Klubi i karatesë “Ulqini” fitues i 248 medaljeve në vitin 2016

December 19, 2016   | Lajmet / Vijesti, Sporti / Sport

Karate Club Ulqini-Ulcinj Montenegro-1Përfundon me sukses sezoni i garave për vitin 2016 për Klubin e Karatesë “Ulqini”

Sukseset për KK “Ulqini”, ku numërohet dhe organizimi i Turneut XV jubilar ndërkombëtar të karatesë “Ulqini Open 2016”, vazhdojnë edhe në vitin 2016, duke vërtetuar kështu cilësinë e një pune profesionale dhe të një tradite 41-vjeçare që mban mbi supet e veta.

Garuesit e këtij klubi morën pjesë në 20 gara, si në arenat vendore, kombëtare dhe në ata ndërkombëtare, në të cilat arritën të kurorëzohen më 248 medalje, në disiplinat individuale dhe ekipore kata dhe luftëra: 68 të arta, 73 të argjendta, 107 të bronzta dhe 19 kupa. Çdo medalje është numëruar sipas rregullave olimpike: çdo disiplinë ka një medalje, si dhe çdo ekip fitues numëron vetëm një medalje.

Organizimi i turneut XV jubilar ndërkombëtar të karatesë “Ulqini Open 2016”:

Klubi i Karatesë “Ulqini” në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe Federatën e Karatesë së Malit të Zi edhe këtë vit organizoi Turneun XV jubilar ndërkombëtar të karatesë “Ulqini Open 2016”, i cili organizohet për nder të Ditës së Ulqinit. Ky turne tashmë tradicionalisht për vite me radhë i kushtohet Ditës së Qytetit tonë të bukur, duke grumbulluar me qindra karateistë e dashamirë të sportit të karatesë nga mbarë rajoni e duke e bërë kështu edhe më madhështor festimin e Ditës së Ulqinit. Në Turne morën pjesë 49 klube të karatesë nga 9 shtete pjesëmarrëse, me gjithsej 650 garues.

Të gjitha sukseset janë për lëvdatë, por sivjet vlen të veçohet Turneu Ndërkombëtar në Nju Jork, ku për herë të parë merr pjesë një klub karateje nga qyteti ynë dhe kjo falë bashkëvendësve tanë që jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët e bënë të mundur pjesëmarrjen e klubit tonë në këtë Turne.

Turneu i 21-të ndërkombëtar i karatesë “Annual Hiraldo’s Kai Shobukan” në Nju Jork:

Garuesit e KK “Ulqini” u treguan mjaft të fuqishëm në Nju Jork në Turneun e 21-të ndërkombëtar të karatesë “Annual Hiraldo’s Kai Shobukan”, në të cilin morën pjesë këto shtete: Republika Domenikane, Puerto Riko, Kanadaja, Kolumbia, Teksasi, Bostoni, Rhode Island, Pensilvania, Nju Jork, Nju Xhersi, Venecuela, Panama, Haiti, me mbi 500 garues. Klubi i karatesë “Ulqini” në këtë turne mori pjesë me 9 garues të gjeneratave: kadetë, juniorë dhe seniorë, të cilët arritën një sukses të shkëlqyeshëm duke fituar në 13 kategori 3 vende të parë, 2 vende të dytë, 8 vende të treta në disiplinat kata dhe luftëra individuale.

Në Kampionatin Ballkanik, kampionatet e Malit të Zi dhe Kampionatin Mbarëkombëtar garuesit e KK “Ulqini” kanë arritur të kurorëzohen me 26 medalje: 5 të arta, 10 të argjendta dhe 11 të bronzta.

Në Kampionatin Ballkanik të Karatesë për Kadetë, Juniorë dhe Seniorë të Rinj U21 ku morën pjesë me Përfaqësuesen e Malit të Zi, u shpall 1 kampion dhe 1 u kurorëzua me medaljen e bronztë. Edin Kraja u shpall kampion në luftëra ekipore për seniorë të rinj U21, kurse Adnan Kuqi u kurorëzua me medalje të bronztë në luftëra ekipore për juniorë.

Nga Kampionatet e Malit të Zi nga radhët e klubit të karatesë “Ulqini” u shpallën 3 kampionë të Malit të Zi – 2 në disiplinat individuale dhe 1 ekip, 5 nënkampionë – 4 në disiplinat individuale dhe 1 ekipe dhe 7 të bronzta – 4 në disiplinat individuale dhe 3 ekipore.

Në Kampionatin Mbarëkombëtar u shpall 1 kampion mbarëkombëtar, 5 nënkampionë dhe 3 u kurorëzuan me medalje të bronzta.

Medaljet e tjera në disiplinat individuale dhe ekipore kata dhe luftëra janë fituar në turne të tjerë ndërkombëtarë, ku KK “Ulqini” ishte çdo herë ndër klubet më të mirë me suksese kulminante duke u radhitur ndër më të mirët në renditjen e përgjithshme duke nderuar kështu traditën e vet dhe emrin, të cilin e mban tash katër dekada, emrin e qytetit të vet Ulqini.

Fuqia e një klubi vlerësohet dhe bazohet në rezultatet e arritura gjatë tërë vitit me të gjitha gjeneratat, – shprehen udhëheqësit e klubit Gjorgje Daboviq (kryetar), Skender Tahiri (drejtor i marketingut), Ardita Rama (sekretare), dhe trajnerët Kujtim Sukaliqi (kryetrajner), Ruzhdi Rama, Naim Duraku dhe Blerim Sukaliqi, duke cekur se këto suksese të garuesve të tyre janë gjithmonë për çdo lëvdatë dhe se të gjitha këto rezultate nuk janë nga një, dy apo tre garues, por janë rezultate të të gjitha gjeneratave, rezultate të një fuqie garuese, që arriten gjatë tërë vitit, duke filluar nga ajo e më të rinjve e deri në seniorë.

Ata me këtë rast në veçanti falënderojnë sponsorët që u gjetën tërë vitin pranë tyre duke ndihmuar dhe lehtësuar pjesëmarrjen në këto gara. Po ashtu edhe një falënderim të veçantë meritojnë edhe mediat që na përcollën aktivitetet duke i publikuar dhe reklamuar, si dhe falënderim meritojnë edhe prindërit e garuesve që çdo herë na përkrahin dhe kanë një bashkëpunim të sinqertë me ne.

Ulqin, më 16.12.2016

Shërbimi Informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”

Karate Club Ulqini-Ulcinj Montenegro