmijët e tyre. Andaj po ikin  për një jetë më të mirë si në aspektin ekonomik e social ashtu edhe atë të punësimit, edukimit dhe arsimimit më të mirë.  Domethënë  migrimi , kjo plagë e rëndë, që në literaturën botërore quhet ( ngjarje kritike në jetë) ,  jo vetëm se tek ne ka ekzistuar që nga të qenit të  kombit tonë, por për fat të keq është edhe fenomen i kohës bashkëkohëse. Më e keqja është se ky fenomen nuk po ndalet. Përkundrazi,   duam apo s’duam ta pranojmë,  po vazhdon me përmasa gjithnjë e më të mëdha. Vendet e Evropës Juglindore ( Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina) janë  ndër rajonet me më shumë emigrantë të dërguar në botë, numër ky sa një e katërta e popullsisë aktuale të këtyre vendeve që jetojnë jashtë vendeve të tyre“, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Largimet e të rinjve nga Mali i Zi , do të duhej të brengosnin më së shumti qeverinë dhe institucionet.  Çfarë politikash  duhet të hartohen nga kjo Qeveri për të mos lejuar ikjen e pjesës më vitale ( më të re)  të popullsisë ? Këtij problemi të madh  shoqëror, i cili rrezikon substancën kombëtare, duhet  t‘i kushtojë më shumë vemendje. Ajo bashkë me institucionet tjera në radhë të parë duhet të ndryshojë politikat e deritashme të qeverisjes. Pastaj të hartojë një politikë të mirë,  të saktë, efikase dhe afatgjate për krijimin e   mundësive  të reja për qytetarët  dhe të rinjtë e vendit tonë.   Qeveria e  Malit të Zi duhet të marr obligim që të krijojë kushte dhe zhvillim ekonomik ku  të rinjtë  me asnjë çmim nuk do të iknin nga atdheu i tyre , por të qëndrojnë dhe të  punojnë këtu.